Ballina Aktualitet KLGJ jep vendimin ndaj kërkesës së ILD për shkarkimin e gjyqtarit Arben...

KLGJ jep vendimin ndaj kërkesës së ILD për shkarkimin e gjyqtarit Arben Dosti

46
0

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj shpalli të enjten më 18 prill vendimin për rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjirokastrës, Arben Dosti, për shkelje të rënda profesionale. Rrëzimi i kërkesës së ILD u votua nga të 10 anëtarët e KLGJ-së të pranishëm në vendimarrjen e të enjtes.

Në seancat e mëparshme, ILD parashtroi argumentet përse kërkonte shkarkimin e Dostit. Sipas ILD-së, hetimi disiplinor ndaj këtij gjyqtari kishte filluar bazuar në një ankesë të një qytetareje të depozituar në vitin 2019, mbi lirimin me kusht të një të dënuari përsëritës në shkelje të ligjit.

Sipas njoftimit të ILD-së, hetimi administrativ mori në analizë 11 vendime të dhëna nga gjyqtari Dosti në periudhën 2017-2020 dhe evidentoi veprime ose mosveprime në shkelje të ligjit “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”, zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural, duke sjellë përfitim të padrejtë, që është dhe pasoja e drejtpërdrejtë e shkeljes disiplinore.

Sipas ILD, ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cënimin e prestigjit të gjyqtarit dhe humbjen e besimit ndaj tij, si dhe ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

E pyetur lidhur me vendimarrjen, KLGJ u shpreh se gjetjet e ILD-së nuk përbëjnë shkak për shkarkim.

Arben Dosti përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe deri në korrik të vitit 2014 kreu stazhin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga tetori 2015, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër.

Dosti u konfirmua në detyrë në dhjetor 2021 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi u konkludua se kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për barrën e provës lidhur me balancën financiare negative të konstatuar gjatë hetimit paraprak në shumën 36.4 milionë lekë.

Po ashtu Komisioni rrëzoi raportin negativ të DSIK-së, si dhe gjetjet për profesionalizmin nuk u konsideruan penalizuese. Trupa e KPK që vendosi konfirmimin e Dostit kryesohej nga Genta Tafa Bungo, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi si të pabazuar në ligj konfirmimin e Dostit, duke konkluduar se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm në asnjë prej kritereve të rivlerësimit. Ankimi pritet të shqyrtohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit./BIRN