Teksa kosto totale për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit përllogaritet në 373 mln euro, rreth 60 mln euro e kësaj shume nevojitet për elektrifikimin e saj.
Sipas planit të financimit të projektit, vlera për një linjë hekurudhore elektrike përfshin edhe mbikëqyrjen e punimeve, në masën e 2.81 mln euro, si dhe dokumentet e projektimit dhe tenderit, me një kosto prej 0.55 mln euro. Për elektrifikimin e kësaj linje hekurudhore nuk parashikohen kosto për marrjen e tokës.
Ndërkaq, pjesa tjetër e financimit prej 313 mln euro për ndërtimin e kësaj linje përfshin punimet civile, mbikëqyrjen e punimeve, projektin e detajuar dhe dokumentet e tenderit, etj. Linja hekurudhore do të ndërtohet përmes 2 kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve, si dhe një granti të dhënë nga Bashkimi Evropian.
Ndërtimi i saj pritet t’i japë hov zhvillimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave, me një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarë/vit dhe volum mallrash prej 900 000 ton/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë, ndërsa punimet për rehabilitimin parashikohet të përfundojnë në fund të vitit 2030.
Referuar planit, procesi i prokurimit për projektin hekurudhor që lidh Shqipërinë me Malin e Zi është parashikuar të vazhdojë deri më dhjetor 2024, ndërsa punimet do të duhet të nisin në dhjetor të këtij viti e të zgjatin 6 vjet.