Kompania që po ndërton HEC-in në Thirrë të Mirditës ka falsifikuar firmat e banoreve, duke kryer fiktivisht dëgjesën publike që e parashikon ligji.
Diçka e tillë është provuar nga Prokuroria e Lezhës nga hetimet e kryera, pas kallëzimit penal të banoreve Thirrë, Sang dhe Hebe që preken nga ky projekt.
Kompania “Sang 1” Shpk është marrë e pandehur për veprën penale “Falsifikim i Dokumenteve” dhe dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Nga hetimet e drejtuara nga prokurori i Lezhës Françesk Ganaj, ka rezultuar se është falsifikuar deklarata e banoreve, pasi ligji parashikon konsultim publik rreth aktivitetit qe do te ngrihet, por në këtë rast konsultimi i cili shoqërohet me procesverbal ku nënshkruajnë banoret e zonës është falsifikuar.
Në gjykatë çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Edlira Çota dhe seanca e parë paraprake është caktuar me datë 9 maj. Leja për ndërtimin e HEC-it në zonën e Thirrës në Mirditë është dhënë 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohet nga kompania “Sang 1” shpk.
Beteja për këtë çështje vijon të jetë në dyert e gjykatave, por ende nuk ka një vendim të formës së prere, ndërsa deri më tani janë kryer mbi 70% e punimeve. Aktualisht punimet janë të pezulluara me vendim të Bashkisë Mirditë, pasi kompanisë i janë gjetur mangësi në dokumentacion.