Ballina Opinion Puna edukative dhe roli i mësuesit

Puna edukative dhe roli i mësuesit

253
0

Nga Muharrem Pashnjari 

Puna edukative në shkollë është një rubrikë mjaftë e rëndësishme e kurrikulës shkollore, e nga ana tjetër, sot ajo përbën një sfidë për mësuesin.Aktualishtë puna edukative në shkollë është e konvertuar me 2 orë/mësimi në javë për llogari të ngarkesës mësimore, por në optikën tonë gjykojmë se është e pamjaftueshme.Në mënyrë të veçantë puna edukative në shkollë për klasat VIII-XII përbën një shqetësim të madh për mbarëvajtjen e një procesi normal mësimor e edukativ.Që në rrjeshtimin e shkollës, mjediset e brendshme të saj si, klasë, koridore, tualete, në lojërat e ndryshme që zhvillojnë me njëri-tjetrin etj, dëgjon përdorimin nga nxënësit të një fjalori mjaftë të rëndomtë, fjalë e shprehje fyese e diskriminuese, demonstrohen trajtat më ulëta të bullizmit, etj.Të gjitha këto në gjykimin tonë vijnë nga qëndrimi i fëmijëve në rrjetet sociale, komunikimi i tyre me persona të kulturave e sjelljeve të ndryshme që për rrjedhojë i importojnë dhe i implementojnë dhe në komunikimin e përditshëm në shkollë.Rrjetet sociale janë burimi, ku nisin zënkat e vogla dhe më pas degjenerojnë deri në përplasje fizike.Sot, shumë shtete në botë po ndërmarrin nisma ligjore lidhur me kufizimin e kohës së qëndrimit të fëmijëve në rrjetet sociale, kjo pas sudimeve të bëra nga ekspertë të fushës, të cilët kanë arritur në konkluzionin se rrjetet sociale, veçanërisht qëndrimi pa limit në ta, reflektojnë tek fëmijët e adoleshentët energji me pasoja negative.Prandaj është shumë e rëndësishme që puna edukative në shkollë të funksionojë si një e tërë, dhe e shtrirë jo vetëm brenda shkollës, por dhe jashtë saj.Shkolla është institucioni që ka si mision të ofrojë dije të qëndrueshme për nxënësit dhe një botëkuptim të qartë për karrierën, të edukojë breza që të mund të integrohen lehtësisht në shumëllojshmërinë e kulturave lokale e globale dhe respektimin e secilës prej tyre.Është detyrim ligjor i mësuesit të ndjek me vëmendje klasën nën kujdestari gjatë gjithë ditës, që në momentin që nxënësi futet brenda rrethimit të shkollës, në rrjeshtimin e saj, në klasë, në orën edukative, në pushimin e shkurtër apo atë të gjatë dhe të trajtojë me klasën çdo fenomen negativ që vëren.Në klasë të kultivohet kultura e mendimit kritik për fenomene që dëmtojnë imazhin e shkollës, që cënojnë lirinë dhe integritetin e secilit nxënës e mësues.Pas çdo ngjarje të shëmtuar të ndodhur e të publikuar në media shkolla duhet të reagojë dhe reflektojë nëpërmjet një analize edukative me të gjitha klasat dhe të dalë me komunikatë e qëndrime të qarta, duke i dënuar bashkërisht si fenomene të rrezikshme për shoqërinë tonë.Komunikimi me kujdesin prindëror përbën një tjetër tematikë që mësuesi kujdestar duhet ta marrë në konsideratë dhe ta vlerësojë seriozisht.Në përgjithësi prindërit shprehin gadishmërinë e tyre të bashkëpunojnë me mësuesin për çështje të tilla të mprehta e delikate, ndaj është detyrë e mësuesit vendosja e kontakteve të rregullta e të vazhdueshme me kujdesin prindëror, duke i dëgjuar me vëmendje për çfarë ata kanë në lidhje me cilësinë e mësimdhënies apo nxënies për fëmijët e tyre, të diskutojnë gjithashtu brenda etikës lidhur me problematika të sjelljes së fëmijëve dhe mbi rrugët, se si mund t’i përmirësojnë ata në të ardhmen.Komunikimit fizik me prindin sot i shtohet dhe komunikimi virtual për çështje në interes të fëmijës, duke e mbajtur të informuar vazhdimishtë atë nëpërmjet bisedave audio, sms-ve, fletëpalosjeve, etj.I qëndrojmë bindjes se mësuesi, luan rol vendimtar në edukimin e fëmijës, madje ka raste, kur mësuesi krijon aq afrimitet me nxënësin, sa që ky i fundit i shprehet atij hapur dhe për gjërat më të ndjeshme, më sensitive që ai përjeton në shkollë dhe familje, ndaj ka shumë rëndësi që mësuesi t’i qëndrojë afër klasës, të fitojë respektin e nxënësve, dashurinë e tyre, t’i dëgjojë me durim ata për çdo shqetësim që ata kanë, sepse vetëm në këtë mënyrë nxënësit do të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për të ardhmen e tyre dhe sfidat që i presin përpara.

Muharrem Pashnjari, shkolla 9-vjeçare Hamallaj.