Nga Alqi Koçiko
Atij, pas vitit 1945, nuk i dhanë as punë shtetërore, as pension. I hoqën triskën e Frontit, triskën e ushqimeve, por ia doli të mbijetonte disi, duke u marrë privatisht me përkthime. Vdiq më 1953, në spital, kur ishte i shtruar për kurim nga hipertensioni. Nëse çdo hap i jetës së tij interesante, por edhe të trazuar, mund të lihet në errësirë, ajo e cila vlen të theksohet sot, si një vlerë e vyer e mendimit shkencor ekonomik, është “promemoria”, të cilën më 22 dhjetor 1945, e dërgon “të rezervuar, vetëm për ministrat”.
Kjo promemorie, një dokument që për herë të parë është komentuar në mënyrë dinjitoze nga autorët Fatos Arapi dhe Trim Gjata, në vitin 1992, është një ese shkencore që zbulon fare mirë se çfarë lloj komunisti ishte ai dhe si e shihte të ardhmen e atdheut të vet. Fjala është për Kostandin Boshnjakun.
Kostë Boshnjaku lindi në vitin 1888, në Lunxhëri të Gjirokastrës. Studimet i kreu në Institutin Tregtar të Pireut në Greqi. Për disa vjet punoi në banka ndërkombëtare në Odesë dhe Pjetërburg të Rusisë. Kur më 1914-ën u formua qeveria e Princ Vidit, ai u emërua drejtor i Thesarit dhe Borxhit Shtetëror.
Gjatë “Revolucionit Socialist të Tetorit”, ai ndodhej në Rusi dhe ndoshta është i vetmi intelektual shqiptar, që i ka përjetuar nga afër ngjarjet tronditëse të Rusisë sovjetike.
U kthye në atdhe dhe u bë dëshmitar aktiv i epokës së turbullt e njëherësh shpresëdhënëse, të fillim-viteve ’20-të, por pas dështimit të qeverisjes noliste, të 1924-ës, u shtrëngua të emigrojë (në Austri, Zvicër, Gjermani, Francë, Bullgari, Rumani).
Gjatë kësaj kohe ka patur miqësi me intelektualët demokratë e republikanë, si; Noli, Ymer Dishnica, Nikolla Ivanaj, Halim Xhelo Tërbaçi, Sejfulla Malëshova, Asdreni, Faik Konica, etj.
Ky i fundit në vitin 1922, i pat sugjeruar Nolit në një letër, se Boshnjaku ishte personaliteti më i volitshëm, për t’u emëruar ambasador në Greqi. Ahmet Zogu më 1927, e dënoi me vdekje në mungesë, si i akuzuar për pjesëmarrje në organizimin e atentatit kundër tij, në kryeqytetin austriak. Kur policia e Vjenës e arrestoi më 1929, për lirimin e tij ndërhynë personalitete botërore, si Ajnshtajn, Anri Barbys, etj.
Ndalemi pak këtu, sepse dokumenti origjinal i 5 qershorit 1929, me anë të të cilit konsulli i Shqipërisë në Vjenë, Çatin Saraçi, lajmëron ministrin e vet të Jashtëm, Reuf Fico, mbi arrestimin e Boshnjakut, flet shumë.
Ja dy ekstrakte: “…J’u konfiskua Boshnjakut krejt korrespondenca. J’u gjetën shumë letra të Fan Nolit, nga Berlini, të Lazër Fundos nga Moska, të Kollumbit nga Stambolli… ”, ose; “Ky me dhelpninë e tij, ka pasë dijeni mbi përmbledhjen e aktit res. Nr. 170-II, qi j’u dërgue kësaj zyre…ndoshta në qark të nëpunsavet t’onë të Qandrës, nuk kuptohet edhe fjala “sekret zyrje”… asht e ditun se ay asht aq i squet, e nuk përmend kurr’ emna, në letra të tija”. E në fakt, vetë ministri Fico, ishte mik i ngushtë i Boshnjakut, siç dëshmon dhe fotoja.
Ishte epoka e ideve radikale, qoftë majtas apo djathtas. Të cilat edhe më ashpërsisht nga sa propagandoheshin, u vunë në jetë me komunizmin dhe fashizmin. Por është interesant fakti se Boshnjaku, gjatë gjithë periudhës 1924-’39, ka jetuar jashtë atdheut si emigrant politik, bënte pjesë në atë klasë intelektualësh idealist, që komunizmin e lidhnin me mirëqenien dhe jo me vrazhdësinë staliniane.
Ja një shembull: Diku para vitit 1922, kur e pyetën në Hollandë për rreth idealeve të Revolucionit të Tetorit, ai iu përgjigj atyre se: “Komunizmi është një iluzion për shoqërinë njerëzore”.
