Ballina Opinion Kryeministri Mitsotakis dhe fisnikëria e rifituar e shqiptarëve

Kryeministri Mitsotakis dhe fisnikëria e rifituar e shqiptarëve

39
0

Nga Alba Malltezi

Emigrantët shqiptarë në Greqi u bënë vetë. Pa ndihmën e asnjë shteti, pa mikëpritjen e fqinjëve. Ashtu si edhe emigrantët në Itali! Të gjithë janë bërë vetë duke kaluar vështirësi të paimagjinueshme. Ajo që për herë të parë bëri një politikan shqiptar si Edi Rama, ishte se u ul në gjunjë përpara tyre dhe nuk i gjykoi për asnjë sekondë siç ne vetë shqiptarët i kemi përqeshur e gjykuar në vite, si për shembull për ndryshimin e emrit në këmbim të një ëndrre për një jetë më të mirë.

Edi Rama u ul në gjunjë përballë bashkëatdhetarëve të tij, njerëz të punës, të sakrificave ekstreme, ndoshta jo perfektë, njësoj si të gjithë ne; ata të Greqisë janë emigrantët që sakrifikuan më shumë nga çdo tjetër emigrim që ka njohur populli shqiptar në vite. Rama i dha një këndvështrim të ri, një lexim të ri gjithë vuajtjes së gjatë dhe të thellë mes dy vendeve dhe pa tek shqiptarët e Greqisë një energji gjigande për të ardhmen e dy fqinjëve. Na takon ne të tjerëve tani ta pranojmë apo keqpërdorim këtë sfidë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe shumë politikanë të Greqisë nuk u ulën në gjunjë në Shqipëri përballë minoritarëve të mirë. Ata u ulën në gjunjë, metaforikisht, përballë Fredi Belerit, përfaqësuesit që ata mendonin dhe mendojnë se mund ta luajnë për të përfituar nga ai si një gur shahu që mund të lëvizet lehtë dhe mirë në marrëdhëniet reciproke. Është e çuditëshme të mendosh se si një politikan shqiptar hedh në tryezën e diplomacisë formula platoniane e sokratike të dialogut, ndërsa një politikani të sprovuar grek si Mitsotakis, i duhet sot gjuha dhe forca e muskujve të Fredi Belerit për të komunikuar me Shqipërinë.

Nuk e shikonin kështu Sokrati, Platoni 400 vite para Lindjes së Krishtit kur përshkruanin në dialogë tiparet më të thella njerëzore, format më të sofistikuara të individit, shoqërisë dhe Shtetit. Grekët e lashtë vendosën në piedestal inteligjencën, virtytet përballë instiktit dhe veseve, duke u përpjekur me elegancën e mendimit dhe të fjalës të gjenin më të mirën mes njerëzve. Lindi kështu koncepti i Demokracisë dhe vetë Demokracia, që edhe sot e kësaj dite mbetet më e bukura, dhe për njerëzit, më dinjitozja mes formulave.

-“Pra, kush, duke injoruar inteligjencën dhe virtytin, është marrë gjithnjë me bankete dhe kënaqësi të ngjashme, lëviz poshtë, e më pas rikthehet në mes e aty sorollatet përgjatë gjithë jetës, pa parë dhe pa u shtyrë kurrë drejt lartësisë së vërtetë për ta kapërcyer atë si kufi. Këta individë as nuk ushqehen me realitetin e vërtetë dhe as shijojnë kënaqësi të qëndrueshme dhe të pastra, pasi sillen si kafshët, të cilët shohin gjithnjë drejt tokës e të kërrusur drejt saj e tavolinës, e ushqehen me bar e çiftëzohen: e të shtyrë nga kjo babëzi e pangopur, duke u përplasur me brirë e thundra të hekurta vriten, pikërisht sepse nuk ushqejnë me atë që është reale, as pjesën e vërtetë të vetvetes dhe as guackën e tyre”.

-“Ti, Sokrat, flet si një orakull”, tha Glaukoni “për jetën e njerëzve!” shkruan Platoni në një cep të “Republikës” së tij.

Sa realë janë emigrantët shqiptarë në Greqi, gjithë puna dhe faktet e tyre, dhe sa real është Fredi Beleri në Shqipëri, gjithë puna dhe faktet e tij, është e lehtë për t’u peshuar dhe për t’u kuptuar. Në tavolinën e opinionit publik, mes Shqipërisë dhe Greqisë, sot për sot janë këto dy argumente. A janë këto argumente të marra veçmas në pjesën e poshtme, të ulët që thotë Sokrati, apo në atë të lartësisë dhe të fisnikërisë? Këtë dallim do të mund ta bënte edhe një fëmijë.