Ballina Dossier “Na vrit të gjithëve ne, dhe pastaj shko…” Mehmet Sela nuk u...

“Na vrit të gjithëve ne, dhe pastaj shko…” Mehmet Sela nuk u ndal as nga pergjerimi i nếnës së tịj në Kryengritjen e Zhapokikes

105
0
Nga Feti ZENELI

Një nga protagonistët e “Kryengritjes së Zhapokikës”, për të mos thënë organizatori dhe drejtuesi kryesor i saj, ka qënë Mehmet Yzeir Sela. Ndonëse për të është folur e shkruar pak, roli i tij ishte përcaktues në krijimin dhe veprimtarinë e çetës të pagëzuar me emrin e klerikut bektashi “Baba Shefqet”. Ndërkohë, për shkak të përfshirjes dhe rezistencës së tij epike në kryengritjen e armatosur, Zhapokika u bë emri pagëzues i një prej ngjarjeve më të rralla në Shqipërinë e pasçlirimit. Duke folur në këtë mënyrë, nuk duam të vëmë në diskutim meritat që historia e deritanishme i ka njohur Xhemal Brahimit apo pjestarëve të tjerë të çetës, por synojmë ta nxjerrim disi këtë çështje nga konteksti i legjendave urbane apo informacioneve të paajrosura, që përmbajnë dokumentat e dosjeve hetimore, shumica e të cilave të mbushura me të dhëna të suajuar nën kërcënimin e armëve institucionale të dikaturës.

Zakonisht penat serioze nuk shkojnë tek e vërteta, vetëm duke shfletuar dosje, por edhe duke bërë analiza të rrepta të këtij informacioni të klasifikuar “top sekret” për shumë vite. Po dhe analiza e deduksione të forta, gjithashtu. Vetëm në këtë mënyrë, e vërteta pikon si raki “ballë kazani”. Nga ana tjetër, qoftë dhe sikur të “hulumtosh” disi profesionalisht emërtimin “Kryengritja e Zhapokikës”, dhe faktin që shumica e pjestarëve të çetës ishin nga ky fshat, përsëri ke çfarë të thuash për Mehmet Selën. Madje ke për të thënë e shkruar shumë. Le më pastaj, analiza e atij aktit final të përplasjes me forcat e policisë dhe të ushtrisë, ku ai derdhi gjakun i bindur për idealet, me të cilat ishte brumosur qysh në rininë e tij të hershme, dhe që flet më shumë se gjithçka tjetër. Aty Mehmeti qëndroi burrërisht, iu përgjigj zjarrit me zjarr dhe nuk tentoi të çante rrethimin, me shpresën se ndoshta atje në bangon e të akuzuarëve, pas ndonjë “pendimi” të vogël në hetuesi mund të shpëtonte kokën. Ndërsa çarja e “rrethimit të brendshëm e të jashtëm” për t’u arratisur nga Shqipëria, që pastaj të hynte e të dilte si në shtëpinë e vet, duke kaluar kufijtë me “tela me gjemba”, të cilët na mbanin të ndarë nga bota borgjezo – revizioniste, s’kishte asnjë lidhje me përgatitjen dhe bindjen e tij…

Mehmeti ka lindur në vitin 1915, në Zhapokikë të Tepelenës. Ishte plot 33 vjeç kur u përfshi në këtë lëvizje të armatosur kundër pushtetit popullor, për shkak të reformave konfiskuese dhe izoluese, sipas tij, që ai regjim ndërmori, si kudo dhe në krahinën e Zhapokikës, e cila për hir të së vërtetës, kishte gëzuar një farë “autonomie” nga qeveritë e mëparshme të kohës së luftës. Por ajo që ndikoi më shumë se gjithçka tjetër në këtë vendimmarrje të Mehmet Selës, përveç pakënaqësive të mësipërme individuale e familjare, ishte dhe pushkatimi në 14 janar 1948 i mikut të tij Zenel Shehut, së bashku me intelektualin e njohur, Veiz Vasjari, si dhe klerikët: Baba Ali Tomori, atë Gjergj Suli dhe Baba Shefqeti.