Kostë Boshnjaku kishte një kulturë të gjerë në lëmin e ekonomisë, në veçanti të asaj bankare. Zotëronte një kompetencë shkencore. Ishte poliglot: Dinte greqishten e vjetër dhe të re, turqishten, frëngjishten, rusishten, gjermanishten, anglishten, që i fliste rrjedhshëm, sepse kishte banuar në këto vende.
Kishte një penë të mprehtë prej publicisti serioz. Ishte plot dinjitet, i matur e fjalëpakë, dëgjohej dhe iu imponohej për respekt të tjerëve. Mendimi i tij politik, bazohej në direktivat e para të Kominternit, të cilat më pas u keqinterpretuan (edhe) nga regjimi komunist shqiptar, por ndërkaq çdo shenjë e tij në shtypin e kohës, bie era progres.
Nga ana tjetër, për ta kuptuar më saktë mendimin politik, ekonomik dhe shkencor të Kostandin Boshnjakut, duhet t’i referohemi kushteve historike, të gjithë aktivitetit të tij.
Boshnjaku përfshihet në ajkën e intelektualëve për tërë mozaikun e komunistëve të ardhur nga Franca, Italia, Gjermania, apo Austria, në Shqipëri, që në plan të parë vunë çështjen shqiptare.
Fjala është për atë brez “proto-komunistësh” që më pas u zhgënjye, hoqi dorë, u ndrydh në guaskën e vet apo edhe u eliminua fizikisht, pasi pa se çfarë ishte komunizmi i përkthyer në terrenin shqiptar, siç janë; Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Koço Tashko, Dhimitër Fallo, Llazar Fundo, Niko Xoxi, etj.
Në vitin 1924, ai shkruan me shumë respekt dhe vlerësim për presidentin amerikan Uillson, për atë ç’ka bëri në Konferencën e Paqes më 1920 për Shqipërinë; por edhe për Leninin, mbi qëndrimin që ai mbajti në denoncimin e ‘Traktatit të Londrës’, më 1915, për çështjen shqiptare. Dhe Boshnjaku thekson se: “Nuk na intereson zaten, sa vepra ka shkruar Lenini, por vetëm çfarë ka bërë ai për Shqipërinë”.
Sa i përket jetës së tij private, në ato pak raste kur është përmendur pas vitit 1990, Boshnjaku është anatemuar si aventurier (sepse nuk martohej?!). Në fakt, çertifikata e martesës, mban numrin 125, të datës 21 korrik 1940, të zyrës së Gjendjes Civile në komunën e Prezës.
Ai që nga viti 1925, ka bashkëjetuar me të vetmen grua, austriaken Margarete Sehmid. Pikërisht në banesën e saj në Vjenë, e arrestuan në vitin 1929.
Sipas të afërmve të tij, Kostandin Boshnjaku, nuk donte fëmijë, për mungesë baze ekonomike, por edhe për faktin se ai lëvizte nëpër botë, duke punuar për Shqipërinë. Është mjaft domethënës një shkrim i tij, në gazetën “Shqipëria e re”, në mars 1934, (faqe 4), ku kritikon parlamentin shqiptar, që kishte nxjerrë ligjin; “Për ndalimin e martesave me vajza të huaja”.
Po në këtë vit, nga Varna e Bullgarisë, dërgon një letër të hapur për të gjithë kolonitë shqiptare me pseudonimin, I.G. Coni. Në këtë material prej dy faqesh, del në sipërfaqe jo vetëm niveli, mendimi i lartë social i autorit, por mbi të gjitha vlerësimi bashkëkohor dhe aspak Bolshevik, i zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Në rrethet intelektuale të kohës, Kostandini vlerësohet lart, dhe kjo tregohet edhe nëpërmjet korrespondencave si dhe dedikimeve të shprehura në librat e dhuruara prej tyre, të cilat janë faksimile në arkivin familjar: nga Konica, Hasan Prishtina, Sejfulla Malëshova e, deri tek Nako Spiru apo, Koço Tashko.
Bile ekziston një letër, ku Imzot Luigj Bumçi, i shpreh falenderimet në emër të princeshës Sanije (motra e Zogut, persekutori dhe dënuesi i tij me vdekje), për kurën e dobishme të mjekësisë popullore, që ai këshilloi për shërimin e saj.
Kostandin Boshnjaku u kthye në Shqipëri, në vitin 1939. Mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste, duke u zgjedhur një nga 16 anëtarët e kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Antifashist dhe deputet i Kuvendit Popullor, në zgjedhjet e para të pasluftës, më 2 dhjetor 1945. Këtë fazë të jetës së tij, mund ta nisim me një nga letrat e pakta që Enver Hoxha i dërgoi, ajo e 17 prillit 1944, ku e lajmëron 55 vjeçarin, për vendimin e Këshillit mbi thirrjen e Kongresit Antifashist:
“I dashur Boshnjak, …e kuptoj fare mirë arsyen që të shtrëngon të rrish aty, pse të kam njohur në pyjet e Martaneshit, të mbuluara me borë; ti qëndrove i patundur me gjithë vuajtjet fizike….!
