Ballina Politika Gazetari: Injoranca e Ilir Metës në shembullin e Stalinit

Gazetari: Injoranca e Ilir Metës në shembullin e Stalinit

86
0

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në konventë i pyetur për Kryemadhin, solli si shembull historinë e diktatorit sovjetik, Joseph Stalin teksa tha se as ky i fundit nuk e shpëtoi të birin pasi iu mor peng nga gjermanët.

Meta u shpreh se Stalini nuk e shpëtoi djalin e tij Vasilin sepse nuk kishte fytyrë tu dilte para nënave sovjetike.

“Monika është deputete, askush nuk e ka larguar. Ajo është automatikisht anëtare e Komitetit Drejtues. Në Kryesi, nëse ajo dëshiron të qëndrojë të votohet. Meqë keni hallin e Monikës, nuk dinte Stalini t’i shpëtonte jetën djalit të tij që e morën peng gjermanët? Rregullat e luftës tha nuk ndryshojnë as për Stalinin, mbylleni gojën i tha se nuk ju dhimbset djali im më shumë se ju, unë Vasilin mund ta shpëtoja tha, por mund të humbja luftën dhe s’kisha fytyrë t’i flisja pastaj qindra nënave. Nepotizmi u kthye në problemin më të madh”, tha Meta.

Gazetar, publicisti shqiptar dhe opinionisti i disa emisioneve televizive, Arjan Konomi i ka kujtuar Metës se në të vërtetë nuk është Vasili, por djali i madh i Stalinit, Jakovi ai që u mor peng dhe u la të vdiste.

Konomi shton se Stalini nuk e sakrifikon të birin për ideale të Partisë, si Ilir Meta kërkon të paraqesë “sakrifikimin” e bashkëshortes së tij si në të mirë të Partisë së Lirisë.

Postimi i Konomit

“Injoranca e Ilir Metës në shembullin e Stalinit”

Kam dëgjuar disa herë që Ilir Meta kohët e fundit sjell për t’u mburrur shembullin e Stalinit me djalin e tij, Vasilin. Por në të vërtetë nuk është Vasili, por djali i madh i Stalinit, Jakovi. Por edhe ky fakt, që e ka dëgjuar apo dikush ia ka treguar nuk është i saktë.

Stalini nuk donte që ushtarët sovjetikë të kapeshin rob, dhe kishte dhënë urdhër që të vriteshin në betejë ose të vetëvriteshin. Ndaj dhe urrente të birin, i kapur rob, një urrejtje që i vinte nga përçmimi dhe përbuzja që kishte patur për Jakovin gjatë gjithë jetës, qysh në fëmijërinë e tij.

(Jakovi ishte djali me gruan e parë, i lindur në Gjeorgji, të cilin e ëma e lë foshnjë dhe rritet nga famijarët e saj. Stalini nuk e do kurrë dhe në moshën 14 vjeçare, Jakovi shkon në Moskë pa ditur as gjuhën ruse). I brishtë si natyrë tenton disa herë të vetëvritet.

Stalini nuk e sakrifikon të birin për ideale të Partisë, si Ilir Meta kërkon të paraqesë “sakrifikimin” e bashkëshortes së tij si në të mirë të Partisë së Lirisë. Pas 30 vitesh në politikë e kuptoi nepotizmin?

Dhe sa qesharak fakti që po e sjell si “moralizëm”, dhe aq më keq kur e krahason veten me një nga njerëzit më të urryer të historisë së njerëzimit, kriminelin, gjakatarin, persekutorin dhe vrasësin e miliona të pafajshmëve, Stalinin.

Duket se ora i ka mbetur te Ekonomia Politike që ka studiuar në kohën e komunizmit!