Ballina Kosovë Në 4 komunat në veri të Kosovës votohet sot për shkarkimin ose...

Në 4 komunat në veri të Kosovës votohet sot për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë

28
0

Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, do të votojnë sot nëse duan t’i shkarkojnë kryetarët aktualë komunalë.

Qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin-Potok dhe Zveçan u hapen nga ora 7 e mëngjesit.

Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në konferencën e parë për media, bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur.

Ato do të mbyllen në orën 19:00.

Elezi tha se “mund të ketë pasur ndonjë vonesë teknike në hapjen e ndonjë vendvotimi”, por shtoi se kjo është gjë e zakonshme.

Kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Zubin-Potokut, Leposaviçit e Mitrovicës së Veriut i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.

Në votimin e së dielës, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të kenë mundësi që të vendosin nëse duan që komunat e tyre të drejtohen nga kryetarët aktualë apo jo.

Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviçit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.