Ballina Politika Intervista/ Kryebashkiaku Arbana: Nis puna për asfaltimin e rrugëve në zonat rurale

Intervista/ Kryebashkiaku Arbana: Nis puna për asfaltimin e rrugëve në zonat rurale

141
0
Cilat janë punët që po bëhen aktualisht në Shijak?
Shijaku ka rilindur si qytet gjatë katër viteve të fundit. Kemi lagje që janë ndërtuar nga e para dhe janë bërë ndryshime radikale.
Po vazhdon puna me projektet që kemi nisur prej disa muajsh, siç është Pallati i Kulturës, që po ndërtohet nga e para për t’i dhënë një frymë tjetër jetës kulturore shijakase.
Po përfundojmë sistemimin e të gjithë rrugëve brenda lagjeve të Shijakut, një domosdoshmëri kjo pas rindërtimit nga tërmeti, për të pasur një qytet sa më të rregullt me rrugët, trotuaret dhe ndriçimin e duhur.
Kemi projektin që shpresoj ta zbatojmë sa më shpejt të qendrës së qytetit, sheshit kryesor. Shijakasit meritojnë një qytet me hapësirat e duhura për çdo grupmoshë.
Kemi pasur një vëmendje shumë të madhe te fëmijët sa i takon infrastrukturës arsimore të shkollave dhe kopshteve të reja të ndërtuara. Dhe do vazhdoj ta them gjithmonë me optimizëm: Më e mira është përpara, sepse kemi shumë punë të mira për të bërë në shërbim të familjeve shijakase.
Nga sugjerimet që merrni nga banorët e Shijakut cila është kërkesa më e shpeshtë për investimet e bashkisë?
Investimi në rrugët e zonave rurale është kërkesa që më kanë bërë më shpesh banorët e Njësive. Bashkia ka vendosur prioritet që gjatë këtij mandati të dytë nën drejtimin tim, të asfaltojmë rrugët e fshatrave të amortizuara prej shumë vitesh.
Rindërtimi ka qenë kryefjala e investimeve tona pas tërmetit, si një nevojë emergjente për t’i dhënë shtëpi familjeve që mbetën të pastreha, apo për të riparuar banesat me dëme më të vogla, gjë që me mbështetjen e Kryeministrit Rama ja kemi dalë mbanë me sukses. Investimi në rrugët e fshatrave do të nisë shumë shpejt. Kjo do të jetë një lehtësi e banorëve të atyre zonave gjithashtu dhe një shtysë për nxitjen e agroturizmit.
Pas rindërtimit cila është sfida juaj e radhës si kryetar i bashkisë Shijak?
Menaxhimi i mbetjeve urbane është një nga sfidat më të mëdha mjedisore, jo vetëm në Shijak, por kudo.
Vëmendja e bashkisë është përqendruar te kjo çështje për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë pastrimit të përditshëm të qytetit.
Mendoj se për këtë, përveç punës së bashkisë është shumë i rëndësishëm dhe sensibilizimi i qytetarëve dhe bizneseve. Bizneset duhet të zbatojnë rregullat e vëna në lidhje me hedhjen e mbetjeve urbane, gjithashtu dhe qytetarët të kujdesen gjithmonë të mos hedhin plehra në vendet ku nuk janë vendosur koshat.
Secili duhet të ketë ndërgjegjen qytetare, për të pasur mjedisin jashtë shtëpisë, ashtu siç e duam dhe brenda oborrit të shtëpisë tonë.
Me të njëjtin përkushtim që ne punojmë, kërkojmë dhe bashkëpunimin e qytetarëve shijakas.
Si i deleguar nga Partia Socialiste në disa OS të Shijakut dhe Durrësit si ka ecur puna me antarësimet e reja?
Kemi pasur shumë antarësime të reja, ndër to kanë qenë shumë gra dhe vajza. Njerëzit kanë kuptuar që Partia Socialiste punon për progresin e Shqipërisë. Në 2025 shqiptarët duhet të mbështesin PS-në dhe liderin Edi Rama, i cili në themel të vizionit të tij qeverisës ka mirëqenien e qytetarëve, mbështetjen e grave, aftësinë dhe përgjegjshmërinë për t’i shërbyer sa më mirë shqiptarëve dhe të ardhmes së fëmijëve. Të gjitha këto i ka treguar me punën e tij gjatë këtyre viteve.
Keni një kundërpërgjigje për lajmet që ndonjëherë shkruhen nëpër portale, ku shpesh ju replikoni me fakte që nuk janë të vërteta?
Portale të tilla kanë zgjedhur të bëjnë një punë, duke shkelur parimimin bazë të gazetarisë: vërtetësinë. Kjo është zgjedhja e tyre e gabuar, të punojnë për klikime. Përgjigja jonë është puna.
Puna jonë flet me fakte që i shikojnë dhe i prekin të gjithë banorët shijakas. Gjithmonë ka vend për të përmirësuar punën e bashkisë. E rëndësishme është që unë mundohem të bëj më të mirën, duke punuar me përkushtim dhe me zemër. Këtë frymë jam munduar të përcjell dhe te stafi im.
Një pyetje për turizmin: Keni pritshmëri gjatë stinës së verës për pritjen e shumë turistëve në Shijak?
Fluksi i turistëve në gjithë Shqipërinë shpresojmë që do të sjellë vizitorë dhe te ne, sepse fshatrat e Shijakut kanë një natyrë mbresëlënëse, tërheqëse për tu vizituar nga ata që preferojnë natyrën dhe agroturizmin.
Bashkia Shijak po promovon fshatrat e Shijakut edhe përmes fotove të bëra nga vetë banorët e këtyre zonave.
Gjithashtu në qershor ne presim një grup motorristash nga e gjithë Europa, që vijnë të vizitojnë qytetin tonë. Madje, kjo po kthehet në traditë tashmë.
Cili do të ishte një mesazh drejtuar banorëve të Shijakut? Diçka që ndoshta nuk e prekëm gjatë kësaj interviste?
Punët e mëdha nuk realizohen nga sot, nesër. Ato kërkojnë pak kohë për të dalë në dritë si investime madhore që kemi bërë në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare dhe mbështetjen e Kryeministrit.
Unë e dua Shijakun dhe i shërbej të gjithë banorëve njëlloj. Qytetarët që kanë zgjedhur të rrisin fëmijët e tyre në Shijak duhet të kenë kushtet që ofron një qytet i vogël europian, shkollat e reja, hapësira të gjelbërta, mundësi për të zhvilluar talentet e tyre etj.
Për këtë punojmë çdo ditë! Falenderoj gjithë qytetarët që na mbështesin dhe besojnë te vizioni ynë dhe puna jonë e përditshme.