Ballina Politika Ilir Meta kryeministri i opozitës? Ja si përgjigjet Flamur Noka

Ilir Meta kryeministri i opozitës? Ja si përgjigjet Flamur Noka

120
0

Flamur Noka nuk do që të komentojë zhvillimet brenda Partisë së Lirisë me argumentin se nuk duhet të përfshihet në debatin e brendshëm të tyre. Megjithatë, kur bëhet fjalë për qendrimet ndaj SPAK-ut, qendrimet e dy partive opozitare nuk ndryshojnë.

“SPAK nuk sheh bonusin që Edi Rama i ka dhënë kompanisë së incineratorëve, kur ajo nuk ekzistonte. SPAK nuk sheh as 60 milionë eurot të
incineratorit të Tiranës që janë transferuar në Zvicër me firmën e Erion Veliaj, por SPAK sheh 64 eurot që del disbalanca e pasurisë së Jamarbër
Malltezit dhe i sekuestron pasuritë. Përsa kohë SPAK-u mban nën hetim të gjithë drejtuesit e opozitës, nga nënkryetari i PBDNJ-së Fredi Beleri,
kryetarin e PR, Kryetari e Partisë së Lirisë, ish-Kryetarin e Partisë së Lirisë e deri tek arresti pa prova i kryetarit të PD, tregon që SPAK paska vetëm një mision: të zhdukë opozitën dhe të mbretërojë Edi Rama.”- tha Flamur Noka në emisionin “Pa Censurë”, ku tregoi edhe lidhjen e tij të afërt me Ilir Metën.

“Kryetarin e Partisë së Lirisë e kam edhe aleat, por edhe mik personal. Nuk preferoj të hyj në debate të brendshme, sikundër nuk dua që aleatët të hyjnë tek debatet e PD”- u shpreh zoti Noka, pa iu shmangur pyetjes, nëse është dakord me deklaratën e Ilir Metës se do të bëhet Kryeministër, kur opozita të fitojë zgjedhjet, nëse zoti Berisha do të ketë ende probleme ligjore.

Megjithëse miqësinë, kur bëhet fjalë për pushtetin, zoti Noka është i drejtëpërdrejtë. “Të drejtën për të aspiruar e kanë të gjithë, por
kryeministri vendoset nga forca e parë që merr shumicën e votave. Nëse Partia e Lirisë del forcë e parë, patjetër që i takon”. – u shpreh Flamur
Noka, edhe pse me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, është e pamundur të kuptohet, përveç votave personale, sesa vota ka marrë secila parti.
Megjithatë, prioritet tani për PD-në nuk është emërimi i kryeministrit të tyre, por rrëzimi i kryeministrit aktual. “Motoja jonë është qeveri
teknike, rrëzimi i Edi Ramës dhe që më pas t’u hapet rruga zgjedhjeve të lira e të ndershme. Qeveria teknike të ketë vetëm një detyrë, të
mundësojë zgjedhje të lira dhe të krijojë kushte për rotacion politik”- tha zoti Noka, i cili nuk pranon ta quajë këtë një ëndërr si ajo e Ilir
Metës për t’u bërë kryeministër. “Ne demokratët kurrë nuk kemi ëndërruar. Ne i kemi bërë realitet gjërat”.- tha Flamur Noka