Ballina Opinion Dy ‘kryeveprat’ e Kurtit: Thaçi e UÇK në Hagë dhe izolimi i...

Dy ‘kryeveprat’ e Kurtit: Thaçi e UÇK në Hagë dhe izolimi i Kosovës

98
0

Nga Jakin Marena 

Albin Kurti ka dhënë një spektakël të turpshëm gjatë tërë këtyre ditëve të fundit, në përpjekje për t’ia faturuar Perëndimit bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Dha një spektakël ‘alla Albin’, me të cilin shqiptarët por dhe aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE dhe Britania e Madhe janë mësuar tashmë. Dhe për fatin e keq të Kosovës në radhë të parë, aleatët ia kanë gjetur ‘ilaçin’ Kurtit: ia presin shkurt, duke ia thënë qëndrimin shqip-shqip, pasi me gjuhë diplomatike Albini nuk kupton. Ose bën sikur nuk kupton asgjë.

Në përpjekje për t’u justifikuar përballë qytetarëve të Kosovës për të gjitha dështimet e tij në qeverisje gjatë këtij mandati dhe për të ‘injektuar’ qëllimin e tij që është fajësimi i aleatëve për gjithçka që po ndodh në Kosovë, Kurti kërkoi që çështja e asocacionit të mos ketë asnjë lidhje me procesin e anëtarësimit në KiE, duke kërkuar që të paktën brenda qershorit të merret një vendim pozitiv. Pra Kosova të bëhej anëtare me të drejta të plota.

Por përpos qëndrimit amerikan, të shprehur përmes ambasadorit të Uashingtonit në Kosovë dhe të dërguarit special ende në detyrë Escobar, edhe ‘peshat e rënda’ të BE-së, presidenti i Francës Macron, kancelari gjerman Scholz dhe kryeministrja e Italisë Meloni, ia prenë shkurt Kurtit, duke paralajmëruar se pa Asocacionin nuk ka anëtarësim të Kosovës në KiE.

Më konkretisht, pas letrës së dërguar nga qeveria e Kosovës drejtuar Këshillit të Europës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit në KiE, përgjigja e Perëndimit ishte negative! Në një letër të përbashkët, Kancelari Gjerman, kryeministrja e Italisë dhe Presidenti i Francës, i drejtohen Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do pranohet kërkesa, nëse nuk do ketë Asocacion!

Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

Kundër i doli dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila u shpreh se nuk kishte asnjë dijeni, jo më të jetë konsultuar për letrën dërguar KiE nga Kurti, duke këmbëngulur se mbështetja e aleatëve të mëdhenj, SHBA, BE dhe Britania e Madhe është jetike për Kosovën.

Teksa presidentja Osmani është tashmë në të njejtën ‘korsi’ me Perëndimin, Kurti që drejton qeverinë e Kosovës po bën hapa të mëdhenj kundër Perëndimit, duke e larguar akoma më shumë Kosovën nga aleatët dhe mbi të gjitha duke e larguar nga axhenda integruese në institucionet më të larta evropiane. Njëherësh dhe pamundësuar lobimin amerikan për proceset integruese të Kosovë siç nënvizoi dhe Escobar, i dërguari special i SHBA-vë.

Bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE është dhe ‘pika e fundit në gotën e mbushur plot’ me veprime të pamatura, aspak serioze dhe për fat të keq me dëm madhor kombëtar, që Albin Kurti ka ndërmarrë në armiqësinë e tij ndaj Perëndimit, pikërisht ndaj aleatëve që çliruan Kosovën dhe e bënë shtet, por dhe që prej më shumë se 25 vitesh e sot e kësaj dite, por e mbajnë me të gjitha mënyrat në këmbë si shtet.

Duke u përplasur me Perëndimin, duke paraqitur dhe në momentet e fundit draft pas drafti për Asocacionin, asnjëri njëlloj me tjetrin, dhe në kundërshtim dhe me draftin e propozuar nga të aleatët e mëdhenj për këtë qëllim, Kurti po përpiqet të tregojë para votuesve të tij në Kosovë se ai është një qëndrestar i fortë përballë qëndrimeve aspak të mira të aleatëve tanë, SHBA, BE dhe Britania e Madhe.

Këtë e thotë qartë Kurtit, teksa i deklaron Uashingtonit, se ata ‘nuk e shohin dot Kosovën me sytë e mi’. Një sfidë e qartë dhe tregues i hapur se Albini po mendon për pushtetin e tij dhe jo për Kosovën, e cila praktikisht është e izoluar në raport me partnerët ndërkombëtarë si asnjëherë.