Mos u tremb për çështjen e sëmundjes dhe shëndetit, pse tash është vera përpara dhe jemi në kondita më të mira”. Ironia e interesimit të diktatorit të ardhshëm për shëndetin e Boshnjakut, merr tone shumë therëse, duke patur parasysh vazhdimin.
Pas lufte ai u emërua drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar, por menjëherë pas promemories, u hoq nga posti dhe në fillim të vitit 1947, u arrestua nën akuzën se bënte pjesë si kryetar opozitar në “Grupin e Deputetëve”, duke u cilësuar “agjent i anglo-amerikanëve”. U dënua me pushkatim, pastaj dënimi ndërroi në 101 vjet burg.
Përfitoi nga amnistia në vitin 1949, ndërsa një version tjetër, thotë se u lirua me ndërhyrjen direkte të ambasadorit sovjetik, Çuvahin. Nëse kjo do të ishte katërcipërisht e vërtetë, nuk do të mund të gjente shpjegim fakti, që Boshnjaku mbeti i survejuar, i persekutuar moralisht dhe ekonomikisht, deri në fund të jetës, bash në ato vite kur ndikimi sovjetik në Shqipëri, ishte absolut.
Në veçanti pas 1944-ës, merita e Boshnjakut qëndron në kundërshtimin ndaj marrëveshjes së bërë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për njehsimin e dinarit me lekun. Një fakt të tillë, është përjetuar nga miku i tij i burgut, Nexhmedin Ballka, i cili tregon: “Kur e bënë drejtor të përgjithshëm të Bankës së Shtetit, Kostandini më vjen në shtëpi e më thotë: Erdha sepse Jugosllavia, ka kërkuar që Banka Shqiptare, të varej nga banka e saj.
Kjo do të thotë që të tëra përqindjet e fitimit, t’i marrë Jugosllavia dhe ne do të humbasim miliona dollarë. Do të bëjmë një gjë: Të vësh në dijeni Nako Spirun. Kur ia thashë këto Nakos – thotë Ballka -, ai më këshilloi që të hesht, ‘sepse e pëson edhe ti edhe unë’”. Në fakt kjo marrëveshje nuk u realizua në praktikë, por dihet që Nako Spiru dhe Boshnjaku, e pësuan më vonë.
Kostandin Boshnjaku nuk i ka thirrur asnjëherë në emër Enver Hoxhës: Gjithmonë i drejtohej; “djali i xha Halilit”, sepse ishte 20 vjet më i madh se ai, e me një kulturë, që nuk kishte asnjë enë komunikuese, me nivelin e Hoxhës. Ai vërtet mori pjesë në luftë, por nuk mund të pajtohej me udhëheqjen komuniste shqiptare.
Boshnjaku i ka tërhequr vëmendjen Enver Hoxhës: “Vështroni si po veprohet në vendet fqinj, bëni një amnisti, bëni kujdes se, ne luftën, nuk e bëjmë për hakmarrje. Mos bëni atentate…”! Këshilla sigurisht, shkoi në vesh të shurdhër.
Jeta e Kostandin Boshnjakut, reflekton tragjizëm edhe pas daljes së tij nga burgu. Së bashku me shoqen e mrekullueshme të jetës, ushqeheshin vetëm me përkthimet, që ai bënte dhe bashkëshortja i shtypte me makinë shkrimi.
Ja një pasazh zhgënjimi, që e tregon sërish Nexhmedin Ballka: “Kostandin Boshnjaku në Durrës, kishte një vëlla, ku ndenji pak kohë dhe në kushte shumë të vështira. Një ditë e takova dhe ai më çoi tek porti detar. Atje shoh Demir Godellin (ish komunist i kohërave të para) që nxirrte bukën si përkthyes…”!
Enver Hoxha u kishte gjetur fundin njerëzve më me shkollë, më me kulturë, më atdhetarë, të cilët përqafuan komunizmin e viteve të hershme, vetëm për ta parë Shqipërinë në një mirëqenie realisht demokratike.
Mjaft të lexohet promemoria e Boshnjakut, për të kuptuar se çfarë Shqipërie donte ai. Sepse thelbi i personalitetit të Kostandin Boshnjakut, është respektimi i bindjeve të vetvetes nën moton: “E vërteta mund të mos na bëjë zengjinë, por do të na bëjë të lirë”./Memorie.al