Durrës, Shqipëri – Në një atmosferë festive dhe të ngarkuar me përgjegjësi mjedisore, studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, nën drejtimin e Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, marshuan sot me rastin e Ditës së Tokës për të rritur ndërgjegjësimin për edukim mjedisor dhe riciklim.
Ky aktivitet u zhvillua me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe Zyrës Vendore Arsimore, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit për një Shqipëri më të pastër dhe të qëndrueshme. Studentët, së bashku me gjimnazistët e “Olsi Lasko” dhe nxënësit e Shkollës “Hasan Koçi”, marshuan nga Stacioni i Trenit drejt Urës së Dajlanit, duke simbolizuar bashkimin e përpjekjeve për një mjedis më të shëndetshëm.
Prof. Dr. Fortuzi, u shpreh se “përpjekjet e përbashkëta janë thelbësore për të luftuar ndotjen plastike dhe për të nxitur një kulturë të qëndrueshmërisë nga shkollat deri në universitet”. Ai shtoi se “veprimtaria e sotme ishte një shembull i shkëlqyer i angazhimit qytetar dhe i bashkëpunimit ndërinstitucional”.
Marshimi u mbyll pranë bregdetit të Durrësit ku, në shenjë solidariteti, të pranishmit formuan me trupat e tyre fjalën “Earth Day” dhe bënë një bashkim duarsh si simbol i përkushtimit ndaj mbrojtjes mjedisore.
Ky aktivitet i organizuar nga Lëvizja “River Clean Up – Clean Ishmi River”, vuri në pah rëndësinë e edukimit dhe veprimeve qytetare për ndryshime pozitive mjedisore në Durrës dhe gjithë Shqipërinë.