Siç dihet, ish-komisari politik i kohës së luftës, Zenel Shehu ishte një ndër personalitetet më të respektuara të krahinës, me influencë të padiskutueshme në njerëzit e saj. Nisur nga kontributet atdhetaro – patriotike të tyre, të njëjtën gjë mund të themi dhe për të gjithë martirët e tjerë të ngjarjes së Grehotit. Ndërkohë, vendimet, veprimet dhe masat shtetrore të ndërmarra në vitet e para të pasçlirimit po rezultonin zhgënjyese dhe arbitrare për një pjesë të mirë të popullatës, sepse, në fund të fundit, ato godisnin besimin e krijuar gjatë viteve të luftës për çlirim kombëtar e shoqëror. Po kështu, në të njëjtën mënyrë, shpërfilleshin e nëpërkëmbeshin, sipas tij, traditat e zakonet tona më të mira, si; mbajtja e fjalës së dhënë, fryma vëllazërore e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, liria e mendimit, etj. Paralelisht, në krahun tjetër, filluan të shfaqen edhe veset e ulëta të spiunimit, përfitimit të pamerituar, diferencimeve politike e kështu me radhë. Ndërkohë, zgjedhjet e ’45-ës kishin asgjësuar përfundimisht edhe institucionin e votës së lirë. Por tjetërsimi i pronës ishte “kalua në këmbë”, ku shteti e shkeli (jo padashje) një pjesë të mirë të fshatarësisë, e cila e kishte lidhur jetën me tokën dhe gjënë e gjallë. Kolektivizimi i pronës u dukej bashkëfshatarëve të Mehmetit, si një sëmundje ngjitëse edhe për modele kolektivizimi në aspekte të tjera që mund të ndodhnin në të ardhmen. Kësisoj, ndryshe nga sa propogandohej, në bindjen e tij të palëkundur, dy klasat e krijuara “de facto”, nuk përbëheshin nga punëtorët dhe fshatarët, por nga “të kënaqurit” dhe “të pakënaqurit”.

Një prej këtyre dhjetra individëve të “klasës së të pakënaqurve” në Zhapokikë dhe gjithë zonën rreth e qark saj ishte dhe familja e fisi i Mehmet Yzeir Selës, përfshi këtu; të vëllain, Seferin dhe djalin e hallës së tyre, Barjam Kamberin. Por të dy këta vëllezër dhe kushëriri i tyre i parë (të tre në krye të çetës kryengritëse), u revoltuan në nivele ekstreme, jo thjeshtë për shkak të pakënaqësisë, po kryesisht nga instalimi i tiranisë. Mehmeti, edhe pse më i riu në moshë mes tyre, ishte më “i vjetri” në fjalët që thoshte dhe bindjet që dëshmonte. Kishte një vendosmëri të habitshme, që nuk e stepi dot as përballë lutjeve përgjëruese të nënës së tij, teksa i tregon për vendimin e marrë: “Ku vete kështu? -i thotë nënë Shefikua. -Ku do t’i lësh fëmijtë? Na vrit të gjithëve ne, dhe pastaj shko…”.  “Kam dhënë fjalën”, i përgjigjet Mehmeti nënës së tij, duke e përqafuar fort, siç donte të përqafonte edhe tre fëmijtë e vetë; Pelivanin, Nalon dhe Selmanin. Por mendoi, se përqafimi më i mirë i tyre do të qe sakrifica për lirinë e shumëëndërruar dhe jetën e qetë me të gjithë pasurinë e saj materiale e shpirtërore. Fjala ishte për atë liri që u premtua, me bardhësinë dhe aromën e qumështit të nënës; jo me shkrumbin dhe erën e rëndë të barutit të pushkës. Dhe kjo për Mehmetin nuk përbënte thjeshtë një çështje perceptimi, por ishte reflektim i përjetimit dhe bindjes së tij të palëkundur. Më shumë se sa politika e ideologjia, veprimtarinë e tij e përcaktonte burrëria dhe fisnikëria. Se me këto parime e cilësi të vyera u bë lufta për çlirimin kombëtar e shoqëror.

