Ballina Dossier PORTRET/ Me profesor Andrea Shundin… në kërkim të fjalës arvanite

PORTRET/ Me profesor Andrea Shundin… në kërkim të fjalës arvanite

159
0

Nga Abdurrahim Ashiku 

Andrea Shundi, sot, 1 Maj 2024, në moshën 90 vjeçare, e la këtë botë, e la shkencën që iu përjetua si askush specialist i bujqësisë që edhe në saj të Tij, lulëzoi.
Ndjeva dhimbje.
Hyra në arkivin tim dhe gjeta një bisedë me të ndërsa udhëtonim trevës së Thivas, në kërkim të fjalës arvanite për vreshtarinë dhe verëtarinë, fjalë të cilat Ai, përpara se ti fuste në fjalorin enciklopedik të Tij për këtë temë, i futi në shpirt marrë drejtpërdrejt nga shpirti i Lamit-103 vjeç dhe arvanitas të tjerë, lindur e rritur në trojet e tyre shekullore, në ato dy ditë të bukura midis arvanitasve…
Kishte kapërcyer oqeanin Atlantik vetëm për fjalën arvanitase për vreshtarinë dhe verëtarinë…
Po e përcjell ashtu siç e përjetova 12 vjet të shkuara…

Ishte një rastësi, nga ato lloj rastësish që si një farë e shëndetshme e hedhur në një arë të punuar e plehëruar mirë lëshon rrënjë, i degëzon thellë tokës për të ushqyer e rrit filiza, degë, lule e fara që përsëri mbijnë, lëshojnë rrënjë e pjekin fryte.
Ishte një nder, nga ato lloj nderesh që njeriut i takon t’i përjetojë një herë në jetë e ti mbjellë në kujtesë për tërë jetën, madje t’i përcjellë edhe në efirin e pambarim të medies.
Këtë po bëj. E bëj për vete. Thjesht për vete… ANDREA SHUNDI, agronomi, shkencëtari, nderi i bujqësisë shqiptare , Mjeshtër i Madh i Punës…edhe pse është në të tetëdhjetat e jetës, kaloi oqeanin që ndan kontinentin plak me kontinentin e ri, Evropën dhe Amerikën, kaloj kufij pas kufijsh, për të ardhur tek unë, tek miqtë e mi arvanitas në Thiva, për një fjalë…
Po, po, për një fjalë, fjalën e vjetër të shqipes gjakëshprishur që mbijeton mes arvanitësh, tek Lami “njëqind vjet e katër muaj”, tek Jorgoja që vazhdonte ti merrte malit truall për ta zgjeruar vreshtin e tij, në troje vreshtash “djegur” më se një shekull më parë nga filoksera. Vinte për të marrë fjalën shqipe për vreshtin, hardhinë, verën e rakinë…
Ishte një dhuratë e jetës sime, dhuratë që më erdhi nga përtej Atlantikut nga një mik imi, nga një shkencëtar i pambukut shqiptar, nga Jorgji Muzaka…
Po përcjell bisedën që bëra me të ndërsa makina e vogël e drejtuar nga Ilia Thaka i binte mes përmes luginës së bukur të Thivas, mes arave në ugarin e pambukut, duhanit dhe qepës, me ullinjsh qindravjeçarë, mes vreshtash të vjetër e të rinj, mes njerëzish që ende e ruanin fjalën e bukur shqipe, fjalë që niste e nis me përshëndetjen “E ç’ë bën?”…

-Kush është  Andrea Shundi?
Andrea Shundi është agronom që ka filluar punën në vitin 1956. Deri në vitin 2012 është marrë vetëm me agronomi, me kërkimin shkencor, me agronominë e mirëfilltë në terren dhe me punë administrative, por të tëra së bashku janë gjithmonë agronomi.
-A mund të më përmendni disa emra me të cilët keni punuar dhe bashkëpunuar në studimet shkencore?
Bashkëpunëtorë dhe miq të respektuar të mi janë, një dhjetëshe, që mund të jetë më me interes. Së pari akademiku Mentor Përmeti me të cilin kam punuar 7 vjet. E kam pasur drejtor Instituti, e kam pasur zëvendësministër. Unë dhe Mentori kemi qenë organizatorë të Konferencës Kombëtare të Shkencave Bujqësore që u zhvillua në Tiranë në janar të vitit 1975.
Me Niko Qafzezin kam botuar tekstin për shkollat e mesme “Fitoteknia”. Në pesë libra të fitoteknisë shqiptare jemi me Nikon bashkautorë. Këta janë moshë më e madhe se unë, edhe Niko, edhe Mentori.
