Nga Agron Duka
Fjalimi i stërgjatë i kryeministrit Rama kundër korrupsionit sot, në një mbledhje të “jashtëzakonshme” partie dhe qeverie bashkë, ishte një përpjekje e dëshpëruar për ti ikur përgjegjësisë se tij personale dhe përpjekje për të shpëtuar qeverinë dhe partinë nga aferat e shumta.
Pasi mbajti një leksion teorik mbi korrupsionin dhe format e tij, dhe pasi dekoroi qeverinë e tij si më të mirën që nga koha e Sulltan Muratit, ai uli kokën dhe pranoi atë që nuk mund ta mohojë më: Korrupsionin në qeverinë e tij. Por, si gjithmonë, duke u fshehur pas “përgjegjësisë personale”. Ai lëshoi një lumë akuzash ndaj “ministrave dhe kryetarëve të bashkive” pa emra, që ndërsa të tjerët punojnë natë e ditë për Shqipërinë, ata vjedhin dhe shtojnë pasuritë në mënyrë të fshehtë. Ndaj atyre që i quajti ushunjëza e insekte që ushqehen me trupin në të cilin parazitojnë, tradhëtarë me kollare e karrige, që nuk meritojnë të jenë “ne” dhe në fund, bëri atë që bën gjithmonë: Deklaron diviorcin prej tyre. divorc të cilin e shiti me meritë të madhe si sukses kundër korrupsionit.
Në fakt sukses do të kishte qenë nëse korrupsionin do të ishte frenuar, ndërsa kjo që bën prokuroria është thjeshtë ndëshkim i atyre që kanë bërë korrupsion, por pasi paratë kanë fluturuar.
Thjeshtë, në fund Rama paralajmëroi largimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës nga lidershipi politik i partisë, ashtu sic bëri dikur me Arben Ahmetajn, kur prokuroria po i afrohej dalëngadalë.
Morali është njësoj: pas ccdo afere, partia dhe qeveria është edhe më e fortë, sepse nga trupi i saj i pastër largohen gjakpirësit që ia prishin imazhin. Por ajo që kryeministri nuk përmend është fakti se këta bashkëpunëtorë të tij të afërt, që ai i distancon për të shpëtuar vehten dhe partinë, dikur kanë qenë krahu i djathtë, dhe i ka mbrojtur deri në momentin e fundit, pa asnjë hezitim dhe me forcë. Por në fund, thjeshtë dorëzohet dhe tërhiqet të shpëtojë vehten.