Ballina Bota Sanksionet e reja të perëndimit dhe konflikti me Izraelin, a e përballon...

Sanksionet e reja të perëndimit dhe konflikti me Izraelin, a e përballon dot Irani ekonomikisht luftën?

29
0

Në një kohë që SHBA dhe BE duan sanksione të reja kundër Teheranit, vetë vendi do të bjerë në sy me lajme suksesi, si psh. lajmi se Irani ka arritur të shesë naftë më shumë se kurrë më parë në gjashtë vitet e fundit. E kjo megjithë sanksionet e SHBA, që vendosi në vitin 2018 presidenti Trump. Ministri iranian për Naftën, Javad Ovji bëri të ditur në mars, se eksportet e naftës kanë sjellë më shumë se “35 miliardë dollarë” në arkën e shtetit iranian. “Armiqtë e Iranit” duan të ndalin eksportet tona të naftës, por sot ne mund të eksportojmë naftë ku të duam, dhe këtë me oferta shumë të mira, ka cituar Financial Times ministrin iranian.

Miliarda të ardhura janë shumë të rëndësishmë për vendin që të sigurojë paqen e brendshme sociale. Një pjesë e madhe e popullsisë i vuan drejtpërdrejt pasojat e sanksioneve ndërkombëtare, ato kanë sjellë rënien e fortë të valutës së vendit, rial dhe kanë rritur inflacionin, deri në 40%.

Profesori i ekonomisë në universitetin amerikan, Virgina Tech, Djavad Salehi-Isfahani, thotë për DW, se ashpërsimi i konflikteve gjeopolitike po ushtron një presion të ri ndaj valutës iraniane duke e zhvlerësuar edhe më shumë atë kundrejt dollarit amerikan. Në muajt e fundit rial humbi 25% të vlerës kundrejt dollarit. “Ky zhvlerësim i kursit të këmbimit reflektohet shpejt në çmime shumë më të larta, sepse Irani importon shumë mallra.” Sipas Salehi-Isfahani, Irani duhet të përgatitet për një periudhë të gjatë me inflacion të lartë.