Ballina Opinion 2.3 miliardë euro nga Diaspora tek ne?

2.3 miliardë euro nga Diaspora tek ne?

61
0

Nga Fatos Çoçoli

Sot, të 5 mijë e 141 vendet e uljes në Stadiumin Olimpik “Galatsi” në Athinë ishin mbushur si kurrë më parë, me mbi 6 mijë shqiptarë, emigrantë dhe përfaqësues të Diasporës sonë në Greqi. Po bëhen mbi 3 dekada që asnjë kryeministër i Shqipërisë nuk ka organizuar një takim të përmasave qoftë edhe dhjetë herë më të vogla, në një nga vendet me Diasporë të jashtëzakonshme shqiptare, si në Greqi, Itali, Gjermani apo Britani të Madhe.

Zemërdhënia për vështirësitë nga “çështja” Beleri

Takimi i Ramës në Athinë, ku shumë mirë që ishin edhe ZvKryeministrja Balluku dhe gati gjithë qeveria, përfaqësoi një zemërdhënie të jashtëzakonshme për të 420 mijë shqiptarët që kemi në fqinjin tonë jugor.

Gjendja me komunitetin e madh dhe vibrues të shqiptarëve në Greqi nuk është e lehtë, pas vështirësive dhe mosmarrëveshjeve të shumta, deri në vonesa ose mohim dhëniesh dokumentash krejtësisht të ligjshme shqiptarëve në Greqi, të pjella nga një çështje e stisur për të ngacmuar e zemëruar sedrën e sëmurë të shovinizmit grek, si “çështja” Beleri.

Kjo çështje e stisur u ka sjellë vota të gjitha partive politike në shtetin fqinj, por shqiptarëve atje u ka hapur shumë probleme.

Prandaj dhe u bë shumë mirë që takimi i parë i kryeministrit të vendit me Diasporën nisi në Greqi.

Zgjedhjet 2025 ose takimi me historinë

Pranvera e vitit të ardhshëm për të gjithë kombin tonë është një takim me historinë. Duhet të bëjmë të pamundurën që të gjithë, qeveri, opozitë, shoqëri civile e media, që të arrihet që të paktën 50-60 mijë përfaqësues të Diasporës shqiptare në Greqi, Itali, Gjermani, etj., prej një totali prej një milionë e 580 mijë qytetarësh  në Bashkimin Evropian (shifra të fundit të EUROSTAT), të votojnë!

Diaspora jonë: sa emigrantë janë?
Sipas EUROSTAT, në vitin 2023 janë 1,58 milionë qytetarë shqiptare qe jetojnë ne Bashkimin Evropian
– Itali:                    531 mijë qytetarë ose 39.4%
– Greqi:                 420 mijë qytetarë ose 35.3 %
– SHBA: 118 mijë qytetarë ose 8.2 %
– Gjermani:           86 mijë qytetarë ose 5.2 %.

Nenet 24 dhe 25 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar më 22 korrik 2020, u japin mundësi të gjithë përfaqësuesve të Diasporës të moshës mbi 18 vjeç(janë mbi 1.35 milionë të tillë) të votojnë.

Mirëpo, vetë nenet nuk mund të bëhen shkop magjik dhe të shtrojnë udhën e votimit të Diasporës në zgjedhjet e përgjithshme apo ato vendore në Shqipëri. Nevojitet një infrastrukturë e plotë, të paktën elektronike (regjistër elektronik i të dhënave të përfaqësuesve të Diasporës: banimi, numri i identifikimit, pashaporta, etj.), si dhe nevojitet që vetë këta 1.35 milionë shqiptarë të njoftohen dhe të dinë botërisht se mund të votojnë për zgjedhjet në Shqipëri.

Lind pyetja: pse ka kaq rëndësi vota e Diasporës për ne? Ka rëndësi jetike për demokracinë tonë të brishtë, pasi, me votën e përfaqësuesve të Diasporës, vjen mendimi i pjekur politik, barazpeshimi dhe përgjegjshmëria që ne këtu na ka munguar aq shumë.

