Sot ne kemi 70 përqind të qytetarëve të vendit që kanë llogari bankare, në krahasim me tre-katër vite më parë, që kemi patur vetëm 40 përqind të tyre. Ky numër vjen në rritje, ndërkohë që dhe transaksionet financiare, transfertat dhe shërbimet e tjera financiare, janë rritur konsiderueshëm për qytetarët shqiptarë, nëpërmjet bankave. Deri tani, objektivat e Strategjisë Kombëtare të Bankës së Shqipërisë, të Pagesave me Vlerë të Vogël 2018-2023, janë arritur të gjitha dhe në disa raste, janë tejkaluar. Objektivi i synuar të Strategjisë prej 10 pagesash elektronike për banor deri në fund të vitit 2023 u tejkalua që vitin 2022, kur arriti 16 pagesa për frymë.
Pagesat me kartë dhe ato “homebanking” (shërbimet bankare elektronike nga shtëpia) gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, ndërkohë që dhe nga pikëpamja e përfshirjes financiare zhvillimet duken mjaft inkurajuese. Volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit 2019-2023, duke shënuar një ritëm mesatar rritës prej rreth 40 përqind në vit. Aparatet që na lejojnë të blejmë mallra dhe shërbime përmes kartës së debitit apo kreditit bankar gati janë dyfishuar në dyqane, hotele, bare, restorante, etj. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët tanë, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë.
Tremujori i parë i këtij viti janar-mars 2024, ka treguar një rritje të përshpejtuar me 36 përqind, ose rreth 18 mijë transaksione më shumë, edhe të pagesave të procesuara përmes sistemit “AIPS EURO”, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Ky zhvillim dikton dobishmërinë e lartë të këtij sistemi në kuadër të efikasitetit dhe kursimit në ekonominë shqiptare, një kursim që përllogaritet përafërsisht 11 milion euro vetëm për këtë tremujor të parë. Zhvillimet pozitive të sistemit “AIPS EURO”, por dhe rritja e konsiderueshme e pagesave elektronike gjatë vitit të fundit dhe në muajt e parë të këtij viti, po reflektojnë materializimin gjithnjë e më të madh të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, duke sjellë një shtim të konsiderueshëm të qasjes së qytetarëve në financë. Në vitin 2023, kemi një rritje të konsiderueshme të popullsisë mbi 18 vjeç, që zotëron një llogari bankare, në masën 78%, nga rreth 68% që kjo shifër ishte në vitin 2021.
Ndërkohë, shtim të fortë kanë pësuar edhe llogaritë e parasë elektronike në vitin 2023, duke e çuar përfshirjen financiare të popullsisë në nivelin 85 përqind. Zbatimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili ka nisur nga 1 prilli 2024, do të kontribuojë në përfshirjen akoma dhe më të madhe financiare të popullsisë në Shqipëri, në nivele të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian. Kohët moderne kanë sjellë edhe disa rreziqe për qytetarët, në punën e tyre me bankat. Këto rreziqe vijnë nga digjitalizimi dhe nga pagesat online dhe mirë është që të gjithë qytetarët e, në rradhë të parë të rinjtë, të kenë një informacion sa më të plotë për rreziqet dhe të mos bien pre e hakerimit dhe e të gjitha e-mail-eve që janë “fishing”, për t’ju marrë kursimet e tyre. Ky është një informacion Banka e Shqipërisë po e përpunon, për t’jua shpërndarë të rinjve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Po në bashkëpunim me këtë ministri, po punon për një lëndë, që titullohet “Financat Personale në duart tuaja”.
Banka jonë qendrore po përpiqet të shpjegojë se si duhet të jetë një buxhet familjar, pasi çdo njeri në stadet e ndryshme të jetës, që kur është fëmijë e derisa rritet, e ka të nevojshme të ketë një informacion bazik financiar, për të menaxhuar kursimet dhe depozitat e tij. Banka e Shqipërisë dha në aktivitetet për Javën Botërore të Parasë informacion bashkëkohor, duke përcjellë mesazhin se zhvillimet e sotme kanë rritur edhe rreziqet.
Edukimi financiar nuk është vetëm për informacionin bazik që duhet qytetari të marrë kur është fëmijë dhe në rini. Aktivitetet dhe botimet e veçanta edukative të përgatitura nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, kanë tre objektiva kryesorë: prezantimin e rolit dhe funksioneve të bankës qendrore tek publiku, kultivimin e përforcimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare, si dhe nxitjen e përfshirjes financiare. Banka qendrore synon uljen e kostove të qytetarëve në veprimtarinë e tyre me bankat dhe rritjen e njohurive financiare të tyre.