Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka sulmuar bashkëpunëtorët e Ilir Metës, një pjesë të të cilëve i kishte në Presidencë dhe që tashmë i ka marrë në parti.
Kryemadhi e konsideron artificial problemin që ka shfaqur Ilir Meta ditët e fundit, kur flet për tradhtarë dhe çimkaxhinj brenda Partisë së Lirisë.
Situata nisi pas sulmit kibernetik në disa kompjutera të selisë së partisë disa javë më parë, për të cilën është bërë dhe denoncim. Kryemadhi thotë se nuk ka ndodhur asnjë përgjim apo situatë e tillë, siç insinuon Ilir Meta, por fajin ia le bashkëpunëtorëve të ish-Presidentit, të cilët sipas saj e kanë bindur Ilir Metën se anëtarët e partisë janë përgjuar.
Monika Kryemadhi: Është gënjyer Ilir Meta. Sepse kur mbledh rreth vetes njerëz të cilët mendojnë që janë rrogëtarë, sepse një parti politike nuk mbahet me rrogëtarë dhe servilë sedentarë. Kur njerëzit të cilët e kanë mendjen bosh dhe nuk e mbushin dot kohën me aksion opozitar atëherë do të krijojnë armikun imagjinar. Ai material nuk është shkruar nga një profesionit, është shkruar nga një jurist i cili nuk njeh…
Blendi Fevziu: Ka shkuar një ditë dhe ka parë që s’ka servera të kamerave? Ka shkuar një ditë dhe ka gjetur ndonjë përgjues në zyrë?
Monika Kryemadhi: Jo jo. Serverat e godinës së Partisë së Lirisë janë servera që çdo 1 javë fshihen dhe riformatohen. E dyta, ka luhatje tensioni. Në luhatjet e tensionit mund të ketë një moment kontakti 1 sekond i cili është fikur dhe është ndezur përsëri.
Blendi Fevziu: Pra ky është problem elektrik apo politik?
Monika Kryemadhi: Ky është me thënë të drejtën problem njohurish. Kjo zgjidhet me IT.
Blendi Fevziu: Po çfarë kanë gjetur?
Monika Kryemadhi: Asgjë nuk kanë gjetur. Është një fantazi e krijuar nga një grup njerëzish të cilët nga rrogëtarë në Presidencë vijnë dhe bëhen rrogëtarë në Partinë e Lirisë.
Blendi Fevziu: E kanë bindur Metën që përgjohet?
Monika Kryemadhi: Jo, i kanë thënë jemi përgjuar ne, nuk kanë thënë që është përgjuar Ilir Meta. Personat i kanë thënë Ilir Metës jemi përgjuar ne. Por nuk është ky problemi i shqiptarëve. Do vijë Prokuroria, do ta shikojë, do i nxjerri si budallenj ata që i kanë bërë.
Sipas Kryemadhi, debati në Partinë e Lirisë, siç përmend Meta për “cimkaxinj”, ka nisur pas sulmit hakerues disa javë më parë të kompjuterave në selinë e partisë. Denoncimin që bëri vetë Meta në organet ligjzbatuese për këtë çështje, Monika Kryemadhi e konsideron si paçavure.
Blendi Fevziu: Cili është thelbi i konfliktit tuaj politik?
Monika Kryemadhi: Nuk mendoj që ka konflikt, ka një sjellje ndryshe të këshilltarëve të gabuar që ai ka mbledhur. Këto janë debate që unë i kam bërë në mbledhjen e Kryesisë.
Blendi Fevziu: Ka qenë e tensionuar mbledhja e Kryesisë?
Monika Kryemadhi: Jo nuk ka qenë e tensionuar. Debati që Monika Kryemadhi di të bëjë gjithmonë, nuk bën debat duke thënë po shefi, Monika bën debat duke treguar që debati ka filluar me atë paçavuren e famshme të denoncimit që është firmosur nga z.Meta përsa i përket serverave.
Debati është edhe për shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë sa i përket meritokracisë, angazhimit, funksionimit të strukturave, marrjes së përgjegjësisë. Unë nuk mendoj që një parti politike është thjesht like dhe share në Facebook. Struktura e një partie politike është kontakti fizik i drejtpërdrejt me njerëzit. Ajo paçavure e firmosur nga Ilir Meta është një…