Në muajin mars të këtij viti, zyrtarë nga 194 vende u mblodhën për të rënë dakord për një plan global, për të trajtuar një kërcënim të njohur si “Sëmundja X”. Emri i koduar ogurzi i referohet sëmundjes ende të panjohur që pritet një ditë të shkatërrojë botën në një përsëritje të Covid-19, ose ndoshta të shkaktojë dëme edhe më të mëdha.
Kjo frikë tani ka nxitur 9 raunde negociatash ndërkombëtare mbi tekstin e traktatit të parë të pandemisë në botë, i cili duhet të arrihet përpara se të mblidhet asambleja vjetore vendimmarrëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në maj. Marrëveshja synon t’i ndihmojë qeveritë, institucionet dhe popullsinë të shmangin gabimet që u bënë gjatë krizës së Covid, por arritja në një marrëveshje po shkakton ndarje të thella.
Gjatë bisedimeve që janë zhvilluar online dhe fizikisht në Gjenevë, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme po u bëjnë presion kombeve të pasura dhe kompanive farmaceutike që të shkojnë shumë më tej, sesa kanë bërë më parë në ndarjen e burimeve shëndetësore që shpëtojnë jetë.
Disa konservatorë në SHBA dhe në vende të tjera argumentojnë se traktati po shkon shumë larg. Kur raundi i fundit i bisedimeve u mbyll pa marrëveshje më 28 mars, titulli i një lajmi në Fox Neës ishte: “Sëmundja X: Kritikët thonë se Biden e pranoi që po shet sovranitetin e SHBA me traktatin e OBSH-së”. Në sfond, tensionet në rritje gjeopolitike midis vendeve të fuqishme, por edhe ndryshimet politike brenda disa prej tyre kërcënojnë të shkatërrojnë synimet e traktatit.
Në zemër të kësaj stuhie është drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili mbetet i bindur se vendet do të bien dakord për disa versione të marrëveshjes. “Ata e dinë se kush dëshiron çfarë. Kështu që është koha për të dhënë dhe për të marrë tani”, thotë ai.
Edhe shumë analistë shpresojnë se marrëveshja historike, më ambiciozja nga një numër iniciativash për të përmirësuar gatishmërinë ndaj pandemisë, mund të arrihet. Vendet synojnë të korrigjojnë dështimet serioze të monitorimit, reagimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që çuan në miliona vdekje dhe dëme të rënda ekonomike dhe sociale gjatë pandemisë së Covid-19.
“Shpresoj që përvoja e pandemisë t’u kujtojë njerëzve se kur këto ngjarje ndodhin, ato bëhen vërtet shqetësime për sigurinë globale”, thotë Richard Hatchett, shefi ekzekutiv i Koalicionit Ndërkombëtar për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (Cepi). “Siguria shëndetësore, siguria ekonomike dhe madje edhe siguria kombëtare janë në rrezik kur sëmundjet infektive dalin jashtë kontrollit”, shprehet ai. Përgjigjet ndaj shpërthimit të sëmundjeve kanë qenë historikisht një cikël paniku dhe neglizhence. Por aktualisht ka një shkallë të madhe angazhimi nga vendet, pasi po e njohin përgjegjësinë e tyre dhe ky moment është tani.
Për sa kohë që njerëzit janë rrënuar nga sëmundjet infektive, pandemia e ardhshme do të jetë një çështje kohe. Shpërthimi i Covid-19 theksoi se faktorët e rrezikut janë më të shumtë tani se sa në çdo moment tjetër në histori, pasi ka më shumë njerëz në botë, që jetojnë më dendur dhe që lëvizin shumë. Këto tendenca, plus bujqësia e blegtoria gjithnjë e më intensive dhe tregtia e rregulluar dobët e kafshëve, kanë rritur rrezikun e sëmundjeve zoonotike, ku patogjenët transmetohen nga kafshët te njerëzit.
Kërcënimet zoonotike kanë qenë prej kohësh me ne – tërbimi dhe salmonela janë dy shembuj – dhe përbëjnë shumë sëmundje infektive të sapoidentifikuara apo disa prej kërcënimeve më shqetësuese të fundit, si virusi Ebola që shpërtheu në Afrikën perëndimore në 2014.