Kështu u lidh besa në ato kohë të vështira. Në emër të këtyre virtyteve u derdh gjaku e u bënë sakrificat e panumërta. Kësisoj u bë bashkim – vëllazërimi dhe u nda krodha e bukës; ja, ashtu në këmbë, mbi prushin e plumbave. Dhe Mehmeti nuk i përmendi asgjë nga këto “parime moralizuese”, nënës së tij. Nuk i kujtoi as pasojat varfëruese të familjes së tyre nga konfiskimet dhe reformimet proletare të shtetit. Gjithëçka e përmblodhi në togfjalëshin: “Kam dhënë besën (fjalën)”. Se ai vazhdonte të besonte tek institucioni i fjalës së dhënë, si filozofia triumfuese e shqiptarizmës, edhe pse ideologët dhe ushtruesit e pushtetit të sapoinstaluar në vendin tonë, e harruan gjithçka kishin thënë atje midis flakëve të luftës, qysh të nesërmen e rehatimit të të ndenjurave në karriken e fitimtarit klasor. Por më absurd se veprimi ishte justifikimi, përligjia. Ashtu si në luftë edhe në paqe, emri i përgjithshëm “popull” përdorej si shkak i përbashkët vendimi e veprimi. “Në emër të popullit!”, i drejtohej pistoleta e guerilasit “armikut të brendshëm e të jashtëm”, dhe në po të njëjtën mënyrë jepeshin vendimet e pushkatimit ndaj tyre në vitet e pasçlirimit. Dhe s’ndryshonte asgjë fakti, që ende nuk ishte artikuluar siç duhej thënia e njohur: “Eh, sa padrejtësi bëhen në emrin tënd, o popull!…”.

Kishte ardhur koha, kur drejtësia dhe padrejtësia më shumë se koncepte jurdike, ishin “ligje të xhunglës”, ku “i madhi hante të voglin”, ku “pakica i nënshtohej shumicës” dhe “demokracia proletare ishte demokraci e vërtetë”.
Fjala e dhënë po humbiste gjithnjë e më shumë terren në fushën e burrërisë, por ca më tepër në atë të trimërisë. Shprehja: “Trim pas beteje dhe burrë pas kuvendi”, nuk vlente më si një argument ballafaques. Sidoqoftë në këtë kohë vesesh politike që kishte ardhur, trimat dhe burrat e vërtetë vazhdonin të kishin përfaqësuesit e tyre, ndonëse në një numër më të pakët; në çdo qytet, fshat e krahinë të vendit. Mehmet Sela nuk ishte vetëm përfaqësuesi më tipik i fjalëmbajtjes, por edhe dëshmuesi më “kanunor” i saj. Duket se këtë cilësi të lartë fisnikërie ai e kishte në gen. Ishte “gjaku e gjiri” i tashëgimisë prindërore; fatbardhësia e qumështit të nënës, me të cilin qe mëkuar.

Ja dhe një histori interesante që i dëshmon këto cilësi: Nëna e Mehmetit dhe nëna e bashkëshortes së tij, Melaizes njiheshin me njera – tjetrën. Rastisi që ishin njëkohësisht shtatzënza. Nivelin e familjeve të tyre respektive e kishin pak a shumë të njëjtë; si në trashëgiminë pasurore ashtu dhe atë kulturore. Se mbi këto cilësi bazë krijoheshin miqësitë dhe shoqëritë në atë kohë. Një ditë teksa ishin duke punuar e biseduar mes tyre, nëna e Mehmetit i bënë këtë propozim shoqes së vet: “Nëse pas lindjes, fëmijët tanë do të jenë me gjini të kundërt, atëherë do t’i martojmë me njeri – tjetrin. Ma jep fjalën?” Shoqja e vet mendohet një çast nga ky propozim i befasishëm, por i përgjigjet: “Të lindin njëherë shëndoshë e mirë, pa këtu jemi… Pastaj, kemi dhe burrat…”. Pak rëndësi ka të tregojmë, në u përfshinë apo jo burrat në këtë histori fjalëdhënieje burrërore të këtyre dy zonjave të nderuara. Por fjala u mbajt. Kur fëmijtë e tyre, Mehmeti dhe Melaizja mbushën moshën 17 vjeç u martuan me njeri – tjetrin.

Mehmeti deshi t’ja kujtonte disi nënës së tij, këtë rast fjalëdhënieje e fjalëmbajtje në jetën e saj, kur iu përgjigj: “Kam dhënë fjalën…”, ndonëse kishim të bënim me gjëra krejt të ndryshme; diametralisht të kundërta në pasojat që mund të prodhonin. Megjithatë mbajtja e fjalës së dhënë, kur ke krijuar bindje për një çështje të caktuar, nuk ka të bëjë shumë me atë, se ç’mund të pësosh apo sa mund të lëndohesh, por me faktin se si mund të kontribuosh; qoftë edhe kur të kërkohet të japësh jetën, të derdhësh gjakun.