Vjen demokratizimi i mëtejshëm i jetës së vendit, perëndimizimi i tij(nga 1.58 milionë qytetarët jashtë vendit, 96 përqind e tyre jetojnë në demokracitë e Perëndimit). Përfaqësuesit e Diasporës kanë më shumë kapacitete se ne këtu, për shkak të mundësive në vendet ku punojnë, jo aftësive. Diaspora është komuniteti ynë qytetar më i hapur si mendësi. Ajo nuk e shet kurrë votën! Diaspora ka aftësinë të largojë paranë kriminale nga politika, gjë që nuk e kanë bërë në mbi dy dekada e gjysëm partitë tona.  Ajo na afron më shumë me partnerët dhe organizmat ndërkombëtare. Mjafton të shikojmë ndikimin e jashtëzakonshëm pozitiv që Diasporat përkatëse sollën në Itali, Rumani, Kosovë dhe kudo. Votimi i saj rrit ndjeshëm interesimin e dhjetëra mijëra sipërmarrësve të Diasporës në zhvillimin ekonomik të atdheut të tyre.

Pse ka rëndësi vota e Diasporës?
–          Me votën e përfaqësuesve të Diasporës vjen mendimi i pjekur politik, barazpeshimi dhe përgjegjshmëria
–          Vjen demokratizimi i mëtejshëm i jetës së vendit
–          Përfaqësuesit e Diasporës kanë më shumë kapacitete se ne këtu
–          Diaspora është komuniteti ynë qytetar më i hapur si mendësi
–          Diaspora nuk e shet kurrë votën!
–          Diaspora ka aftësinë të largojë paranë kriminale nga politika

Votimi i Diasporës dhe investimet e Diasporës

Nëse votimi nga Diaspora do të jetë i sukseshëm vitin e ardhshëm, do të shikojmë një shtim të ndjeshëm të dërgimit të parave(remitancave) nga emigrantët dhe rritje të numrit të investuesve nga rradhët e Diasporës.

 Paratë e Diasporës
·         Në 25 vite 1999-2023, emigrantët sollën 24.6 miliardë euro në ekonominë tonë
·         Vetëm për 2023, ata sollën një shifër kulmore prej 1.14 miliardë euro
–          Kursimet e Diasporës:                   12.7 mijë euro/banor
–          Kursimet e Diasporës në total:    21.3 miliardë euro!

Me entuziazmin nga pjesëmarrja e përfaqësuesve të tyre në zgjedhje, mund të ngremë me mekanizma shtetërorë fonde investimi, ku të kanalizohen të paktën mbi 2.3 miliardë euro dhe dollarë kursime të Diasporës, duke kaluar edhe paratë e pasigurta dhe tejet të kushtueshme të PPP-ve, aq problematike për ekonominë tonë.

Mbi 150 vende të botës dhe mbi 40 të tilla në Europë e aplikojnë votimin e Diasporës! Vendi ynë ka shansin të bëhet vitin e ardhshëm një prej tyre. E kemi të domosdoshme të emancipojmë realisht shoqërinë tonë, duke i mundësuar gjysmës së popullsisë që jeton jashtë kufijve të atdheut, që të votojë. Dhe ajo duhet të votojë! Me një fushatë të pashoqe komunikimi, informi dhe nxitjeje për të 1.35 milionë përfaqësuesit e Diasporës sonë të madhe dhe patriotike, për mundësitë që të votojë.

Diaspora dhe sipërmarrjet e saj, viti 2022
–          Itali                        32 mijë biznese të shqiptarëve
–          Greqi                     23 mijë biznese të shqiptarëve
–          SHBA                     8 mijë biznese të shqiptarëve

Burimi: Ministria italiane e Punës, prezantim i Dhomes se Tregtise se Athines, gazeta “Dielli” ne SHBA

Dje, të 420 mijë qytetarët tanë në Greqi u ndjenë të përfaqësuar dhe të mbështetur nga Tirana. Zemërdhënia dhe afërsia me Diasporën tonë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ndodhi vetëm dje.

Sa mirë që do të ndodhë sërisht edhe në Itali, me të 530 mijë qytetarët tanë që jetojnë atje! Duhet të na ndodhe edhe në Gjermani dhe në Britaninë e Madhe, pse sot kemi më shumë se 170 mijë qytetarë shqiptarë nga Shqipëria, që punojne dhe jetojnë në këto dy vende. E kemi të domosdoshme të sjellim më afër Diasporën dhe paratë e saj, pse prej tyre vetëm fitojmë. E ardhmja është Diasporë e integruar në atdhe!