E kërrusur nën peshën e sanksioneve të BE dhe të presionit amerikan, e përballur me bllokimin e financimeve të huaja për ringritjen e vendit, me një qeveri që flet vetëm për ‘luftë’, kundër armiqve të brendshëm, kundër amerikanëve, evropianëve e britanikëve, Tiranës zyrtare, kundër Serbisë po e po, Kosova gjendet në ditët e saj më të këqija që pas shpalljes së pavarësisë.

Aq shumë është ‘injektuar’ nga Kurti kjo ideja e ‘luftës’ në Kosovë, kjo dhe për shkak të ‘patriotëve’ të rrjeteve sociale, shumica e të cilëve janë rehatuar jashtë vendit ndërsa pjesa tjetër po ‘thith’ dhe ato pak pika ‘mjalti’ që kanë mbetur në Kosovë, për shkak se janë të lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes dhe i bëjnë ‘fresk’ Albinit, sa po të shkosh në Kosovë, duket sikur lufta është në prag. Megjithëse nuk ka ndonjë stërvitje në terren të ‘popullit-ushtar’, por thjeshtë dhe vetëm flitet në kafe e navigohet në rrjetet sociale, ku shpallen e asgjësohen armiq imagjinarë, si dhe evidentohet e lartësohet ‘heroi’ i madh Albin Kurti, drejtuesi dhe fituesi i kësaj ‘lufte”.

Që Albini nuk ka asnjë lidhje me luftën kjo është e ditur nga të gjithë, në Kosovë, dhe në tërë hapësirën mbarë shqiptare. Pasi në kohën kur dhe duhej të shkrepte ndonjë pushkë, teksa UÇK luftonte me armë në dorë dhe me ndihmën e aleatëve të mëdhenj dhe NATO-s çliroi vendin, Albini ishte kundër saj. Me deklarata dhe me vepra. Ishte dhe në burg në fakt, në burgjet serbe dhe ‘fitoi’ një mik atje, gardianin e burgut që i jepte libra të lexonte për të kaluar kohën, ndërsa shokët e tij të qelisë apo dhe të burgut, shqiptarë themi, nuk dihet ku i kanë kockat. Por ama Albini nuk di çfarë është lufta, madje e ka dhimbje këtë fakt, të cilin mundohet ta kompensojë tashmë në paqe, teksa aleatët ruajnë kufijtë dhe gjithçka në Kosovë, thjeshtë dhe vetëm duke shpikur dhe bërë armiq. Që ia kanë me ‘hile’ Kosovës.

Të vetmen lidhje që Albin Kurti ka me luftën, nëse mund të quhet lidhje kjo, është ndihma e pakursyer që ka dhënë për dërgimin e Hashim Thaçit dhe ish komandantëve të tjerë të lartë të UÇK në gjykatën e Hagës, nën akuzën për krime lufte. Për ta zhbërë luftën e heronjve të Kosovës për çlirim dhe vetë UÇK-në. Nuk e bëri akuzën Albini, për hir të së vërtetës. Por ama e ndihmoi shumë këtë akuzë, jo vetëm me ‘tundje koke’ se arrestimi i Thaçit është i drejtë, por dhe me një ‘prememorje’ zyrtare nga ministria e Drejtësisë së Kosovës drejtuar gjykatës Speciale të Hagës, me kërkesën po zyrtare që Hashim Thaçi të mos lirohet për t’u hetuar në liri, apo dhe arrest shtëpiak, pasi sipas qeverisë së Albinit është shumë i rrezikshëm dhe përbën një rrezik imediat për dëshmitarët. Duke paralajmëruar Hagën se Thaçi ka ndikim të fortë te organet e sigurisë në Kosovë, dhe se nuk mund ta mbajnë nën kontroll, e për pasojë sipas ministrisë së Kurtit, dëshmitarët kundër tij janë në rrezik jete.

Kaq deshën prokurorët e Hagës, madje mezi prisnin, dhe Thaçi dhe sot e kësaj dite është në burgjet e Hagës, ndërsa Albin Kurti për fatin e keq të Kosovës dhe sot e kësaj dite e ka ‘fushën politike’ të hapur, pasi ata që e mundnin në zgjedhje janë të burgosur. Dhe mbyllja e Thaçit në Hagë, kontributi për të mos e lënë të dalë prej andej, përbën dhe ‘kryeveprën’ e parë të Albin Kurtit gjatë qeverisjes së tij, kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës.

