Qeveria prej muajsh është në proces vlerësimi të skemës aktuale të pensioneve duke dhënë sinjale veç të tjerash edhe për ndryshim të mënyrës së indeksimit. Por, për ekspertët, një indeksim apo rritje e diferencuar, bazuar në masën e përfitimit shkakton pabarazi sociale dhe cenon thelbin e skemës, e cila ka si bazë të saj vitet kontributive. Teuta Nunaj tha se ata, të cilët trajtohen aktualisht me pensione të ulëta duhet të mbështeten me bonuse shtesë ose pension të 13-të.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe eksperti Eduard Gjokutaj, sipas të cilit mbështetja duhet të jetë e shkëputur, pra jashtë skemës së pensioneve dhe të vijë në formën e subvencionit apo kompensimit, raporton scan. Më shumë se 45 për qind e të moshuarve, kryesisht në zonat rurale sot trajtohen me pensione të ulëta. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të ardhurat mesatare të pensionistit të qytetit në vitin 2022 ishin 18,615 lekë në muaj ndërsa të ardhurat mesatare të pensionistit të fshatit ishin 10,888 lekë në muaj.
Prej disa muajsh Qeveria me asistencën e Bankës Botërore është duke parë aspektet, të cilat duhet të korrigjohen apo të ndryshojnë. Ajo që dihet deri në këtë fazë të procesit është, që ndërhyrja do të bëhet në disa drejtime përfshirë këtu edhe rishikimin e nivelit të kontributeve që paguhen, rritjen e kompensimeve dhe rishikimin e skemës suplementare. Nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore mësohet se prioriteti është adresimi i mbulimit të dobët të popullsisë në moshë pune. Në këto kushte, do të synohet që stimulohen të rinjtë që të paguajnë kontributet. Kjo nënkupton ruajtjen e normës së kontributit në një grup të arsyeshëm dhe ndoshta kryerjen e studimeve për të kuptuar nëse një periudhë më e shkurtër e kontributeve mund të nxisë më shumë punonjës për të kontribuar.