Të bëheshe iniciator i krijimit të një çete të armatosur për t’ju kundërvënë pushtetit të sapodalë nga gryka e pushkës, do të thoshte se idealin e kishe më të shtrenjtë se gjakun; ndonëse shumë të tjerë, këtë ideal e kishin tradhëtuar, e kishin braktisur. Dhe ky fenomen negativ nuk ishte i izoluar në individë apo zona të veçanta, por kishte shtrirje gjithëandej. Ndaj dhe Mehmeti, mbështetjen për t’u ngritur në mbrojtje të shenjtërisë së pronës e personalitetit njerëzor, nuk e kërkoi vetëm rreth e qark shtëpisë, lagjies e fshatit të vet, por në tërë krahinën dhe rrethin e Tepelenës. Përveç aftësive personale shfrytëzoi edhe mundësitë që i qenë krijuar. Prej 2 – 3 vitesh ishte ngarkuar nga qeveria e re me detyra të ndryshme të pushtetit vendor në zonën e Buzit. E prekte nga afër pakënaqësinë, ashtu siç konstatonte çdo ditë e më shumë edhe entusiazmin në rënie të njerëzve.

Populli i thjeshtë, pavarësisht përpjekjeve të ethshëme të propagandës nuk ishte shumë i lidhur me ideologjinë, por me ekonominë personale dhe hallet e veta. Lufta i kishte sfilitur së tepërmi njerëzit, sidomos fshatrat e krahinës së Buzit, ku bënin pjesë edhe Zhapokika e Luftinja rrebele. Përveç pasojave dramatike të dy luftërave botërore, krahina e Buzit kishte qënë edhe vijë fronti e luftës italo – greke, që ishte shoqëruar me dhjetra viktima, shumë të shpërngulur, shtëpi e prona të shkatërruara, etj.  Bëhej fjalë për një krahinë që ka qënë më shumë nën influencën e nacionalizmit, se sa nën ndikimin e komunizmit. Zona e Buzit është në një krah dhe jo shumë larg nga krahina e Frashërlinjëve, ku kishte lindur dhe ushtronte aktivitet një nga figurat më të shquara të nacionalizmës shqiptare, Mid’hat Frashëri. Sidoqoftë gjithëçka duhej verifikuar në kushtet e reja social – politike, që ishin krijuar pas çlirimit të vendit. Ndaj takimet e para që zhvillonin Mehmeti me shokë kishin si qëllim për të verifikuar mbështetjen në popull.

Kjo ishte shumë e rëndësishme, madje më e rëndësishme se ç’deklaronte Xhemal Brahimi, që “…kemi me vete Abas Ermenjin i cili ka ardhur në Shqipëri, Ali Nivicën; kemi shumë persona në qeveri me në krye Sejfulla Malëshovën e Koci Xoxën”. Faktikisht kudo kishte njerëz të pakënaqur për shkak të taksave të larta dhe reformave të ndërmarra nga qeveria komuniste. Por në zonën e Zhapokikës, Luftinjës, Kamçishtit dhe rreth e qark tyre, në saj të veprimtarisë së këtij grupi rrebel, u krijua një frymë e tillë kundërshtuese, sa që njerëzit flisnin hapur. Mehmet Yzeiri ishte më aktivi në këtë drejtim. Ai së bashku me Salo Kason shkonin arë më arë ku takonin njerëzit që punonin, ju flisnin për gjendjen e përgjithëshme dhe i ftonin të merrnin pjesë në mbledhjet e fshehta, duke ju treguar vendin se ku ata duhej të vinin. Njëkohësisht u adresonin edhe thirrje atyre, që të bëheshin “…ushtarë në luftën për demokraci”. Mehmeti, ndryshe nga shumë pjestarë dhe drejtues të tjerë, e filloi bindjen dhe përfshirjen në radhët e çetës me familjarët e tij. Se vetëm kështu mund të ngjiste fjala dhe thirrja bashkëpunuese tek të tjerët. E nisi me të vëllain, Seferin, ndonëse më i madh në moshë se ai. Me Seferin kishin folur më parë edhe vetë Xhemal Brahimi me Safet Kamberin, por gjithësesi fjalët e të vëllait e bindën përfundimisht. “Unë kisha pakënaqësi, -dëshmonte Seferi në hetuesi, -por përfundimisht më bindi vëllai im, Mehmeti, që kishte 3 – 4 përgjegjësi në pushtet dhe unë e besova”. Dy kushërinjtë e parë, Mehmet Yzeiri dhe Barjam Kamberi ishin ditë e natë në lëvizje, në aktivitet.

