Shibian është 20 vjeç nga India dhe ka ardhur për të ndjekur arsimin e lartë për infermieri në shqipëri. Me vizë studenti, ai është pranuar në vendin tonë dhe për të përballuar jetesën ai punon part-time në një bar si ndihmës banakier.
“Është më e përballueshme jeta këtu, më lirë se në Indinë jugore ku jetoja. Dëgjova për Shqipërinë në një agjensi universitare në Indi dhe më ndihmuan për të fituar të drejtën e studimit. E vlerësova si mundësi të mirë, programin mësimor e kam nga ora 9 deri në 17:00, e më pas vij në punë. Dua t’ia arrij t’ia dal në jetë me forcat e mia!”
Studenti 20-vjeçar tregon se gjetja e punës ishte e lehtë për të; për shkak edhe të afrimit të sezonit veror turistik.
“Punën e gjeta në një njoftim Instagrami. I kontaktova. U paraqita dhe më thane: Mund të fillosh që nesër. Më duken shumë më mikpritës se në vende të tjera”.
Për Sipërmarrësin Ilir Dushkaj që ka përzgjedhur studentin indian në staf, nuk ka diferencime në etnitetet që përfaqësojnë. Me të njëjtën filozofi sic ka emigruar ai vetë në Itali, e sheh edhe punësimin e aziatikëve, të cilët mendon se nuk duhen paragjykuar.
“Unë mendoj që tani edhe falë turizmit, edhe falë shumë investimeve të reja, hoteleve të reja që hapen e kërkesa për staf patjetër që rritet kështu që kemi të gjithë nevojë. Vijnë të huajt e shikojnë që këtu ka po te huaj që vijnë punojnë ne Shqipëri e që i bën të ndihen e të thonë “wow, edhe Shqipëria ka arritur në këto nivele që të marr punonjës nga jashtë, nuk mjaftojnë vetëm shqiptarë. Rrit prestigjin. Është një grup që dikush punon 6 orë, të nesërmen e ka lirë se ka shkollë, duket sikur unë ndihmoj ata por edhe ata mua se më kanë plotësuar boshllëqe!”