Një tjetër rast i kultivimit të drogës është shkatërruar në Shkodër duke sjellë vënien në pranga të dy personave. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për mes një njoftimi ka bërë me dije se është vënë në pranga një 70-vjeçar përkatësisht me detyrë kryeplak në zonën Pepsumaj.
70-vjeçari akuzohet për veprat “Kultivim i bimëve narkotike“ dhe “Shpërdorim të detyrës“. Ndërkohë në njoftim bëhet me dije se është arrestuar edhe një 31-vjeçar me inicialet M. F. për kultivim droge.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ekzekutoi urdhrin e prokurorit mbi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në bazë të hetimeve të thelluara nga AMP-ja, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në funksion të hetimit të procedimit penal të vitit 2023, regjistruar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sa më sipër, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të përfshirjes në këtë aktivitet kriminal të kultivimit të bimëve narkotike nga shtetasit: – N. F., 70 vjeç, me detyrë Kryeplak i zonës Pepsumaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike“ dhe “Shpërdorimit të detyrës“. – M. F., 31 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” në bashkëpunim.
Agjencia vazhdon hetimet për dokumentimin e veprimtarisë së punonjësve të policisë në këtë aktivitet kriminal. AMP-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.