Deri në Frashër të Përmetit kishte shkuar Mehmeti, duke sjell në gjirin e çetës, birin e kësaj zone, Xhafer Shabanin. Të gjithë ishin aktiv. Shfrytëzoheshin lidhjet dhe njohjet që kishin në fshatra e zona të tjera. Ndërkohë duhej treguar shumë kujdes për të mos rënë në sy të përkrahësve të regjimit, edhe pse shumë njerëz afroheshin vullnetarisht. Në nivelet e larta udhëheqëse kishte filluar të artikulohej kërkesa për rritjen e vigjilencës revolucionare, sipas togfjalëshit: “Hapi sytë e bëji katër!…”. Kjo kërkesë përsëritej dita – ditës, gjithnjë e më me forcë.

Objekt survejimi ishte kushdo, që shfaqte shenjën më të vogël të dyshimit, se po devijonte nga “…vija e drejtë marksiste – leniniste e partisë”. Kryetari i degës së brendëshme Tepelenë të asaj kohe, Xhezo Makshi, mund të ketë qënë viktimë e vigjilencës revolucionare të shokut të tij gjatë ndjekjes së çetës kryengritëse të Zhapokikës. U vra në rrethana misterioze në një shpellë në Kamçisht. Tregon djali i madh i Mehmetit, Pelivani, ç’i ka thënë xhaxhai i vet Seferi për këtë ngjarje: “Unë kur isha në hetuesi më akuzuan për vrasjen e Xhezos. Donin shkak që t’më pushkatonin. Po unë s’kisha asnjë lidhje, se atë ditë që është vrarë Xhezua kam qënë në Gllavë bashkë me pjestarët e tjerë të çetës sonë. Këtë gjë ua pohova dhe atyre të hetuesisë. Si mund të gjendesha në të njëjtën kohë edhe në Gllavë, edhe në Kamçisht, u thashë. Pastaj u tregova që kisha dëshmitarë Bilo Jakupin nga Rrapaj. Pasi çava rrethimin, Bilon e takova në fushë, ishte duke ujitur misrin. Bile e detyrova të shkonte në shtëpi e të merrte pak bukë, se kisha kohë pa ngrënë. E thirrën Bilon dhe ai me sa duket pohoi të vërtetën. Thoshin, se Xhezo Makashin e ka vrarë një shoku i tij nga Krahësi. Dyshonte se Xhezua mund të ishte bashkëpunëtor me çetën tonë, nga që i ishte përgjigjur në një moment atij me fjalët: “Hë, avash – avash, se i kapim, s’kanë ku shkojnë ata…!” Dhe për të humbur gjurmët e kësaj vrasjeje, fillimisht i ngritën këngë Xhezos, pastaj ajo s’u dëgjua më…”.

Po le të ndalemi pak më gjerë tek roli i Mehmet Yzeirit në krijimin dhe organizimin e kësaj çete të armatosur, që e tronditi jo pak qeverinë komuniste të Tiranës, edhe pse në të u përfshinë rreth 25 fshatarë të pashkollë e të kequshqyer si shumica dërrmuese e shqiptarëve të asaj kohe. Gjithëçka nis rreth muajit gusht të 1948-ës, kur Xhemal Brahimi, Mehmet Yzeiri dhe Barjam Kamberi shpërndahen në 3 – 4 rrethe të jugut dhe marrin takime me shumë të pakënaqur nga regjimi i ardhur në fuqi gati 4 vite më parë, me synim realizimin e një kryengritjeje të armatosur kundër pushtetit. Mehmeti u hodh edhe në zonën e Dukajt, Salarisë dhe atë të Lopësit, ku kishte kaluar disa kohë si muhaxhir së bashku me familjen. Aty arriti të tërhiqte pas vetes disa persona, ku mund të veçojmë emrat e Myfit Islamit dhe Adem Qopekut nga Salaria.

