Qyteti italian i Milanos po propozon një ligj të ri për ndalimin e akullores pas mesnate, në një përpjekje për të mbrojtur “qetësinë dhe shëndetin” e banorëve.
Një dokument fillestar legjislativ është depozituar nga pushteti vendor i qytetit. Nëse miratohet, ligji i ri mund të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm dhe të zgjasë deri në nëntor – diçka për të cilën shitësit vendas nuk do të jenë më të kënaqur, duke pasur parasysh se ata janë mësuar të shesin akullore vonë natën si pjesë e kulturës italiane.
Propozimi do të ndalonte të gjitha ushqimet e gatshme, duke përfshirë picën dhe pijet, pas orës 12:30 të mëngjesit gjatë ditëve të javës dhe 1:30 të mëngjesit gjatë fundjavave dhe festave publike – të gjitha në një përpjekje për të shmangur grupet e zhurmshme që grumbullohen në rrugë dhe mbajtnë banorët lokalë të zgjuar.
Ndalimi do të jetë në fuqi në 12 nga rrethinat e Milanos – duke përfshirë rrethet qendrore të Brera dhe Ticinese, si dhe Darsena, Lazzaretto, Corso Como dhe zonat e njohura të jetës së natës të Arco della Pace dhe Navigli.
Muajin e kaluar, kryebashkiaku Giuseppe Sala deklaroi se “një pjesë e konsiderueshme e popullsisë po ankohet për zhurmën e tepërt”.
“Në rolin tim duhet të dëgjoj të gjithë qytetarët, përfshirë ata që duhet të punojnë dhe ata që duan të bëjnë biznesin e tyre”, shtoi Sala.
“Ne po kërkojmë një ekuilibër mes socialitetit dhe argëtimit, paqes dhe shëndetit të banorëve dhe aktivitetit të lirë ekonomik të tregtarëve dhe sipërmarrësve”, shkroi në Facebook Marco Granelli, nënkryetari përgjegjës për sigurinë.