ITALIA- Mbështetësit e Giorgia Melonit, akuzojnë televizionin shtetëror Rai, për paragjykim të krahut të majtë. Antonio Scurati, është një nga autorët kryesorë të Italisë. Romani i tij historik ” M: Son of the Century”, fitoi çmimin Strega, çmimi më prestigjioz letrar i Italisë, dhe është përkthyer gjerësisht. Ishte i pari, në një seri, që përshkruan ngritjen dhe rënien e diktatorit fashist të Italisë, Benito Musolini.
Pra, zoti Scurati ishte një zgjedhje e qartë, për të dhënë një fjalim në Rai, rrjetin e transmetimit publik të Italisë, përpara 25 prillit, festës publike, që shënon çlirimin e vendit nga fashizmi në 1945. Por, zoti Scurati nuk arriti ta lexonte kurrë në transmetim. Rai e anulloi. Scurati tha, se kjo ishte për shkak se ishte kritike ndaj Giorgia Melonit dhe refuzimit të saj, për të mohuar të kaluarën fashiste. Rai tha se arsyeja, ishte se ai kishte kërkuar një tarifë shumë të lartë.
Zonja Meloni, u përgjigj me shkathtësinë e saj të zakonshme, duke pretenduar se nuk e dinte se kush kishte të drejtë dhe publikoi tekstin e fjalimit të Scurati në faqen e saj në Facebook. Jo se ishte e nevojshme: tashmë ishte publikuar në shtyp, prej nga u bë virale në rrjetet sociale. Debati shpërtheu në sfondin e një fushate nga mbështetësit e zonjës Meloni, për të korrigjuar atë që ata e shohin si paragjykim për krahun e majtë të Rai. Pararendësit neofashistë të partisë së saj, Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia, fdi) trajtoheshin prej kohësh si të dëbuar politikë.
“Shumë prej tyre, kanë mendimin se tani është koha e hakmarrjes,” thotë Gianni Riotta, i cili jep mësime për media në Luiss, një universitet kryesor në Romë. Për kritikët, aktivitetet tregojnë se zonja Meloni, e cila deri më tani ka ndjekur një kurs përgjithësisht pragmatik, është një ‘ujk i veshur si dele’: se qëllimi i saj afatgjatë, është të çojë Italinë në një rrugë të shkelur tashmë nga miku i saj, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili praktikisht ka përjashtuar kritikat ndaj qeverisë së tij nga mediat publike.
Duke reaguar ndaj një polemike të mëparshme, mbi rregullat për mbulimin e zgjedhjeve europiane, sindikata kryesore që përfaqëson gazetarët e Rai, deklaroi se qeveria ishte e vendosur ta përdorte atë si “megafonin” e saj. Transmetuesi publik i Italisë, nuk e ka arritur kurrë pavarësinë e BBC të Britanisë apo të SHBA. Deri në vitet 1990, secili nga tre kanalet e tij televizive, ishte caktuar për një nga partitë kryesore. Që atëherë, çdo qeveri e ardhshme, është përpjekur të mbushë korporatën me mbështetësit e saj.
Pasojat kanë qenë gjithmonë më drastike, nëse qeveria e rradhës anon nga e djathta, siç bën tani: meqenëse tre kanalet më të mëdha private janë pjesë e rrjetit Mediaset, i themeluar nga konservatori Silvio Berlusconi, e djathta arrin një lloj monopoli, rreth asaj që kombi sheh në ekran. Ndjekësit e zonjës Meloni, megjithatë, duken të vendosur për ta shfrytëzuar këtë avantazh, në një shkallë të paprecedentë. Udhëzimet zgjedhore të Parlamentit Europian për Rai, do t’u lënë më shumë kohë në transmetim ministrave, sesa përfaqësuesve të opozitës.
Teksti i miratuar nga komisioni parlamentar, që mbikëqyr korporatën, thotë se ndarja e zakonshme proporcionale e kohës, mund të anashkalohet në emër të “garantimit në kohë të informacionit, mbi aktivitetet institucionale dhe qeveritare”. Madje, është sugjeruar se kjo do të thotë se, ministrat mund të jenë në gjendje të flasin për aq kohë sa të duan, në emisionet e diskutimit të Rai. Thënë kështu, të paktën dy faktorë, qëndrojnë në rrugën e një monopolizimi të stilit hungarez. I pari, është nevoja për të shfaqur programe, që publiku do të shikojë.
Disa personazhe kryesorë televizivë, janë larguar tashmë nga Rai për në kanale private, që nuk i përkasin familjes Berlusconi, numri i të cilave është në rritje. Një sfidë e dytë, paraqitet nga vëllimi i madh i mediave bashkëkohore. Të rinjtë italianë në veçanti, kanë më shumë gjasa të përdorin TikTok ose Instagram, sesa të shikojnë Rai ose Mediaset. Dhe gjithsesi ndikimi i dy gjigantëve të valëve italiane, ishte gjithmonë i diskutueshëm. “Silvio Berlusconi humbi dy zgjedhje,” vëren zoti Riotta. “Dhe në çdo rast, ai kontrollonte Mediaset dhe Rai.”