Një 40-vjeçare shqiptare gjetur e vrarë me thikë në Athinë. 40-vjeçarja është gjetur në rrugë me plagë në bark, ndërsa pranë saj kishte edhe thikën me të cilën është vrarë. Grupi hetimor deri më tani ka përjashtuar pistën e vrasjes për grabitje, pasi 40-vjeçares shqiptare i është gjetur çanta e paprekur me sendet personale, portofoli dhe celulari.
Mediat greke shkruajnë se autor i vrasjes dyshohet se është bashkëshorti i saj. Sipas mediave vendase paa vrasjes fshihet një histori dhune në familje, pasi 40-vjeçarja kishte denoncuar të paktën një herë më parë dhunën nga bashkëshorti.
Autoritetet policore janë njoftuar nga një kalimtar i rastit i cili ka parë trupin e gruas të shtrirë në tokë rreth orës 05:00 të mëngjesit të 16 majit. Ai pretendon se ka parë edhe momentin kur gruaja është plagosur dhe pritet të merret në pyetje nga policia për të dhënë më shumë informacione dhe detaje që mund të çojnë në kapjen e autorit.
Në vendngjarje ka shkuar një ekip i Departamentit të Vrasjeve dhe po kryhen hetimet, ndërsa po këqyren edhe kamerat e sigurisë në zonë.