Sekretari i të majtës italiane Nicola Fratoianni ka bërë një reagim të fuqishëm, në lidhje me atë që konsideron si ndërhyrje të kryeministrit Edi Rama në lirinë e shtypit në vendin fqinj. Fratoianni, që është deputet dhe sekretar i së majtës italiane, është shprehur se Rama duhet ta dijë se Italia është vend demokratik, ku respektohet dhe mbrohet liria e shtypit e informacionit dhe nuk pranohen ndërhyrjet.
“Në një vend demokratik respektohet dhe mbrohet liria e shtypit dhe informacionit. Gjithmonë, jo kur është e përshtatshme. Këtë ia them kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka mësuar aq shumë nga Italia për të kopjuar metodat e Tele-Melonit edhe përtej kufijve të saj”, shprehet Fratoinanni.
Reportazhi i emisionit ‘Report’ në “Rai 3”, i publikuar mbrëmjen e 21 prillit ka bërë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Për realizimin e reportazhit, gazetari italian Giorgio Mottola ka vizituar edhe Shëngjinin ku do të ndërtohen edhe qendrat e pritjes së emigrantëve nga Italia. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës.