Gazetari Adriatik Doçi i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për proceset gjyqësore të hapura ndaj kreut të PL-së, Ilir Metës, bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, marrëdhënien mes Metës dhe Berishës, arratisjen dhe akuzat ndaj Arben Ahmetajt dhe shumë çështje të tjera.
Ndërsa fliste për marrëdhënien mes Berishës dhe Metës, të dy me gjyqe të hapura në SPAK, gazetari foli edhe për një video, me të cilën kreu i PL-së ka kërcënuar më parë dhe kërcënon ish-kryeministrin Berisha.
“Berisha po distancohet nga Ilir Meta, që mos e bashkojë hallin e tij me hallin e Metës. Sepse halli i Metës është shumë më i madh. Nëse Berisha akuzohet për një episod korruptiv që i ka kaluar dhëndrit ish-klubin e Partizanit, për të ndërtuar, Ilir Meta është nën hetim për pastrim parash dhe akuza të tjera, korrupsion, fshehje pasurie, ka disa dosje të hapura për të. Nuk besoj që Berishës i intereson që të bashkojnë hallet dhe të vazhdojnë luftën kundër SPAK-ut. Mos harrojmë që Meta e shantazhon herë pas herë Sali Berishën. E ka shantazhuar edhe më parë. Fillimi i shantazhit ka nisur që në 2015-ën.