Këta faktorë, të kombinuar me përvojën e zymtë të Covid-19, lindën idenë e një traktati ndërkombëtar për gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë. Supozohej të ishte gjithashtu një mënyrë për të shëruar ndasitë që u shfaqën gjatë pandemisë, kur vendet e pasura blenë miliarda doza vaksinash për veten e tyre, ndërkohë që pjesa më e madhe e botës kishte qasje minimale në to.
Në një artikull të përbashkët të botuar në mars 2021, liderët e vendeve duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Afrikën e Jugut dhe Indonezinë propozuan marrëveshjen për të nxitur një qasje të të gjitha qeverive dhe të gjithë shoqërisë. Qëllimi i tyre ishte të përmirësonin bashkëpunimin global në sistemet e alarmit, shkëmbimin e të dhënave dhe kërkimin, si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e “kundërmasave”, si vaksinat, ilaçet, diagnostifikimi dhe pajisjet mbrojtëse personale.
Marrëveshja ka ringjallur kritika nga njerëzit që kanë dyshime ndaj institucioneve shumëpalëshe. Ata vënë në pikëpyetje përshtatshmërinë e OBSH-së mbi qëllimin e saj dhe nxjerrin në pah shqetësimet në lidhje me performancën e organizatës gjatë pandemisë, si për shembull koha që iu desh për të pranuar plotësisht pikën thelbësore; që Covid-19 përhapet përmes transmetimit në ajër. Në mbrojtjen e saj, OBSH tha se opinioni evoluoi me prova dhe se gjithmonë i këshillonte njerëzit të ishin të kujdesshëm.
Por me gjithë intensitetin e argumenteve mbi traktatin, vetë negociatat deri më tani kanë qenë të vështira dhe të zgjatura. Drafti i tekstit shfaqet në ekran dhe më pas shënohet me kllapa ose formulime alternative të sugjeruara ku vendet duan të bëjnë ndryshime. “Bëhet shumë e vështirë për t’u lexuar,” thotë një pjesëmarrës, i cili kërkon të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve.
Burimi kryesor i mosmarrëveshjeve ka qenë mbi zbulimin dhe shkëmbimin e informacionit rreth patogjenëve të rinj. Një grupim, i përbërë nga vendet aziatike, afrikane dhe të Amerikës Latine, kërkon rregulla të forta. Kjo do të përfshijë kompanitë farmaceutike që ndihmojnë në financimin e monitorimit të patogjenëve të rinj, gjë që do të përshpejtonte përpjekjet për zhvillimin e vaksinave. Informacioni gjenetik do të shpërndahej përmes një mekanizmi të njohur si Sistemi i Qasjes ndaj Patogjenit dhe Shpërndarjes së Përfitimeve. Por, ky propozim ka hasur në kundërshtimin e industrisë farmaceutike. “Në negociata, ekziston në mënyrë implicite kërcënimi se nëse nuk paguani, ata nuk do të ndajnë informacionin”, thotë Thomas Cueni, kreu në largim i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike, një grup global i industrisë.
Kompanitë farmaceutike janë të gatshme të ndihmojnë në përmirësimin e aspekteve të gatishmërisë ndaj pandemisë, shton Cueni. Ato do të regjistroheshin për “angazhime detyruese për ndarjen” e vaksinave, antiviralëve dhe barnave të tjera për organizata të tilla si OBSH, aleanca e vaksinave Gavi dhe Unicef. Këto angazhime mund të përfshijnë donacione dhe “çmime të niveleve të bazuara në kapital”, që janë marrëveshje për të ofruar çmime më të ulëta për vaksinat ose trajtime të tjera për vendet me të ardhura të ulëta.
