Ilir Meta në një konferencë në mediat në Shkodër ka lëshuar sërish akuza ndaj kreut të SPAK Altin Dumani. I pyetur nëse i druhet arrestimit, Meta është shprehur se nuk ka frikë nga një prokuror që i merret goja dhe që merr urdhra nga qeveria.
“Nuk bëj presion ndaj askujt, unë them të vërtetën, aq më pak t’i druhem arrestimit nga një prokuror që i bindet Ëngjëll Agaçit, për shkak të aferave. Një prokuror që kërcënoi Arben Ahmetaj që të mbyllte gojën. Nuk i druhem një prokurori që i merret goja që s’di të thotë dy fjalë. Partia e Lirisë është në një rritje të papërmbajtshme, Ramaformën do ta hedhim në Lanë. Metamorfoza nuk hetohet në kohë por pas zgjedhjeve, sepse ashtu interesonte për të vjedhur votat në Shkodër.”
I pyetur për një izolim të tij me ndërkombëtaret, Meta është shprehur se po shijon lirinë e tij duke takuar qytetarët të thjeshtë dhe jo ndërkombëtarë të kapur siç i quan ai.
“Jam aq i lumtur në lirinë time dhe në takimet e mia me Nëne Selvinë, me Ijen sot ne Bubq, e plot njerëz ndaj të cilëve Ilir Meta ka detyrime. Ilir Meta është i lodhur nga takimet me ndërkombëtarët, Rama është i vonuar, të gjithë ndërkombëtarët e dinë që Ëngjëll Agaçi është tutori i reformës në drejtësi”, shtoi ai.
Por gjatë konferencës në Shkodër, ai foli edhe për konventën e 27 Prillit, ku deklaroi se ka një program ambicioz me 5 shtylla kryesore të cilin do ta përqafojnë shqiptarët.