Nëse Xhemal Brahimi ishte mendja politike, Mehmet Yzeiri mund të cilësohej pa frikë koka organizuese e grupit. Ndërsa Sulo Zaimi, edhe pse ish-oficer ushtarak qysh në kohën e Zogut, u identifikua si nxitësi kryesor i rebelimit, ndonëse vetë nuk mori pjesë në çetë. Kësisoj, fshatarët po ktheheshin në ushtarë apo luftëtarë. Pavarësisht sa naive apo e pamenduar mirë mund të duket një lëvizje e tillë politike, ajo tashmë ka hyrë në histori si “Kryengritja e Zhapokikës të vitit 1948”…

Pas takimeve të ndryshme me individë të veçantë apo në grupe të vogla do të vijnë mbledhjet e zgjeruara, dhe këto të zhvilluara në fshehtësi. Drejtuesi dhe organizatori i mbledhjes së parë është Mehmet Yzeiri. Kjo mbledhje u zhvillua në vendin e quajtur Ledhi i Madh, ku merrnin pjesë edhe Barjam Kamberi, Sefer Yzeiri, Shaqo Limja dhe Salo Kasoja. Përveç të tjerash u diskutua edhe për pjesëmarrjen e sa më shumë njerëzve në mbledhjen e nesërme, ku do të vendosej krijimi i çetës “Baba Shefqet” dhe do të bëhej zgjedhja e drejtuesve të saj.  Mbledhja e dytë u mbajt tek Gropa e Fierit, me një pjesëmarrje shumë më të gjerë se mbledhja e mëparshme. Në të mori pjesë e diskutoi dhe Xhemal Brahimi, i cili deri në këto momente ndodhej në arrati. Për të ngritur entusiazmin e të pranishmëve ai fliste për gjëra të ekzagjeruara, që nuk përputheshin me realitetin. Ndoshta kjo bëhet shkak që shumë fshatarë, të cilët kishin ardhur aty dhe patën dhënë fjalën se do të ishin me grupin, më pas u tërhoqën. Kjo eufori propagandistike përfshiu deri diku edhe vet Mehmet Yzeirin, i cili duke mbështetur Xhemalin shton: “Jo vetëm ato që përmendi parafolësi, por edhe ushtria e Sazanit, diversantët e maleve, Abas Ermenji, Muharrem Bajraktari, Islam Radovicka, etj., janë në krahun tonë…”.

Atmosfera ndizet. Të pranishmit shpërthejnë në ovacione. Vendoset krijimi i çetës. Zhvillohet votimi. Komandant i saj zgjidhet Bajram Kamberi, si më i moshuari; nënkomandat – Mehmet Yzeiri dhe sekretar politik Xhemal Brahimi. Caktohen gjithashtu edhe dy anëtarët e shtabit, të cilët ishin Sefer Yzeiri dhe Salo Kaso. Ndërkohë, vëllai i Mehmet Yzeirit, Seferi caktohet dhe kryetar i skuadrës së atentatorëve me emrin “Dora e zezë”, që do vepronte kundër komunistëve ekseremistë. Më tej kalohet në betimin tradicional të zonës: një 10 lekëshe shkohet midis buzëve, dhe pas këtij riti, me ato para blihen qirinj për në faltore. Formula e betimit ishte: “Po tradhëtove, plumbi kokës të pret”! Çeta do të kishte himin e saj sipas vargjeve të baba Shefqetit (një pjesë mendojnë se këto vargje i ka shkruar baba Ali Skëndi) për malin e Tomorrit, i cili simbolizon qendrën atdhetare bektashiane: “Ejani o popull, mblidhuni me ne/ O baba Tomori lësho një rrufe/ Armët ne i kemi fshehur nën dhé/

Do të bëjmë luftë, flakë e batare/ Siç luftoi më pallë trimi Skënderbe”. Gjithashtu çeta i caktoi vehtes si detyrë, që të lidhej me grupet e tjera antikomuniste kudo që ndodheshin në Shqipëri dhe të luftonte derisa në pushtet të vinte një qeveri demokratike. Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, krerët e zgjedhur shkojnë në lagjien Keçerisht, ku priten si shpëtimtarë prej banorëve të saj. Kudo hapen dyertë për ta, u ofrohet strehim dhe ushqim. Ndërkohë Xhemali zhvillon një mbledhje në lagjen Mukaj të Luftinjës, duke grumbulluar rreth vetes të tjerë burra me armë në dorë për të luftuar. Destinacioni i radhës ishte Kamçishti, ku përkrahës të rebelimit i ftojnë krerët e çetës të bëjnë takime me banorët e këtij fshati.