Por industria farmaceutike nuk dëshiron të heqë dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për vaksinat, pasi të drejtat ekskluzive për barnat janë themeli i modelit të tyre të biznesit. Në vend të kësaj, kompanitë propozojnë ruajtjen e bashkëpunimit vullnetar. Kjo do të përfshinte shkëmbimin e informacionit midis kompanive që zbulojnë vaksina dhe prodhuesve të mëdhenj të ilaçeve. Premtimet për të zgjeruar prodhimin e vaksinave përtej qendrave tradicionale, si Shtetet e Bashkuara, Europa dhe India deri më tani kanë dhënë rezultate modeste. Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Korea e Jugut nënshkruan një marrëveshje, për ta bërë vendin e Azisë Lindore një qendër globale trajnimi për t’i ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që të prodhojnë vaksina dhe ilaçe të tjera.
Në dhjetor, BioNTech, kompania gjermane që zhvilloi vaksinën mRNA të Covid të prodhuar nga Pfizer, tha se planifikonte të fillonte prodhimin në një fabrikë në Ruanda, me një vlerë prej rreth 150 milionë dollarë, deri në vitin 2025. Fabrika përbëhet nga të ashtuquajturat BioNTainers, që janë laboratorë të krijuar nga kontejnerët e transportit.
Në Afrikën e Jugut, kompania Afrigen Biologics and Vaccines, pasi të licencohet, do të jetë në gjendje të prodhojë rreth 50 milionë doza në vit të një injeksioni mRNA, në rast të një pandemie të re, thotë drejtori i saj menaxhues, Petro Terblanche. Ndërsa kontinenti afrikan është shumë më mirë sesa ishte dy ose tre vjet më parë, kapaciteti është ende i vogël në krahasim me popullsinë prej më shumë se 1.4 miliardë banorë.
Pyetjes se sa para po shpenzohen në të vërtetë për përmirësimin e gatishmërisë ndaj pandemisë, është ende e vështirë t’i jepet një përgjigje. Banka Botërore, me ndihmën e OBSH-së, ka krijuar një Fond Pandemik për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të përmirësojnë gatishmërinë dhe reagimin e tyre. Banka tha në shkurt se kishte mbledhur më shumë se 2 miliardë dollarë kapital fillestar nga 27 kontribues.
Edhe alokimi i burimeve për kontrollin e sëmundjeve mbetet shumë i diskutueshëm. Pandemia e Covid-19 tregoi se si angazhimet për të ndarë furnizimet jetike shpesh nuk u pasqyruan në realitet, pasi vendet e pasura u jepnin përparësi qytetarëve të tyre.
Një polemikë tjetër është edhe misteri i vazhdueshëm rreth mënyrës se si Covid u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019. Hetuesit ndërkombëtarë kanë pasur akses të kufizuar, duke lënë pa përgjigje pyetjen vendimtare nëse virusi rrodhi nga një laborator. Pekini ka marrë pjesë në bisedimet e traktatit pandemik, duke argumentuar se marrëveshja duhet të fokusohet në “nevojat praktike të vendeve në zhvillim dhe të pasqyrojë parimet e drejtësisë, solidaritetit, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes”, sipas gazetës China Daily të kontrolluar nga qeveria. Në të njëjtën kohë, Kina, ashtu si fuqitë e tjera të mëdha, dëshiron të ruajë sovranitetin dhe fleksibilitetin e veprimit.
Një tjetër paqartësi mbi traktatin është edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetësit e marrëveshjes thonë se duhet të bihet dakord përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Në korrik 2020, Trump nxiti procesin formal për të tërhequr vendin nga OBSH. Por, në janarin e vitit 2021, Joe Biden e anuloi atë vendim, në një nga aktet e tij të para pasi u bë president.
Vizioni i atyre që mbështesin traktatin pandemik, në mënyrë që të kemi një përpjekje të barabartë dhe të harmonizuar për të luftuar krizën e ardhshme globale shëndetësore, është ende larg realizimit. Negociatat përfundimtare do të jenë një provë nëse vendet mund të lënë mënjanë grindjet dhe të arrijnë një marrëveshje. Është në interesin e të gjithëve që të përgatitemi më mirë për fatkeqësinë e ardhshme të pashmangshme shëndetësore globale. Ka ende mundësi për bashkëpunim, edhe në një botë të fragmentuar. Financial Times/ Lidion Kulla / SCAN