Kur mbeten edhe dy ditë nga takimi i kryeministrit Edi Rama me bashkatdhetarët shqiptarë në Greqi ne kuadër të turit për diasporën, kreu i qeverisë e cilëson këtë datë si një moment krenarie për të gjithë shqiptarët atje.
‘Mirëmëngjesi dhe me ftesën që më në fund ka edhe adresën, duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë, ju uroj një ditë të mbarë.’- shkruan Rama.
Teksa ka ftuar qytetarët, Rama ka njoftuar qytetarët edhe për adresën e saktë të takimit. Takimi do të mbahet në Athinë në orën 11:00 në stadiumin Galatsi në Bulevardin Veikou.
Takimi i parashikuar të mbahet në datë 12 maj, në mediat greke u lexua si provokim nga pala shqiptare, pasi përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, për të cilin Shqipëria dhe Greqia u futën në një përplasje politike dhe diplomatike.
Nga Partia Socialiste dhe kryeministria nuk ka patur në asnjë moment pohim se po hasin në vështirësi me konfirmimin e vendit ku do të mbahej takimi, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ka konfirmuar se do të vijojë me të njëjtën axhendë.
Takimi në Athinë me emigrantët shqiptarë që jetojmë atje, vjen në kuadër të një turi që kryeministri Rama do të zhvillojë me diasporën, fillimisht në Greqi, më pas në Londër, Milano, dhe Duseldorf të Gjermanisë.