Gati një muaj më parë, Asambleja Parlamentare votoi në favor të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Tani shteti më i ri në Evropë po kërkon mbështetjen ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Por për ta arritur qëllimin final, Kosovës po i kërkohet që të bëjë hapa konkret drejt formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Andaj, ish-përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës ta dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
“Ende nuk është zgjidhur problemi me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Aplikacioni i Kosovës tash do të kalojë te Këshilli i Ministrave dhe duhet të ketë shumicë të mirë edhe në Këshillin e Evropës, që të votojnë në favor të aplikimit të Kosovës. Do të ishte e rëndësishme nëse Qeveria dërgon draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse të gjithë pajtohemi që Asociacioni i Komunave Serbe duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Pra, i mbetet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vendos për këtë. Mendoj që Perëndimi po kërkon një zgjidhje tani”, thotë ai.
Diplomati holandez ka kritikuar qasjen e Serbisë në raport me Kosovën. Sipas tij, Beogradi nuk po shfaq shenja të gatishmërisë që Kosova të jetë pjesë e anëtare e organizatave ndërkombëtare.
“Është fatkeqësi së Serbia nuk shfaq shenja të gatishmërisë që Kosova të jetë pjesë e anëtare e organizatave ndërkombëtare. Akoma shfaqin vendosmërinë e tyre për të bllokuar aplikimet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo është shumë e padrejtë, dhe nuk ndihmon fare në krijimin e një atmosfere politike drejt pajtimit dhe lëvizjes para drejt normalizimit”, ka thënë ai.
Në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka folur edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov.
Me gjuhë viktimizuese Lavrov gjatë së hënës deklaroi se ministrat do të marrin vendim pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Për disa ditë, javë, edhe Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të vendosë për këtë çështje dhe nuk ka dyshim se do të marrin të njëjtin vendim. Aktivitetet e tyre në lidhje me Kosovën dhe Këshillin e Evropës tashmë po e arsyetojnë me faktin se në Kosovë ka progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, në krijimin e një sistemi gjyqësor efikas. Por të gjithë e dinë se Kosova është një territor i paligjësisë”, tha ministri i jashtëm rus.
Serbia në vazhdimësi ka kërkuar që Kosovës t’i vihet kusht formimi i Asociacionit para anëtarësimit në Këshillin e Evropës.