Bashkëmoshatar i imi është Lefter Veshi, me të cilin kemi qenë studentë nga viti 1952 deri në vitin 1956. Me të deri në vitin 1990 kemi kryer një varg eksperimentesh në tërë Shqipërinë. Lefteri ishte drejtor i Institutit të Studimit të Tokave kurse unë dekan i fakultetit të agronomisë. Të dy së bashku për dhjetë vjet kemi zhvilluar eksperimentime fushore në sipërfaqe të gjerë në të gjitha trevat e Shqipërisë.
Vazhdojmë. Me Hysen Laçin dhe Ahmet Osjen, të cilët janë të dy gjenetistë të misrit. Me akademikun Hysen Laçi jemi bashkëmoshatarë. Unë studiova në Tiranë, Hyseni në Moskë. Në vitet 1956-1960 bashkë me Hysenin kemi punuar në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë.  Hyseni u transferua në Shkodër kurse unë vazhdova në Lushnjë. Kur u bë Hyseni drejtor i Institutit të Misrit dhe Orizit unë isha drejtor i shkencës në Ministrinë e Bujqësisë. Emërimin, Hyseni e ka marrë nëpërmjet meje dhe kur u takuam tek ministri i bujqësisë, zyrtarisht nuk ishte Hyseni, por RifatGoga, njeri shumë i mirë por ishte i politikës. Hyseni u caktua nëndrejtor sepse nuk ishte në parti. Ministri i tha Rifatit “Drejtor je ti, të ka vënë partia por çdo të thotë Hyseni do të bëhet. Hyseni është zëvendësdrejtor prandaj ti do ta dëgjosh. Politikën do ta bësh ti ndërsa gjenetikën, drejtimin shkencor të institutit do ta bëjë Hyseni. Ky kuvendim është i vitit 1971, kur u krijua për herë të parë Instituti i Misrit dhe Orizit. Me profesor Ahmet Osjen jemi miq përjetë qysh nga viti 1967, kur u takuam në Dukagjin dhe kemi bashkëpunime pambarim.
-Vazhdo, ke të tjerë?
Kam shumë por  unë do të thosha…
Për Teki Tartarin do të më thuash ndonjë fjalë?
Me kënaqësi.
Kam dobësi të madhe për të. Kam qenë i pranishëm kur ka mbrojtur disertacionin për kandidat i shkencave bujqësore.
Edhe unë vazhdoj të kem dobësi, megjithëse nuk është më në jetë.
Më vjen keq
Me Tekiun kam dy ngjarje shumë madhore. Më 1967 zhvillohej Konferenca Kombëtare e Lopës. Unë, akademiku Teki Tartari dhe zootekniku elitar Ahmet Çelo shkuam në trevën e Dukagjinit për të parë e studiuar më mirë lopën e vendit. Kjo është mbresa e parë.
E dyta është se me Tekiun kemi pas disa bashkëpunime intelektuale. Në vitin 1996, në mos gaboj, është botuar libri“Historia e Bujqësisë dhe e Agroindustrisë Shqiptare”. Unë dhe Tekiu përgatitëm strukturën e librit dhe propozuam autorët përkatës. Në të kam shkruar dy kapituj për bujqësinë shqiptare dhe Tekiu po ashtu. Tekiu është njëri nga tre akademikët e parë të bujqësisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, bashkë me Mentor Përmetin dhe veterinerin Zef Kakarriqi. Mund të pohohet se Tekiu është njeriu më intelektual i bujqësisë të viteve ’50- ’80-të, me një formim filozofi.
Le të vazhdojmë me traktatin, librin madhor “Enciklopedi e Vreshtarisë dhe Verëtarisë”, që do të dalë në nëntor të vitit 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të cilën ia kushtoj: “Shqipërisë mëmë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë”. Përmban 1200 faqe, me 650 fotografi. Në të trajtohen 3200 artikuj shkencorë dhe secili term është edhe në anglisht e italisht.Shumica e artikujve shkencorë shoqërohen me 800 fjalë të urta dhe 5200 sinonimet përkatëse për trevat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, Arbëreshët e Italisë, Arbërorët (Arvanitasit) e Greqisë, Arbnorët e Dalmacisë.
Ky libër është kulmi i krijimtarisë time cilësore. Është vazhdimësi i dhjetë librave të viteve dymijë për vreshtarinë dhe verëtarinë mbarëshqiptare. Besoj se më së miri do të plotësojë kulturën vreshtare-verëtare edhe të mërgimtarëve në Greqi, aq më tepër se një pjesë e juaj është marrë dhe merret me këto veprimtari ose sadopak prodhon rrush e verë apo raki. “Enciklopedia” pasuron bibliotekën tuaj.
