Ballina Aktualitet Godina e burgut të vjetër në Durrës, BIRN ngre shqetësimin mbi rrënimin...

Godina e burgut të vjetër në Durrës, BIRN ngre shqetësimin mbi rrënimin e saj: Qindra qytetarë u mbajtën të izoluar brenda mureve të këtij burgu, banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm

92
0

Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm. Menjëherë pas përfundimit të luftës, qindra qytetarë u mbajtën të izoluar brenda mureve të këtij burgu, si të hetuar apo të burgosur politikë.

Mjaft prej tyre patën një fund të dhimbshëm, por e kaluara dramatike e kësaj ndërtese gjatë viteve të komunizmit duket se po fshihet nga kujtesa.

Arkitekti Artan Kacani tha për BIRN se godina  është ngritur në periudhën osmane dhe që në fillim ka patur të njëjtin funksion, si burg.

Gjatë 10-vjeçarit 1945-1954 në godinën e burgut, që u njoh zyrtarisht me emërtimin Kampi nr 7, u mbajtën mbi 300 të dënuar apo njerëz nën hetim.

Kacani shtoi se ndërtesa njëkatëshe me përmasa 24 metra me 16 metra mund të kthehet në një muze të sakrificave njerëzore gjatë asaj periudhe të zymtë, por edhe si pjesë e historisë.

“Do të ishte një muze alternativ i atij që pritet të ngrihet në Spaç, me të njejtin qëllim,” tha Kacani, duke shtuar se tashmë ka disa guida që e kanë future “burgun e vjetër” të Durrësit në hartën e vizitave turistike.

“Ndodhet thuajse në qendër të Durrësit dhe mund ti shtohet hartës së monumenteve historikë pranë tij,” shtoi arkitekti durrsak.

Gjatë viteve të para të diktaturës komuniste, në Durrës janë shfrytëzuar edhe banesa të tjera private, shumë më të vogla, për hetimet dhe torturat ndaj atyre që konsideroheshin “armiq të pushtetit” apo “të dyshuar” si të tillë.

Anton Bonati, tha për BIRN se xhaxhai i tij, imzot Jul Bonati, drejtues i komunitetit katolik të Durrësit , u mbajt fillimisht nën hetim në një godinë në bulevardin kryesor, e cila nuk ishte e vetmja në qytet ku kryheshin tortura.

“Në fund fare xhaxhain e transferuan në godinën e spitalit psikiatrik, apo çmendinës siç njihej në Durrës,” tha Bonati, duke shtuar, se në vitin 1951 kleriku i shquar vdiq në mënyrë tragjike mes të sëmurëve.

Rrugica pranë godinës së ish-burgut sot është e qetë.

Dy gra të moshuara na tregojnë se tashmë zona është mbushur me godina të reja, dhe thuajse askush nuk kujtohet më për muret e burgut, që janë mbuluar nga ferrat.

Pak metra më tej ngrihet muri rrethues i Mauzoleut të Dëshmorëve, ku pushojnë eshtrat e mbi 150 dëshmorëve me gjithë respektin e merituar.

Kompleksi i projektuar nga ing. Kristo Sotiri është ndërtuar në vitin 1949, thuajse e njëjta kohë kur shumë pranë tij, pas hekurave të burgut vuanin dhjetëra e dhjetëra qytetarë “kundërshtarë të regjimit”.

“Do të ishte me vend, që pranë mureve të burgut të vjetër të vendosej të paktën një memorial kujtese, me disa të dhëna që kujtojnë sakrificat e të dënuarve,” tha për BIRN Aleksandër Cangonja.

Studiuesi Cangonja shtoi se për këtë qëllim, bashkë me një grup veprimtarësh shoqërorë, ata po përgatisin një kërkesë drejtuar bashkisë së qytetit.

“Kompleksi i mauzoleut të dëshmorëve, është një simbol i lirisë dhe kujtesa për godinën e vjetër të burgut do të kishte të njëjtën vlerë, atë të emblemës së lirisë,” tha Cangonja.

“Myftiu i Durrësit, Mustafa Varoshi ishte vetëm 50 vjeç, kur vdiq nga torturat dhe sëmundja në Burgun e qytetit, ku për vite me radhë predikoi paqen dhe mirësinë.

Shkrimtari dhe kritiku Arshi Pipa ka sjellë vite më parë një dëshmi të rëndësishme nga burgu i Durrësit, ku edhe ai vetë vuajti disa vite si i burgosur.

Prof. Pipa dëshmon në librin e tij të burgut takimin në qelitë e Durrësit të imzot Vinçens Prenushit me imzot Jul Bonatin, të cilin sapo e kishin transferuar nga hetuesia e Vlorës.

“Dom Bonati kërkoi ti puthte dorën imzot Vinçens Prenushit, por ai nuk e lejoi,” kujton Pipa. “I vuri dorën në kokë për bekimin dhe sërish ra në shtrat”, shtoi ai.

Dy klerikët katolikë që humbën jetën në burgjet komuniste tashmë janë shpallur “martirë” nga Vatikani. “Ndoshta, kjo është një arsye më shumë që burgu i vjetër i Durrësit, ku edhe martirët vuajtën dhe u flijuan, të kujtohet përmes një memoriali ,” përfundoi arkitekti Artan Kacani./BIRN