Ballina Kulturë Defaktorizimi i normës morale të traditës familjare

Defaktorizimi i normës morale të traditës familjare

64
0

Nga Skënder Zogaj

Regjisorja Sevdije Ajeti në skenën teatrore, nuk është ende mjaftueshëm e afirmuar, mirëpo, ngadal e mirë po tregon se tempullit të Talias, nuk iu ka drejtuar rastësisht dhe se, në karrierë e presin suksese të sigurta. Këtë vlerësim e bazojmë në shfaqjen “Shtëpia e nënës Elena”, të autorit Osman Goranci, me të cilën regjisorja Sevdije Ajeti ka joshur kërshërinë e artdashësve, me përmbajtjen e një teksti të mirë që ia ka dhënë edhe bukurinë artistike të lojës teatrore.

Teksti i Osman Gorancit trajton temë të ndjeshme nga realiteti aktual i jetës familjare, e cila në ballafaqim me ndryshimet e mëdha shoqërore, po i ndryshon fuqishëm edhe raportet ndërnjerëzore që po e defaktorizojnë  normën tradicionale dhe premisat morale të jetës brendafamiljare, ku përgjërimi prek sidomos  të moshuarit! Rast tipik është Elena, intelektualja me karrierë të pasur  suksesesh në punë e në jetë, grua e bukur, nënë dhe familjare shembullore, të cilën humbja e bashkëshortit e shemb duke e lënë nën përkujdesjen e një motre medicinale, e cila i sado që i shërben me përkushtim të përzemërt, nuk mund t’ia zëvendësojë mungesën e familjarëve, bijve, nipave e mbesave dhe të afërmve të tjerë të shpirtit të saj.  Në këtë vetmi kah fundi i jetës, hyn Dioni, nga azili i pleqve, pijaneci kronik por zemërmirë që e dashuron sinqerisht, dhe e meriton martesën me Elenën e bukur, e cila vdes në duart e tij duke e lut Zotin, që t’ia mbrojë dhe shpërblejë pasardhësit e saj me të gjitha të mirat e jetës.

Kjo është përmbajtja e shfaqjes teatrore që regjisorja Ajeti e ka inskenuar me zotërim të duhur profesional, në të gjitha planet krijuese, me një strukturim të ngjeshur të mizanskenës teatrore të sintetizuar këndshëm në tërësinë e lojës skenike, nga defileu dhe akti  interpretativ i aktorëve, te skenografia e mirë, e thjeshtë  dhe funksionale e Jerina Hysajt; kostumet adekuate me karakteret e personazheve, zgjedhur me kriter e shije nga Samka Ferri;  muzika e pasur, efektive dhe komparative me gjendjet dhe manifestimet shpirtërore, sidomos me ankthet e kryepersozhit, Elenës, nga kompozitori Agron Shala; dritat, dekorin dhe të gjitha elementet tjera që e kanë realizuar performancën e bukur teatrore për publikun.

Kjo performancë është e tëra e modelit të klasikës tradicionale, por me pastërti të theksuar,  e rrjedhshme, jetësore, pa tentim spovimesh eksperimentuese, pra e natyrshme dhe tërësisht normale. Kjo është vlera shquese artistike e regjisores Sevdije Ajeti që vlerën e kërkon te loja teatrore: deklamimi i mirë i fjalës dhe bukuria e lojës aktoriale në skenë, që në bashkëdyzim e japin mesazhin e sintetizuar emocionues dhe përvetësues të publikut. Këtu qëndron e veçanta e poentës artistike të këtij inskenimi teatror që është një shfaqje shumë e mirë dhe e rrallë, ku dhembja shpirtërore shfaqet në skenë me përmasën e dhembjes së vërtetë jetësore! Pra këtu nuk ka falcitet krijues, nuk ka “art për art” por ka krijim artistik me mesazhe të pastra artistike.

Kryepersozhi- Elena është një rol kompleks me thyrje të shpeshta e të thella emocionale, sepse, krahas sëmundjes dhe anktheve, ka në fokus kujtimet e dikurshme: gruan e fortë e të suksesshme, krenare dhe të dobishme,  që pleqëria e lëndon duke e ndarë nga më të dashurit, dhe që, edhe pse e sëmurë dhe në vetmi, përpiqet të qëndroj autoritative dhe stoike deri në çastin e fundit të jetës. Këtë personazh e jetësoi në skenë me sukses të plotë aktorja Zeta Bahtiri, e cila me elokuencë i shpalosi dhe i shprehu nyancat e shumta fiktive shpirtërore të Elenës, duke u identifikuar bindshëm me karakterin e saj, dhe në mënyrë tërheqëse dhe bindëse e mbajti vëmendjen e publilut. Zeta Bahtirit posedon dhuntinë aktoriale, sepse e ka qetësinë, mimikën me finesa domethënëse dhe gjestikulacione të ngrohtëa, ka edhe hirësi ndjenjah që i përdor me vend dhe bukur, siç ndodhi në fundin e lojës, kur e fiksoi figurën ikonë të nënës duke iu lutur Zotit për mirësi ndaj fëmijëve të çsaj, ndonëse ata nuk e meritonin mëshirën e zemrës së nënës!

Figurë të bukur teatrore pasqyroi edhe aktorja Valina Muçolli në rolin e Laurës, infermiere lozonjare e llafazane, e hareshme dhe zemërmire, që me aktrim të gjallërishëm në formë dhe në përmbajtje, e dinamizoi lojën, dhe e freskoi narrativën dramatike të Elenës, së cilës me “provokime” miqësore ia hapte zemrën dhe e bënte të flas edhe për gjera intime. Ky rol i Valinës është për vëmendje!

Njësoj i suksesshëm ishte edhe Veton Osmani, aktori me përvojë të mirëfilltë që, edhe në këtë shfaqje e realizoi me gdhendje filigranike rolin Dionit, të përvuajtur që nga fëmijëria, kur detyrohet heq dorë nga shumë kënaqësi të jetës dhe ta luaj rolin prindor të kujdesit ndaj shkollimit motrës, e cila trimfon në jetë, por Dioni ka pësime sepse, ngushëllimin e kërkon te alkooli dhe  pasojat janë të mëdha. Ndonëse i moshuar dhe i vendosur në azilin e pleqve, Dioni ka kurajon të mos dorëzohet. E dashuron Elenës, dhe martohet me të, pavarëdisht se ajo është në fundin e jetës. I mjafton si ngushëllim kujtimi se ka pas një grua të bukur që e ka dashur sinqerisht! Me këtë rol Veton Osmani ka krijuar një figurë shumë e bukur, prototipe në teatrin tonë, dhe me peshë në karrierën aktoriale.

Duke mos i anashkaluar edhe dy rolet e tjera dytësore, Deni, i biri i Elenës në interpretim të Arlind Islamit dhe, Vesa, motra e Dionit, në interpretim të  Suela Konjarit, që u inkorporuan denjësisht në veprën artistike, me kënaqësi them se, shfaqja “Shtëpia e nënës Elena” është një shfaje që e vlenë të shikohet! E vlenë të shikohet sepse shikuesi del dy herë i fituar: shijon vlerë artistike dhe merr porosi të vlershme!