Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-zyrtarët e tjerë të arrestuar me kërkesë të SPAK për llogari të hetimit të inceneratorit të Tiranës kërkojnë lirinë në Gjykatën e Lartë.
Pasi dështuan në Apel në ditët e fundit të vitit të shkuar, ata kanë trokitur në shkallën e tretë, ku kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Rekursi i tyre është regjistruar në Gjykatën e Lartë, ku pritet të shqyrtohet më 9 maj nga një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Ilir Panda.
Për hetimin e SPAK mbi inceneratorin e Tiranës Gjykata e Posaçme ka lëshuar 15 masa sigurie. Gjashtë prej tyre, mes të cilëve edhe Lefter Koka e Alqi Bllako, që vuajnë aktualisht dënime me burg për aferat e tjera të inceneratorëve, Taulant Tushe, ish-drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Bledar Karoli, ish-përgjegjës i prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit e Namin Simixhiu, anëtar i dhënies së koncesionit, po hetohen në “arrest në burg” për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
E njëjta masë sigurisë është dhënë në mungesë edhe për biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, të cilët akuzohen për “korrupsion” e “mashtrim” e “pastrim parash”. Ndërsa të dyshuarit e tjerë të deritanishëm të çështjes po hetohen në “arrest në shtëpi”.
Veprimi më i fundit hetimor i SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës ishte marrja në pyetje e kryebashkiakut të kryeqytetit, Erion Veliaj. I thirrur nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, Veliaj dha shpjegime për 7 orë para dy agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.