Ballina Kuriozitete Do të ndërtohet Titanik II? Ja cili miliarder ka vendosur të ndërtojë...

Do të ndërtohet Titanik II? Ja cili miliarder ka vendosur të ndërtojë ‘Titanik II’

79
0

Për më shumë se një dekadë, miliarderi australian, Clive Palmer, ka qenë shtysa pas planeve për të ndërtuar Titanik II, një kopje të anijes famëkeqe që u fundos në vitin 1912, ku kishte më shumë se 2200 njerëz në bord, ndër ta vetëm 700 të mbijetuar.

Ndonëse ka kaluar më shumë se një shekull nga fundosja e Titanikut, bota nuk ngopet me historinë e tij.

Gjithashtu, tragjedia u bë muza e filmit ‘Titanik’, në vitin 1997 të James Cameron-it, fitues i çmimit ‘Oscar’, me protagonistë Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet.

Por lind pyetja: ‘Pse?’

Është më qejf të bësh Titanikun, sesa të rrish në shtëpi dhe të numërosh paratë, – tha Palmer.

Ai i nisi planet për ndërtimin e Titanik II në vitin 2012 dhe përsëri në vitin 2018, por planet u lanë pas dore për shkak të pandemisë ‘Covid’.

Por, tani që pandemia ka përfunduar dhe anijet kanë nisur të lundrojnë sërish, Palmer, drejtor i ‘Blue Star Line’, tha se ka ardhur koha të sjellin në jetë ëndrrën: ‘Titanik II’.

Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se pavarësisht nga vonesat, ne jemi riangazhuar me partnerë për të sjellë në jetë ‘Titanik II’. Le të filloj udhëtimi, – tha Palmer në një deklaratë për shtyp.

‘Blue Star’ po pret sugjerime dhe po planifikon të konfirmojë një ndërtues anijesh deri në fund të vitit, për të filluar nga puna në tremujorin e parë të vitit 2025.

Hëpërhë, Palmer pret që ndërtuesit të jenë në Europë dhe jo në Kinë, pasi beson se standardet kineze nuk janë në lartësinë e duhur.

Për sa i përket anijes, do të jetë 269 metra e gjatë dhe 32.2 metra e gjerë, pak më e gjerë se origjinali. Do të ketë një kapacitet për 2,345 pasagjerë të shpërndarë në 9 kuverta dhe 835 kabina. Pothuajse, gjysma do të rezervohet nga pasagjerë të klasit të parë.

Pasagjerëve të klasit të tretë do t’u shërbehet ushqimi si tek anija origjinale: patate të ziera ose pure, por do të ketë edhe ushqime të tjera, për ata që duan një eksperiencë më pak autentike.

Gjithashtu, tha se pasagjerët do të jenë të veshur si në vitet 1900, por nuk është e detyrueshme.

Ëndrra e Palmer është të përsërisë Titanikun, pa një fund tragjik dhe beson se njerëzit e duan diçka të tillë.

Titanik II mund të jetë anija e paqes mes gjithë vendeve të botës, – u shpreh ai. – Miliona njerëz kanë ëndërruar të lundrojnë në të, ta shohin në port dhe të përjetojnë madhështinë e saj unike. Titanik II do të jetë anija ku këto ëndrra do të marrin jetë.