Nga Eduard Zaloshnja
Në raportin vjetor të saj, Banka e Shqipërisë raportoi se kontributi parësor i turizmit nga jashtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishte vjet 4.1 miliardë euro. Vlen të theksohet se në këtë shifër nuk përfshihet kontributi dytësor e tretësor, që mund të jetë pothuaj baraz me kontributin parësor (shikoni këtë studim: https://www.vatc.org/research/economicimpact/ ). Për një shpjegim të thjeshtë mbi kontributin dytësor e tretësor, mund të lexoni shënimin në fund të këtij shkrimi.
Duke mbetur vetëm tek kontributi parësor i turizmit nga jashtë, 4.1 miliardë euro kontribut përbëjnë 19.5% të PBB-së, që vjet ishte në total rreth 21 miliardë euro. Dhe duke ditur se vjet u regjistruan 10.15 milionë vizitorë me pasaporta të huaja, i bie që mesatarisht, ata të kenë shpenzuar në Shqipëri rreth 404 euro për vizitor.
INSTAT raporton se ndër 10.15 milionë vizitorë e vjetshëm me pasaporta të huaja, vetëm 0.5 milion kanë kaluar tranzit në Shqipëri. Ndërkohë, INSTAT-i nuk jep se sa ditë kanë qendruar mesatarisht këtu 9.65 milionët e tjerë (një e dhënë që mund të llogaritet thjeshtë në sistemin TIMS). Në fakt, INSTAT-i raporton sa netë kanë fjetur nëpër hotele vizitorë me pasaporta të huaja, por plot 85% e 9.65 milionëve nuk kanë fjetur në hotele (bazuar në shifrat që raporton INSTAT). Këta 85% kanë fjetur ose në shtëpi private me qira, ose në shtëpi të familjarëve të tyre këtu (në rastin e emigrantëve shqiptarë me pasaporta të huaja).
Sidoqoftë, pavarsisht se sa ditë kanë qendruar këtu (nga një gjysëm dite tranzit, deri në disa javë pushime), apo ku kanë fjetur (hotele ose shtëpi private), 10.15 milionë vizitorët nga jashtë kanë shpenzuar mesatarisht rreth 404 euro për vizitor, sipas shifrës totale të Bankës së Shqipërisë (4.1 miliardë euro kontribut parësor në PBB, pjestuar me 10.15 milionë vizitorë).
Po sivjet sa mund të shkojë kontributi parësor i turizmit nga jashtë në PBB?
Nga 1 janari deri më sot, është rritur 50% numri i vizitorëve me pasaporta të huaja, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në qoftë se kjo përqindje rritjeje vazhdon deri në fund të vitit, dhe në qoftë se vizitorët nga jashtë do të shpenzojnë këtu mesatarisht 404 euro për vizitor (siç bënë vjet), i bie që kontributi parësor i turizmit nga jashtë në PBB-në totale të jetë këtë vit rreth 6.15 miliardë euro, ose rreth 27% e PBB-së.
SHËNIM: Teoria dhe praktika ekonomike botërore na tregon se kur rritet kërkesa për mallrat/shërbimet e një dege të ekonomisë, bizneset e asaj dege përgjigjen me një rritje të ofërtës së mallrave/shërbimeve të tyre. Ky përbën efektin parësor.
Që ta realizojnë rritjen e ofertës, bizneset e mësipërme duhet të shtojnë furnizimet nga degët e tjera të ekonomisë. Për shembull, kur një resorant do të shtojë sasinë e produkteve që servir, duhet të blejë më shumë ushqime dhe pije nga furnitorët e tij. Furnitorët, nga ana e tyre, duhet të blejnë më shumë mallra/shërbime për të rritur prodhimin e tyre, e kështu me rradhë. Ky përbën efektin dytësor.
Me rritjen e xhiros në zinxhirin e degëve të ndërlidhura me degën fillestare ku pati rritje kërkese, shtohen edhe të ardhurat e disponueshme të biznesmenëve dhe punonjësve të atyre degëve. Këta nga ana e tyre, i shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave shtesë për zgjerim/përmirsim biznesi ose banese, zëvendësim/përmirsim mobilimi, si dhe për shtim të konsumit vetjak apo familjar. Pra, rritet kërkesa edhe për të gjitha bizneset e tjera që nuk kanë fare lidhje me degën parësore ku është rritur konsumi. Ky përbën efektin tretësor.
Në mënyrë figurative, mund të thuhet se rritja e kërkesës në njërën nga degët e ekonomisë shërben si një injeksion që shpërndahet në të gjitha arteriet e saj.