Lord Bajroni ishte njeriu më ‘pervers’ me një mendje djallëzore sipas letrës së artistes që lexoi kujtimet e tij para se të digjeshin.
Poeti romantik shkroi detaje të jetës së tij në ditarë që do të botoheshin pas vdekjes, por miqtë ia dogjën për t’ia mbajtur sekret jetën private.
Një letër e zbuluar rishtazi ka hedhur dritë mbi përmbajtjen e tyre misterioze.
Letra u gjet në bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit, e shkruar nga Elizabeth Palgrave, një zonjë dhe artiste e shoqërisë së shekullit të XIX-të, e cila mundi të shihte një pjesë të vogël të kujtimeve të Bajronit para se të digjeshin.
Ajo u trondit aq shumë nga përmbajtja e tyre, sa i shkroi të atit t’i tregonte më shumë për poetin e njohur, i cili vdiq 200 vjet më parë, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.
Në letër, Palgrave shkruante se Lord Bajroni kishte mendje djallëzore: ‘ai kënaqej kur shkruante për ligësitë e tij dhe ndjenjat më perverse’.
Ajo shtoi se ‘e gjithë fuqia e mendjes së tij ishte orientuar vetëm nga e keqja’ dhe se ‘duhet të jetë nxitur nga motive aq perverse, sa të jetë vërtet i papërgjegjshëm’.
Palgrave lexoi kujtimet e tij në vitin 1823, vetëm një vit para se Bajroni të vdiste dhe ditarët të digjeshin. Shqetësimi i saj kryesor ishte mënyra se si e trajtonte gruan e tij Anne Milbanke.
Ajo kishte shkruar se Bajroni shfrytëzoi çdo mundësi për ta fyer atë dhe familjen e saj dhe shprehu ‘indiferencë’ ndaj gruas së tij, me të cilën u martua vetëm se, gjatë një stuhie bore ku ishin bllokuar të dy, ‘nuk pa një krijesë tjetër me të cilën të bënte dashuri në mënyrën e tij’.
Palgrave arriti në përfundimin se Bajroni merrte kënaqësi të jashtëzakonshme… ‘duke shtypur ata që ishin shumë më të virtytshëm, duke u përpjekur t’i maste me standardet e tij.’
Bajroni kishte marrë famë ndërkombëtare me veprat e tij si ‘Pelegrinazhi i Çajld Haroldit’ dhe ‘Don Zhuani’. Thashethemet për homoseksualitetin dhe incestin në jetën e tij private kontribuuan në reputacionin e tij, duke shtuar intrigën.
Lady Caroline Lamb, dikur e dashura e tij, e quajte atë ‘të çmendur, të keq dhe të rrezikshëm për t’u njohur’.
Ai nisi të shkruante memoarin e tij në vitin 1818, dhe ia dorëzoi shokut të tij të ngushtë, Thomas Moore, i cili ia kaloi botuesit të Bajronit, John Murray me kusht që të botoheshin vetëm pas vdekjes së tij.
Kur ai vdiq në Luftën e Pavarësisë Greke në vitin 1824, shokët e tij debatuan nëse do t’i publikonin ditarët, dhe si përfundim zgjodhën t’i digjnin për ta mbajtur sekret jetën e tij private.
Por tani është zbuluar se gjatë një vizite në zyrën botuese të Murray në vitin 1823, Palgrave iu lejua të lexonte pjesë nga ditarët.
Letra e saj e sapo zbuluar ka emocionuar studiuesin e Kembrixhit, Dr. Corin Throsby, i cili tha: ‘Për shekuj me radhë njerëzit kanë pyetur veten se çfarë mund të kenë pasur në kujtimet e humbura të Bajronit, kështu që është vërtet emocionuese të kesh një tjetër rrëfim të dorës së parë nga dikush që i ka lexuar ato’.