Senati amerikan ka miratuar me shumicë dërrmuese votash ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, duke e çuar projekt-ligjin një hap më pranë nënshkrimit, pas muajsh vonesash dhe debatesh të brendshme mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.
Projektligji u miratua mbrëmjen e së martës, 23 prill, me79 vota pro dhe 18 kundër. Tashmë pritet nënshkrimi nga Presidenti Joe Bide. Nga kjo paketë e sigurisë që u miratua, 60 mld dollarë do të shkojnë për Ukrainën.
Biden tha se sapo ligji të shkojë në tavlonën e tij do ta nënshkruajë dhe këtë javë do të nisë dërgimi i armëve të para në Ukrainë.
“Unë do ta nënshkruaj këtë projektligj dhe do t’i drejtohem popullit amerikan sapo të vijë në tryezën time nesër, kështu që ne mund të fillojmë të dërgojmë armë dhe pajisje në Ukrainë këtë javë,” tha Presidenti i SHBA Joe Biden.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka falënderuar senatorët amerikanë që kanë votuar pro paketës së ndihmës, duke thënë se është kyçe për vendosjen e paqes.
“I jam mirënjohës Senatit të Shteteve të Bashkuara për miratimin e ndihmës jetike për Ukrainën sot, falënderoj liderin e shumicës Chuck Schumer dhe udhëheqësin republikan Mitch McConnell për udhëheqjen e tyre të fortë në avancimin e këtij legjislacioni, si dhe të gjithë senatorët amerikanë që votuan pro.
Ky votim forcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe lider i botës së lirë. U jam gjithashtu mirënjohës të gjithë amerikanëve që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe pranojnë se rëndësia historike e këtij projektligji shkon përtej politikës. Artileria dhe mbrojtja ajrore janë mjete kyçe për rivendosjen e shpejtë të paqes.”
Dhoma e Kongresit miratoi projekt-ligjin të shtunën e 20 prillit përmes katër votimesh, duke e dërguar në Senat për miratim përfundimtar. Miratimi i ndihmës prej 60 miliardë dollarësh vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar ofensivën.
Projekt-ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për të përforcuar mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.