Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli thotë se mes tij dhe lidershipit të PD ka një ndarje të madhe.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Kadilli u shpreh se Gazment Bardhi hidhte akuza në drejtim të Sali Berishës dhe Flamur Nokës dhe e njëjta gjë anasjelltas, teksa tanimë ata janë bashkuar dhe për të, kjo tregon se nuk ka moral.
Sipas Kadillit, lidershipi i PD është cingun i etur për famë e pasuri dhe nuk prodhon politikë.
“Në Kuvendin e datës 18, kam thënë një parti vdes në momentin që gëlltit gënjeshtrat që prodhon vetë. PD dhe politikanët drejtues të PD e prodhojnë vetë gënjeshtrën dhe e gëlltisin dhe besojnë po vetë. Ata që flasin për bashkimin për mua kanë një nivel mendor shumë të ulët, janë te niveli i aritmetikës, nuk shkojnë dot as te matematika. E keqja është, pse bashkohen dhe për çfarë u ndanë? A u ndanë për disa arsye politike? Ranë këto arsye? Jo, nuk ranë. Përse lëvizin një grup deputetësh nga një kamp në kampin tjetër. Ndryshuan arsyet politike për të cilat u ndanë dhe luftuan me hunj në dorë ndaj njëri tjetrit? Jo. Bardhi e quante Berishën përgjegjës për vrasjen e 26 viktimave në Gërdec, e quante babi i Xenit. Berisha e quan përgjegjës Bardhin për vrasjen në Elbasan. Bardhi e quan Nokën të lidhur me krimin e organizuar në Londër dhe që fsheh pasurinë në Gjirin e Lalzit, tani këta bashkohen dhe bëjnë edhe tur të dy bashkë.
Po çfarë ndodh, pse bashkohet Bardhi me Nokën nëse paska qenë i lidhur me krimin, se unë akuza politike bëj ndaj Ramës, të lidhur me pushtetin, që përdor paratë e krimit, që fsheh pasuritë po pse nuk u bashkokemi edhe me Ramën atëherë? Ka nivel mendor mizerabël në të gjithë këtë aksion politik. Mërzitem edhe që e marr seriozisht kur i komentoj këta njerëz sepse nuk e meritojnë as t’u flasësh më. Me lidershipin e partisë kam një ndarje të madhe sot. Janë cingun në shpirt në mëndje, janë të uritur për famë dhe pasuri, për tjetër gjë, jo. Për të prodhuar politikë jo, opozita nuk fiton duke u bashkuar në amoralitet. Opozita forcohet dhe bëhet kërcënim për pushtetin e kalbur të Ramës vetëm kur ndryshon. Nuk mund të fitosh pa ndryshuar”, theksoi ai