Këto ditë u liruan nga burgjet rreth 700 të burgosur si rezultat i amnistisë së miratuar kohët e fundit në parlament. Padyshim që kjo nuk është anmistia e parë, dhjetra të tilla janë realizuar në 34 vite të pluralizmit politik. Nisi me amnistinë e të burgosurve politik në vitin 1991 për të vazhduar me të tjera në kohë e rrethana të ndryshme. Nga punimet e kuvendit gjejmë se në vitin 1991, nëpër burgjet e Shqipërisë ndodheshin afërsisht një mijë të burgosur. Sapo kishte rënë diktatura dhe parlamenti i parë pluralist po diskutonte në seancë plenare amnistinë për të dënuarit politik gjatë diktaturës. Një prej deputetëve të kuvendit të asaj kohe, Naim Karriqi, parashtroi një propozim që bashkë me të dënuarit politik të liroheshin nga burgjet edhe të tjerë të dënuar për krime ordinere pasi Shqipëria po niste një etapë të re në histori dhe sipas deputetit, edhe këta të burgosur duhet të kishin shansin të nisnin nga fillimi. Ky propozim u mbështet edhe nga deputetë të tjerë, ndër të cilët edhe Dritëro Agolli. Më poshte sjellim për lexuesin propozimin e Karriqit dhe reagimin e Agollit.
Naim Karriqi – I nderuar kryetar i seancës,
Të nderuar deputetë,
Unë nuk dëshiroj të futem në këtë analizë si kompetent e specialist, mbasi nuk jam, por dua t’ju kujtoj këtu se në burg ka qenë gjithë populli shqiptar, ndërsa të dënuar kam mendimin që kanë qenë të masakruarit, të gjakosurit, të përdhunuarit e popullit shqiptar. Për këtë duhet të jemi të gjithë në një mendje, nuk duhet t’ia falim sistemit dhe diktatorit që kemi pasur në krye, Enver Hoxhës.
Unë më tepër e kam marrë fjalën për një problem që më ka shqetësuar këto ditë. Kam qenë në kampin 314 Bardhorë, ku mora takim me të dënuarit e atjeshëm për një ngjarje të jashtëzakonshme që kishte ndodhur. Kuptohet se ishte një provokacion që kishin bërë organet atje. Këtë e vërteton fakti që drejtoria e përgjithshme e burgjeve largoi të gjithë personelin drejtues për atë incident që u kishin bërë të burgosurve.
Në këtë moment historik të krijimit të sistemit demokratik, të një shteti juridik, të burgosur janë në tërë vendin. Ne si popull jemi të dëshiruar që në këtë moment të mos kemi asnjë të dënuar dhe themi që këtë shans historik që po i jepet popullit shqiptar me sistemin demokratik që po ndërtojmë t’ua japim edhe këtyre vetave, pra t’u japim shansin historik dhe riskun për t’u korrigjuar, ose edhe një herë shpresën për t’u bërë qytetarë të ndershëm të demokracisë.
Mendoj se është në nderin e këtij Parlamenti dhe të vetë Qeverisë së Stabilitetit që të nxjerrin një ligj jashtë këtij projektdekreti, për të falur këta veta, për t’u dhënë edhe një herë, siç thashë, shansin historik që të vijnë në shtëpitë e tyre, të kthehen dhe ata në qytetarë të ndershëm për të kontribuar si dhe ne në emër të demokracisë.
Për këtë gjë kisha marrë legjitimitetin për të folur në këtë seancë, pa dashur të vonohem, pa dashur të bëj gjithë ato objeksione që bëjnë zotërinjtë këtu: jo dëshmorët, jo ata. Ta kemi të qartë, ne jemi Parti Demokratike, jemi edhe familje dhe fëmijë-pasardhës të dëshmorëve. Unë që flas këtu jam me një dëshmor në familje dhe gjakun e tyre ne si Parti Demokratike do ta ngremë më lart në altarin e demokracisë.
Na përdhunosën ata që ne do t’i shpallim tani të paligjshëm, ata që e vodhën, që e shkatërruan, që morën nëpër këmbë ndjenjat e këtij populli. Dhe ne vetë që jetojmë si varfanjakë jemi në këtë popull. Askush nga ne nuk ka marrë djersën e vet, kudo që ka punuar dhe luftuar. Dhe këtë e themi kudo që jemi. Prandaj mendoj të mos merremi me këto debate, sepse populli na dëgjon dhe nuk është e hijshme. Ne jemi për kombin shqiptar.
Edhe një herë ju bëj thirrje që në këtë moment t’i falim këta veta të dënuar dhe t’u japim edhe atyre shansin historik. Falemnderit!
Aleksandër Meksi – Fjalën e ka deputeti Dritëro Agolli.
Dritëro Agolli – Unë e mbështes dhe jam shumë dakord me Naim Karriqin që kjo amnisti të përfshijë edhe këta veta të tjerë që janë nëpër burgje. Pse e them këtë? Të dalin edhe ata që janë në burg, të fillojë një periudhë e re edhe në burgjet tona. Dhe ata që do të hyjnë më vonë nëpër burgje të mendohen shumë, se fillon periudha e demokracisë. Këta kanë hyrë që përpara nëpër burgje. Më mirë do të jetë, mendoj unë, që amnistia t’i lejojë të gjithë këta që të dalin nga burgjet dhe pastaj t’u japim një shans të tillë këtyre njerëzve që ta mendojnë shumë dhe ai që hyn në burg ta meritojë. Pse të mos e bëjmë këtë gjë? Të fillojë një periudhë tjetër edhe për këta./TemA