-Kur kanë filluar hulumtimet tuaja për vreshtarinë dhe verëtarinë?
Me veprimtari, me hulumtime dhe botime për këto veprimtari jam marrë gjatë njëzet viteve të fundit. “Enciklopedia” është fryt i dhjetë vjetëve punë.Nuk kam lënë krahinë të Shqipërisë pa shkelur, duke kuvenduar e bashkëpunuar me vreshtarë, verëtarë, specialistë. Në Kosovë, për këtë qëllim kam shkuar pesë herë. Në Rahovec, që është kryeqendra e vreshtarisë dhe verëtarisë mbarëshqiptare kam shkuar herë mbas here.  Kam qenë në Italinë e Jugut tek arbëreshët, vetëm për këtë punë. Jam këtu tek arbërorët, dje edhe sot, vetëm për këtë fushë.
-Ju jeni agronom, jeni marrë me punë shkencore në bujqësi, profesioni juaj i drejtpërdrejtë nuk ka qenë vreshtaria dhe verëtaria.Si u dashuruat me këtë degë të madhe, që lidhet me bujqësinë dhe industrinë e prodhimit të pijeve e të shumë ushqimeve të tjera?
Vreshtaria dhe verëtaria janë pjesë të agronomisë. Kam njohuri, por nuk kam specializimin për vreshtari. Jam përqendruar në foragjeret, në bimët për ushqimin e blegtorisë, përfshirë hasëllet, livadhet dhe kullotat, që përbëjnë tre burimet agronomike të prodhimit foragjer. Për tridhjetë e pesë vjet jam marrë vetëm me këtë punë. Nga 1990 deri tani, pra për 22 vjet unë jam marrë vetëm me vreshtarinë. Kjo lindi sepse erdhën dy shkencëtarë italianë,të cilëve dikush u kish dhënë emrin tim. Më propozuan:
“Do të punojmë bashkë për fidanët e hardhive?”.
U thashë:
“Nuk është specialiteti im, specializimi im i ngushtë”.
Ata më thanë:
“Kemi rekomandim nga profesor Scienza.”
Ky është dyshi i vreshtarisë së Italisë të shekullit të 20-të dhe 21. Njëshi është MarioFregoni. AttilioScienza nëpërmjet ADN-së dëshmoi se hardhia prejardhjen e ka edhe nga Shqipëria. Hardhia ka ardhur nga Lindja në Perëndim; nga Kaukazet, nga Persia dhe në rrugëtimin e saj, 6000 vjet më parë kur ka ardhur në Romë, medoemos ka kaluar nëpërmjet Shqipërisë. Në vitin 1994 bashkë me profesor Scienza filluam të mbledhim ekotipet dhe kultivarët e hardhisë shqiptare. Sikurse shenjtët Pavli dhe Pjetri kanë ardhur nëpërmjet Shqipërisë për të shkuar në Romë, edhe hardhia ka kaluar këndej.
Kjo është zanafilla e lidhjes më vepruese me vreshtarinë. Pata mundësinë që lidha një agronom shumë të mirë nga Dibra, Arif Daçi, me “VCR Rauscedo” shoqëria italiane më e madhe dhe cilësore në botë, që çdo vit prodhon dhe eksporton 80 milion fidanë hardhie. Me Arifin kemi 20 vjet që bashkëpunojmë. E bëra të njohur me VCR dhe u thashë se është specialist i saktë, i ndershëm, korrekt. Arifi, nëpërmjet Shoqërisë “Agroherbal”, çdo vit sjell në Shqipëri deri gjysmë milioni fidanë hardhie me dorëzani të plotë për cilësinë.
-Jeni i brezit të agronomëve të parë diplomuar në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë…
Në vitin 1955 janë diplomuar specialistët e parë të bujqësisë shqiptare. Jam diplomuar në vitin 1956, jam i brezit të dytë.
-Unë i bie të jem i brezit të njëmbëdhjetë… Si një nga të parët desha t’ju pyes se sa e ndjeu dhe e mori mbi supe peshën, specialisti shqiptar i bujqësisë për tu marrë me punë kërkimore dhe shkencore?
Cilësia e Institutit të Lartë Bujqësor erdhi në rritje dhe nga Institut tash është kthyer në Universitet Bujqësor. Kulmet e tij lidhen me vitet ’80-të si sasi kur arritën 5000 studentë. Vetëm fakulteti i agronomisë kishte 1500 studentë dhe në të zhvillonin veprimtari100 profesorë, pedagogë.
-Po baza eksperimentale?
