Ballina Politika Ilir Metës i del rivali në garën për president partie – Një...

Ilir Metës i del rivali në garën për president partie – Një ish-polic, përballë një ish-peshëngritësi

42
0

Tre ditë para Konventës së Partisë së Lirisë, Ilir Meta duket se ka gjetur rivalin e tij për postin e presidentit të PL-së. Në të gjithë këtë situatë duket se ka ndikuar edhe stërvija e publikuar ditet e fundit nga vetë Meta qe ka trembur rivalët e tjerë.

Kandidimi i anëtarit të Kryesisë së PL-së Faik Basha dhe njëherësh kryetarit të degës në Kamëz, u njoftua zyrtarisht nga Partia e Lirisë këtë të mërkurë, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen të shtunën në Konventën Kombëtare të 27 prillit.

Deri para shpalljes së kandidaturës së Faik Bashës, Meta ishte i vetmi kandidat për president të partisë së Lirisë, ndërsa deputeten Erisa Xhixho e përmendte gjithmonë si kandidate për zëvendëspresidente të partisë. Në një deklaratë për mediat në Vlorë, Meta reagoi për kandidaturën e Faik Bashës.

“E përshëndes për shpirtin e garës, shpirtin e garës e kemi të lindur. Sa më të fortë i kemi konkurrentët, aq më të mirë bëhemi. Do të fitojmë pa doping”,- tha Meta.

“Jemi në këtë komunikim të drejtpërdrejtë, për t’ju njoftuar se pranë Departamentit të Organizimit të Partisë së Lirisë është depozituar sot zyrtarisht kërkesa e anëtarit të Kryesisë së Partisë së Lirisë, njëkohësisht Kryetar i Partisë së Lirisë në Bashkinë e Kamzës, Z. Faik Basha, për të kandiduar për funksionin e Presidentit të Partisë së Lirisë, në Konventën Kombëtare të datës 27 prill 2024.

Z. Faik Basha ka kryer studimet e larta në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” dhe për shumë vite ka kryer me sukses dhe integritet të lartë moral dhe profesional, detyra shumë të rëndësishme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku ndër të tjera vlen të përmendim:

– Komandant i Kompanisë së Ruajtjes dhe Sigurisë në Batalionin e Xhenios;

– Shef i Regjimit të Brendshëm dhe të Jashtëm në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale;

– Shef Policie në IEVP Peqin; si dhe

– Drejtor i Policisë Bashkiake Kamëz.

Aktualisht, ai është Kreu i Grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak Kamëz.

Duke i uruar Z. Faik Basha shumë suksese në garën për President të Partisë së Lirisë, u jemi të lutur të gjithë anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar që dëshirojnë të kandidojnë në Konventën Kombëtare për postet e: President i Partisë së Lirisë, ZëvendësPresident i Partisë së Lirisë, të paraqesin me shkrim kërkesën e tyre dhe një CV. pranë Departamentit të Organizimit në selinë e Partisë së Lirisë, deri ditën e sotme, ora 23:00”,- njoftoi Silva Caka.