Nga Ornela Çuçi
Mëkat të madh bën….
Pata një diskutim të gjatë dje me studentët e mi, në lidhje me Sfidat e Moralitetit dhe Etikës në Shoqërinë Shqiptare. U befasova se sa pak ka ndryshuar diskutimi në bërthamën familjare, në lidhje me tabunë e bukurisë. Pothuaj aspak nga kur unë isha në moshën e tyre. Sidomos në familjet jashtë qendrës së Tiranës… e Shqipëria nuk është Tiranë.
Në shoqërinë shqiptare, tema e bukurisë është një prej tabuve më të diskutuara dhe më të ndjeshme në bisedat rreth moralitetit dhe etikës. Diskutimi për marrëdhënien midis bukurisë dhe moralitetit ka sjellë shumë vëmendje dhe reflektim teorik në të kaluarën dhe vazhdon të jetë një sfidë praktike për shoqërinë tonë sot.
Mos I bëj thonjtë se je në gjimnaz, mos i lyej flokët se je e vogël, mos e vish fundin e shkurtër edhe Pse këmbët i ke kaq të bukura…. Pastaj vitet kalojnë dhe vazhdojnë fiks të njëjtat diskutime me mbaresë të ndryshme: nuk ke moshë për këto, i ke fëmijët sa koka…
E jeta kalon, nga një “mos” në një tjetër.
Në bisedat e mia me studentët në lidhje me këtë çështje, kuptova një perceptim të ngjizur në familje që karakterizon shoqërinë shqiptare: bukuria dhe shfaqja e saj janë të shënjestruara si tabu. Dhe prindërit e tyre, janë brezi im. 30 vjet Demokraci…
Unë e pranoj që vajzat dhe djemtë janë të përcaktuar në mënyrë të ndryshme: për vajzat, shfaqja e bukurisë mund të interpretohet si një mungesë e zgjuarsisë dhe e kulturës, ndërsa për djemtë, këto standarde kërcënojnë burrërinë e tyre, por njësoj siç përpara 30 vitesh?!
Reflektova gjatë e pas asaj bisede të lirë në kuadër teme leksioni.
Sa patriarkalë po e rrisim edhe një tjetër brez? A është thjesht përparësi e Vlerave Tradicionale? A jemi thjesht ende shumë konservatorë në këto vlera apo frigohemi nga antivlerat që e kanë pushtuar çdo ekran të madh apo të vogël. Shoqëria shqiptare ende vlerëson në mënyrë të konsiderueshme vlerat tradicionale, duke përfshirë këtu pikëpamjet patriarkale mbi rolin dhe shfaqjen e femrave dhe burrave në shoqëri.
Nga ana tjetër, gocat e bukura nuk shkojnë vetëm në Dubai, I gjen edhe ne fakultet. Media, Ajo sociale më së shumti po e luan një rol kaq të madh për strehën paragjykuese të families dhe shoqerisë. Në një shoqëri ku emancipimi dhe pavarësia e grave dhe vajzave po përjeton një rritje gradual, ideja se shfaqja e bukurisë është një tabu mund të konsiderohet si një pengesë në rrugën drejt barazisë gjinore dhe lirisë individuale.
Bukurinë ta ka falë natyra, formësimin e trurit gjithashtu!
Të ndihesh bukur është po kaq e rëndësishme sa të shkëlqesh në mësime, sepse mënyra si ndihesh të jep vetëbesimin që ke nevojë për të shprehur atë që di apo që ke mësuar. Unë e mësova këtë në 40 vjeç, e ende kam kaq shumë komplekse.
Mesojuani fëmijëve tuaj!