Baza eksperimentale ishte e mirëfilltë. Quhesh EDE, Ekonomia Didaktike Eksperimentale. Zhvillohej mësimdhënie didaktike, por edhe eksperimente. Mangësi e asaj kohe ishte cilësia. Vërtet kishte përkushtim në cilësi nga ana e mësimdhënësve sepse ishin të parët pedagogë që studiuan në Europë nga Niko Qafzezi, Andon Ikonomi – një nga yjet e bujqësisë shqiptare, por mungonte baza laboratorike. Tani në vitet 2010, Universiteti Bujqësor ka më pak studentë, por ka më shumë teknologji, ka më shumë laboratorë dhe i gjithë profesorati zotëron italishten dhe anglishten, kurse atëherë dinin kryesisht gjuhën ruse.
-Si e pritët djegien e bibliotekës shkencore të Universitetit Bujqësor?
Biblioteka e Universitetit Bujqësor ishte në pesëshen e parë të bibliotekave të Shqipërisë. Po i numëroj: Biblioteka Kombëtare, biblioteka e Shkodrës, biblioteka e Akademisë së Shkencave, biblioteka e Universitetit të Tiranës, biblioteka e Universitetit Bujqësor. Unë e përjetova jo me mallëngjim, s’ka rëndësi mallëngjimi im, s’ka rëndësi se çfarë u prek nga ana shpirtërore. Mbas një jave, dhurova gjithë bibliotekën time agronomike. Tani, tërë librat e mi të botuara pas viteve ’90-të ia kam dhuruar Bibliotekës së Universitetit të Bujqësisë.
– Erdhët dhe po largoheni. Cilët janë përshtypjen dhe mesazhi juaj për shqiptarët mërgimtarë në Greqi, lexuesit e PLUS GAZETA ATHINA.
Pata fatin jo vetëm të rri bashkë me ju, me tre miq nga Shqipëria, me tre kolegë dhe tre bashkatdhetarë. Me ju, dhe me Shpëtim Hykën dhe Ilia Thakën; kjo është sipërore. Pata fatin që një numër të gazetës e shfletova. Më pëlqyen jo përmasat, nuk kanë rëndësi përmasat, por ka rëndësi që shkruhet shqip dhe botohet në Athinë, ka gjak Shqipërie, ka gjak nga trojet shqiptare. Kjo është themelore dhe që mbijeton një gazetë shqiptare. Kjo është gjëja më e madhe.
Erdha këtu në radhë të parë për arbërorët, për të parë diçka për vreshtarinë dhe verëtarinë e arbërorëve sepse shqiptarët e viteve ’90-të po merren me veprimtari të tjera jo të mirëfillta sepse nuk është mundësia prandaj bashkëjetova me mërgimtarët shqiptarë; ndenja vetëm dy ditë, me mbresa vërtet sipërore, por nuk pata kohë dhe mundësi për më shumë. Tani janë kohë të ngjeshura. Pardje u ktheva nga Italia tek arbëreshët, dy ditë në Greqi, pasnesër jam në Kosovë për tri ditë, pastaj jam tri ditë në Shkodër e kështu me radhë, dhe me datën 2 maj kthehem në SHBA. Jetë e ngjeshur në kuptimin pozitiv. Me mundësi komunikimit në internet, me telefon, me libra. Nuk është vetëm takimi shpirtëror i drejtpërdrejt, për të pirë një kafe dhe për të ndenjtë bashkë sepse është jeta e tillë, e ngjeshur. Ju këtu jeni shumë të ngarkuar, keni punë, keni veprimtari, keni familje. Gjithashtu edhe unë. Ju falënderoj edhe një herë juve dhe nëpërmjet jush një mesazh për gjithë botën shqiptare.
-Profesor faleminderit! Rrugë të mbarë dhe mbi të gjitha ju uroj që të keni jetë të gjatë dhe penë në dorë për shkencën shqiptare.
Unë përdor një shprehje: Edhe më shumë mbarësi.  Ju keni mbarësitë tuaja, por dëshira ime është për edhe më shumë mbarësi për ardhmërinë. Të shohim përpara duke u mbështetur tek e kaluara e cila të mos jetë pengesë, mos të jetë nostalgji, por trampolinë për të shkuar përpara me optimizëm, me besim dhe në bashkëpunim me njeri tjetrin.Ta duam atdheun tonë. Nuk do të bëj moral sepse ju jeni më të vuajtur, më të përplasur me jetën këtu, por shihni përpara, mbështetuni në dijenitë tuaja, në aftësitë tuaja. Ju jetën e keni çarë jo duke kërkuar lëmoshë, jo duke kërkuar miqësi të rreme, por mbështeteni në aftësitë e juaja; të tre ju, keni veprimtari përkatëse, ekonomike, shoqërore, atdhetare. Faleminderit!
-Faleminderit i nderuar profesor!