Ndërsa ‘kryevepra’ e dytë e Albin Kurtit është izolimi total i Kosovës, dhe zhytja e saj në një situatë tepër të vështirë, sa askush nuk e kishte imagjinuar që do të vinte dita që aleatët të cilët e çliruan 25 vite më parë, tashmë e kanë vënë nën sanksione ekonomike dhe politike Kosovën. Duke na prezantuar një realitet tërësisht të përmbysur, pasi Kosova për fatin e keq shihet në të njejtën ‘paralele’ me Serbinë përsa i përket kontributit për stabilitetin dhe integrimin e rajonit.

Por Kosova e ka një zgjidhje. Zgjedhjet parlamentare janë në prag, mund t’i afrojë për qëllimet e veta politike Albini ndoshta dhe 7-8 muaj, pasi parashikon se nuk do t’i mbetet më asnjë justifikim për gjithçka ka bërë kundër Kosovës, izolimit total të saj, dhe orientimin kundër Perëndimit.

Është në nderin e qytetarëve të Kosovës për të evidentuar fajtorin e vërtetë të tërë kësaj gjendjeje aspak serioze e konfliktuale me Perëndimin në të cilën gjendet për shkak të qeverisë së kryesuar nga Kurti. Shqiptarët e Kosovës s’duhet të mashtrohen dhe këtë radhë nga Kurti, që armiqësinë e tij me aleatët e mëdhenj, bllokimin e integrimit në strukturat evropiane e sanksionet ekonomike e politike të vendosura nga Perëndimi, të mos i ‘shesë’ tek votuesit si faj i ndërkombëtarëve apo për të spekuluar me idenë që i është tiposur fort në kokë se ai po qëndron fort përballë tyre për të mirën e Kosovës, duke marrë poza ‘heroi’, thjeshtë e vetëm për një grusht vota më shumë.

Qytetarët e Kosovës duhet ta mendojnë mirë përpara se të hedhin votën në kuti, se kush e solli në këtë gjendje Kosovën, kur e ndau në pro dhe kundër dhe e armiqësoi me aleatët, kush e varfëroi në atë fars feje se tashmë në Kosovën e punës nuk flitet më për punë. Duhet të binden se aleatët nuk janë armiq, pasi ata nuk mund të vrasin ‘krijesën’ e tyre, Kosovën, të cilën e mbajnë me para dhe e ruajnë me ushtarë.

Në fund të herës qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin, të jenë nën sanksione, të izoluar nga ndërkombëtarët, më të varfër, më të cënueshëm në pavarësi, kaq është takati i Kosovës për hir të së vërtetës për mbijetesë, duke mbajtur në krye të qeverisë Albin Kurtin ‘hero legjendar’ që po ‘përballon’ luftën me Perëndimin, apo shqiptarët e Kosovës të mendojnë për veten, familjet e tyre e të votojnë një alternativë që është e orientuar nga Perëndimi, për një Kosovë jo të izoluar dhe nën sanksione dhe mbi të gjitha të integruar në strukturat euroatlantike, që rrit dhe shkallën e mbrojtjes së shtetit të vetë Kosovës.

Gjithçka varet nga zgjedhja e shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet e radhës që janë në prag, pasi Albini nuk ndryshon. Ka vite që e tregon këtë, vetëm bën ‘pirueta’ banale  dhe luftë me aleatët. Nëse shqiptarët e Kosovës gabojnë sërish, nuk u ka faj as SHBA, as BE, as Britania e Madhe, as Shqipëria, madje as Albini vetë. Faji është i tyre, pasi është i përsëritur.

Në këtë rast, ajo që na mbetet të themi është: ta gëzojmë sërish Albinin nëse shqiptarët votojnë për izolimin, e bashkë me të dhe armiqësinë me aleatët, sanksionet e rrënimin e shtetit të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës janë përballë zgjedhjes më të rëndësishme, pas luftës së UÇK për çlirimin e vendit bashkë me aleatët, të ndalin rënien e lirë të shtetit të tyre, e të fillojnë ringritjen apo të rrëshqasin drejt humnerës. Them qytetarët e Kosovës, pasi të paktën deri më tani, opozita në Kosovë me duket një çikë e ‘vdekur’ politikisht, dhe më shumë luan në mbrojtje se sa në sulm. Mbrohet ndaj lëvizjeve të dëshpëruara të Kurtit. Shqiptarët e Kosovës mbeten me shpresë se izolimi dhe armiqësia të marrë fund, nga vetë ata.