Mbledhja zhvillohet në vreshtin e Halil Sulos dhe zgjati plotë dy orë. Si mbarojnë mbledhjen ikin natën dhe ngjiten në malin e Izvorit. Ndërkohë policia e Tepelenës i ishte drejtuar Kamçishtit, në duartë e së cilës kishin rënë dy nga pjestarët e kësaj çete mbetur në fshat. Në ndihmë u vijnë shokët e tyre, që kthehen mbrapsht dhe fillon përplasja me policinë, e cila thyhet dhe tërhiqet. Për t’ju shmangur një përplajse të dytë me policinë, çeta merrë me vete edhe dy pjestarët e liruar dhe ngjiten në malin e Rabijes. Ishte data 2 tetor. Orët shkojnë mbi ankthin dhe pasigurinë. Të nesërmen, në datën 3 zbresin në Allkomemaj. Policia i ndjek këmba – këmbës. Forcave ushtarake dhe atyre policore të Tepelenës, u vijnë në ndihmë ato të Beratit, të drejtuara nga toger Sulo Gradeci, që më vonë do të bëhej shef i sigurisë së Enver Hoxhës. Në duratë e këtyre forcave fillimisht bie “prapavija e çetës”, duke bllokuar kështu mundësinë e furnizimit të anëtarëve të saj me ushqime, strehim e armatime.

Në radhët e çetës kryengritëse ka filluar demoralizimi, dezertimi, zhgënjimi… Është data 8 tetor, në Shkozë të Gllavës. Efektivi i çetës ishte reduktuar ndjeshëm. Gjithësej, kishin mbetur 5 vetë, ata më të betuarit:  Mehmet e Sefer Yzeiri, Xhemal Brahimi, Shaqo Muçodemaj dhe Salo Kaso. Luftuan derisa i hodhën gjithë bombat dhe i zbrazën tërë fishekët që kishin me vete. Dy prej tyre, Salo Kaso dhe Mehmet Yzeiri mbetën të vrarë, tre të tjerët marrin arratinë. Kufomat e dy të varëve, forcat e policisë e të ushtrisë, me urdhër nga lart, i ngarkojnë në mushka dhe i lënë disa ditë në anë të rrugës nacionale tek shkolla e Gllavës për të tmerruar njerëzit. Pastaj i groposin po aty si të dënuar, larg varrezave të tyre familjare. Tregojnë, se disa ditë më vonë pati një tentativë nga Hysni Cenua, i afërm i Salos, që shkoi për ta marrë kufomën e tij e ta varroste në Didaj. Madje e solli deri afër fshatit, por u njoftua policia për këtë veprim, e cila e detyroi Hysniun ta rivarroste sërish kufomën atje në Gllavë…

Ngjarjet që pasuan “Kryengritjen e Zhapopikës” janë pa fund, por ne po përqendrohemi vetëm tek figura e Mehmet Selës. Pas vrasjes së tij, vuajtjet dhe problemet u mbetën tre fëmijëve jetim, ku më i madhi ishte Pelivani, vetëm 9 vjeç. Motra dhe vëllai i tij, Nalua me Selmanin; ishin respektivisht 5 dhe 1 vjeç. Por në saj të kujdesit të gjyshit dhe gjyshes së tyre ata u rritën, ndonëse me vështirësi të jashtëzakonshme dhe të përbuzur si “fëmijë armiku” nga shoqëria e kohës. Tregimet e Pelivanit në këtë drejtim janë rrënqethëse: “Nuk u thoshim dot as “Mirëmëngjes!” të tjerëve, jo vetëm se s’na përgjigjeshin, por na fyenin. “E njeh veten, se kush je”, të thoshin. “Je i biri i armikut”. Sidoqoftë, pavarësisht etiketimeve, epiteteve dhe keqtrajtimeve, ata mbijetuan dhe krijuan familjet e tyre me plot fëmijë, nipër e mbesa. Mjafton të kujtojmë se të tre pasardhësit e Mehmetit, lindën e rritën 20 fëmijë, nga të cilët dymbëdhjetë Nalua, pesë Pelivani dhe tre Selmani…
Mbase diktatura kishte bërë llogari të tjera, që ta ndërpriste me vrasjen e Mehmetit zinxhirin e trashëgimisë së këtij fisi. Sepse ajo nisej nga instikti i mbijetesës, jo nga parimi i bashkëjetesës, që lidhet me vlerat dhe virtytet njerëzore. Pikërisht me ato vlera, virtyte dhe ideale për të cilat Mehmet Yzeir Sela deri gjakun në moshën më të bukur të jetës, kur sapo kishte mbushur 33 vjeç.