GJKKO ka hedhur poshtë sërish kërkesën e Berishës dhe Malltezit për ndryshim të masës së sigurisë. Kërkesa u paraqit prej avokatëve në seancën e informacioneve dy mujore ku u kërkua dhe heqja e masës e cila u hodh poshtë.
Në dalje nga GJKKO, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj sulmoi sërish Prokurorinë e Posaçme duke thënë se po sillet si një parti politike.
‘Kishim dy objekte, e para revokim i masës dhe diligjenca dy mujore, Gjykata vendosi afërmendsh si kërkoi Prokuroria. U rrëzua kërkesa për revokimin e masës, ajo që është alarmante, që diligjenca dy mujore ishte kopja e dy muajve më parë. Kishte një shtesë që SPAK kishte kërkuar informacion a kishin ndërtesat mbrojtje kundër zjarrit. Janë shumë fashikuj por kuptojmë që është i njëjti tekst. Ky është një skandal më vete, lideri i opozitës vijon të jetë në shtëpi.
Ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave. Janë humbur disa beteja, por nuk është humbur lufta. Këtë luftë do ta fitojmë dhe do t’ju njoftojmë. Kur them betejë dhe luftë, aty është dyluftim në gjyq, pavarësisht se SPAK sillet si një parti politike, por do ndjekim rrugën ligjore që është i vetmi mjet i sigurt për të na çuar tek e vërteta. Këta bëjnë sikur nuk kuptojnë por në fund do ta marrin përgjigjen’, tha Gjokutaj.
Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen prej muajsh në masën arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve për të njëjtën dosje.
Edhe më herët, Berisha dhe Malltezi i ishin drejtuar GJKKO-së për lehëtsim të masave të sigurisë, por kërkesat e tyre janë refuzuar nga Gjykata e Posaçme si dhe nga Apeli i Posaçëm.