Kaosi duket se po afron për mbarë rendin ndërkombëtar nisur nga kërkesat për revizionim të historisë. Nëse deri më dje Lufta II Botërore bashkonte fituesit mbi një normë humanizmi dhe anti-totalitarizmi, sot kjo po ndan.
Rusia është duke përgatitur një draft rezolutë për në OKB që i shpall vrasjet nga gjermanët të rusëve dhe sovjetikëve në LIIB si genocidale. Një akt ky që vendos demarkacion të qartë në Europë. Modelit në fjalë do t’i bashkohet edhe Serbia.
Presidenti Aleksander Vuçiç, ka deklaruar para një takimi me patriarkun Porfirije dhe kreun e Republikës Srpska, Dodik se Serbia do të kërkojë një rezolutë për veprimet e nazistëve ndaj serbëve dhe ustasjëve në kampin e Jasenovacit.
“E kotë ta themi se kjo do të hapë shumë çështje për Turqinë dhe disa fuqi perëndimore lidhur me armenët dhe të tjerë”, ka thënë ai që e ka lidhur aktin e pritshëm me “sjelljen e disa fuqive botërore ndaj serbëve”.
Ngjan një politikë groteske nëse mbajmë parasysh se Rusia dhe Serbia si pjesë e Federatës Jugosllave janë fuqi fituese të LIIB dhe kanë qenë formalisht pjesë e Gjyqit të Nurembergut.