Një rezolutë për përkujtimin e gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës, e hartuar nga Gjermania dhe Ruanda pritet të hidhet për votim me 23 maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mes një fushate të fortë kundërshtimi nga presidenti i Serbisë dhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, me mbështetjen e Rusisë.
Sipas tekstit përfundimtar të projektrezolutës 11 korriku përcaktohet “Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrencë”, në kujtim të vrasjes së mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjak nga forcat serbe në masakrën që filloi me 11 korrik të vitit 1995.
Na atë ditë serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën, që ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Në vitin 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tha se aktet e kryera në Srebrenicë paraqesin gjenocid. Ky ishte gjenocidi i parë në Evropë që nga Holokausti nazist në Luftën e Dytë Botërore, gjatë të cilit u vranë rreth 6 milionë hebrenj dhe pjesëtarë të pakicave të tjera.
Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiç, u dënuan me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë nga Gjykata për Krime Lufte në ish Jugosllavi. Në përgjithësi, kjo gjykatë si dhe gjykatat në Ballkan kanë dënuar afër 50 zyrtarë serbë të Bosnjës të kohës së luftës me burgime të gjata lidhur me gjenocidin në Srebrenicë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq si dhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, kundërshtojnë me forcë miratimin e rezolutës, duke thënë se ajo i cilëson të gjithë serbët si një “komb gjenocidal”, ndonëse projektrezoluta nuk e përfshinë një pohim të tillë.
Presidenti Vuçiç dhe qeveria e tij kanë bërë fushatë si në OKB ashtu edhe në vendet në zhvillim për të fituar mbështetje në kundërshtim të rezolutës, miratimi i së cilës kërkon shumicën e thjeshtë.
Misioni i Përhershëm i Serbisë në OKB, bëri thirrje sërish për tërheqjen e projektrezolutës.
“Duke pasur parasysh pasojat e paparashikueshme të një projektrezolute të tillë në procesin e brishtë të pajtimit, duke hapur plagë të vjetra, u bëjmë thirrje edhe një herë bashkëhartuesve të tërheqin tekstin e rezolutës, në interes të të gjithëve, para së gjithash popullit të Bosnjës e Hercegovinës por edhe të gjithë anëtarëve të OKB-së…”, thuhet në një deklaratë të Misionit të Përhershëm të Serbisë në OKB.
Presidenti Vuçiç si dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, kanë përmendur disa herë mundësinë e pagesës së dëmeve të luftës, nëse rezoluta miratohet.
Udhëheqësit serbë vazhdojnë të minimizojnë apo edhe mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, duke i cilësuar vrasjet si një krim të rëndë, gjë që ka ofenduar thellësisht të afërmit e viktimave të masakrës dhe të mbijetuarit.
ështja e rezolutës u përvijua edhe përgjatë një takimi të rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në Bosnje, që u mbajt të mërkurën.
Zëvendës ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, tha se “veprimet e rrezikshme të (Milorad) Dodikut dhe retorika ndarëse e tij kërcënojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon” dhe “mohimi i gjenocidit gjithashtu parandalon pajtimin”.
“Përkujtimi i të vërtetave historike dhe pranimi i fakteve është i rëndësishëm dhe e çon rajonin përpara në rrugën drejt pajtimit”, tha zoti Wood, duke nënvizuar se “nderimi i viktimave të gjenocidit përforcon vlerat e pasqyruara në Kartën e OKB-së”.
Por ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, vendi i të cilit ruan lidhje të forta me Serbinë dhe serbët e Bosnjës, tha se paraqitja e rezolutës pa pëlqimin e të gjitha palëve në Bosnjë, është shkelje e kushtetutës së vendit dhe marrëveshjes së paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës.
“Ne e shohim këtë tekst provokues si një kërcënim për paqen dhe sigurinë në vend dhe në gjithë rajonin”, tha ai, duke akuzuar Gjermaninë dhe Ruandën për nxitjen e protestave në vend të nxitjes së pajtimit.
Gjermania dhe Ruanda, thanë më herët gjatë javës se rezoluta synon bashkimin dhe jo përçarjen, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së ta mbështesin atë “duke dërguar kështu një mesazh të fortë për kujtim dhe kundër mohimit të gjenocidit”.