Ballina Ekonomia Të rinjtë “braktisin” punën

Të rinjtë “braktisin” punën

86
0

Punësimi i të rinjve është tkurrur përgjatë vitit 2023 edhe pse tregu i punës në tërësi ka shfaqur ndyshime pozitive. Duket se të rinjtë po hasin vështirësi në integrimin e tyre në punë në një moment kur popullsia e vendit është në rënie ndikuar nga lindjet dhe emigracioni i moshave të reja. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat nga INSTAT dhe EUROSTAT për të krijuar një panoramë mbi tregun e punës për të rinjtë në Europë.

Norma mesatare e punësimit në Europë për grupmoshën 15-29 vjeç regjistrohet në 49.7%, referuar tremujorit të fundit të vitit që lamë pas. Shqipëria është e vendosur nën mesataren europiane me një normë punësimi prej 43.1% në tremujorin e katërt të vitit 2023. Edhe pse nën mesatare, shifrat tregojnë se kemi normë punësimi për të rinjtë më të lartë se Serbia dhe Bosnje Hercegovina, vende të cilat janë pjesë e të dhënave zyrtare nga “Agjencia Europiane e Statistikave”.

Serbia e regjistron këtë tregues në 39.2%, ndërsa Bosnje Hercegovina, e cila renditet në vend të fundit, e llogarit normën e punësimit për të rinjtë në 34.1%. Shqipëria renditet më mirë edhe se disa vende të Europës si Sllovakia, Spanja, Bullgaria, Italia, Greqia dhe Rumania. Holanda dhe Islanda janë dy vendet me normën më të lartë prej 80% dhe 74.3%.

Por çfarë ka ndodhur në harkun kohor të një viti? Si renditet vendi ynë sa i përket ndryshimit vjetor të këtij treguesi, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022? Sipas grafikut, Shqipëria pozicionohet mes vendeve të cilat kanë shënuar rënie të normës së punësimit për të rinjtë, me 1.5 pikë. Serbia po ashtu ka regjistruar rënie të normës së punësimit për grupmoshën 15-29 vjeç. Mesatarja e Bashkimit Europian flet për një rritje me 0.4 pikë, ndërkohë vendi më rënien më të lartë të punësimit në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, është Estonia. Nga ana tjetër, Bosnje Hecegovina dhe Turqia patën rritjen më të lartë.

Nisur nga të dhënta e INSTAT vërehen ndryshime në normën e punësimit mes grupmoshave të ndryshme. Norma e punësimit për grupmoshën 15 vjeç e lart regjistrohet në 57.1% në tremujorin e katërt të vitit 2023, ndërkohë për grupmoshën 30-64 vjeç ky tregues është 77.5%.

Nëse analizojmë numrin e të rinjve të punësuar përgjatë kësaj periudhe, të dhënat flasin për 253,516 të rinj të punësuar në Shqipëri, ndërkohë që në tremujorin e katër të vitit 2022 ishin 274,526 të rinj të punësuar. Pra, nga një përllogaritje e thjeshtë shohim se në vitin që lamë pas dolën nga tregu i punës rreth 21 mijë persona të grupmoshës 15-29 vjeç.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72.6% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 1.4%, klasifikohen si të papunë të dekurajuar.