Ballina Sport Superylli i Barcelonës me lëvdata të mëdha për Ancelottin

Superylli i Barcelonës me lëvdata të mëdha për Ancelottin

57
0

Në një intervistë të dhënë së fundmi, sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka dhënë mendimin e tij mbi trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, një javë pas humbjes së hidhur në ‘El Clasico’.

Lewandowski i cili ka luajtur nën urdhrat e Ancelottit gjatë kohës së tyre së bashku tek Bayern Munichu, nuk u kursye aspak nga lëvdatat sa i përket aftësive menaxheriale të italianit.

Superylli i Barcelonës theksoi se Carlo është një shembull për lojtarët dhe kjo ka qenë evidente tek Real Madridi.

“Ancelotti ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Ju mund ta shihni atë tek Real Madridi, lojtarët e ndjekin atë verbërisht”, ka thënë fillimisht Lewandowski.

“Carlo është një njeri i madh i cili gjithmonë ka folur me lojtarët. Ai më ka dhuruar një ndjesi të veçantë. Jo vetëm vetëbesim, por një ndjenjë se unë mund të bëjë një ose dy hapa në karrierën time”, shtoi polaku.

Lewandowski ka luajtur nën drejtimin e Ancelottit në sezonin 2016/2017. Në total, ai ka luajtur 57 ndeshje zyrtare nën urdhrat e teknikut italian, duke shënuar 54 gola dhe duke dhuruar 15 asistime.

Në fund polaku foli për periudhën e vështirë në të cilën hasi Ancelotti gjatë kohës së tij në Gjermani.

“Ishte një shtet i ri, një kulturë e re për të. Nëse Carlo do të vinte në Gjermani përsëri, ai do ta dinte saktësisht se çfarë duhet të bënte më ndryshe. Nëse ai do t’i mbijetonte momenteve të vështira, gjërat do të ishin bërë më të lehta për të gjithë pastaj”, përfundoi 35-vjeçari.