Ballina Kronika Shkatuan 53 milion lekë dëm shtetit, Prokuroria e Tiranës jep masat për...

Shkatuan 53 milion lekë dëm shtetit, Prokuroria e Tiranës jep masat për 4 persona

61
0

Prokuroria e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për katër persona të cilët duke shmangur detyrimet tatimore  kanë shkaktuar një dëm prej 53 milion lekësh.

Sipas Prokurorisë së Tiranës 3 subjektet tregtare shmangnin tatimet dhe jepnin produkte pa faturë.

Një prej të përfshirëve ka përdorur të dhënat e 3 personave dhe i kishte regjistruar 3 subjekte .

Ndërkohë këto subjekte kanë kryer importe të mallrave të ndryshme, të cilat janë përdorur për rishitje.

Në bazë të hetimeve ka rezultuar se në këtë skemë mashtrimi të përfshirë edhe funksionarë të administratës shtetërore

Sipas një njoftimi nga Prokuroria e Tiranës opracioni i koduar ‘Mashtrimi’ është finalizuar pas hetmeve disa mujore në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve.

Prokuroria ka vendosur arrest me burg për shtetasin S.M., dhe detyrim paraqitje për 3 të tjerët Z.R., E.S., dhe P.K.,

 Njoftimi i Prokurorisë:

Finalizohet operacioni i koduar ‘Mashtrimi’, Prokuroria e Tiranës arrest dhe masa sigurie për 4 persona që dyshohet se shkaktuan 53 milionë lekë dëm duke shmangur detyrimet tatimore

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të Procedimit Penal nr.1695, të vitit 2024, pas një pune disa mujore me metoda speciale të hetimit, finalizoi me sukses operacionin e koduar ‘Mashtrimi’, duke bërë të mundur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhoma penale, e cila caktoi masa sigurimi ndaj 4 shtetasve:

Shtetasi S.M. ‘arrest në burg’; dhe

Shtetasit Z.R. E.S. dhe P.K. ‘Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore’.

Nga analizimi i provave të grumbulluara, rezulton se 3 subjekte tregtare u krijuan për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta marrin produktin pa faturë. Këto shoqëri objekt hetimi, kanë funksionuar si ‘nipte shëtitës’ dhe personat (tregtarë) që fshihen pas këtij aktiviteti përfitojnë të ardhura duke mos deklaruar xhiron reale, shmangur detyrimet tatimore dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53.000.000 lekësh.

Nga hetimet, rezultoi se këto subjekte kanë kryer importe të mallrave të ndryshme, të cilat janë përdorur për rishitje nga subjekti kundrejt pagesës (ose pa dijeninë e tyre).

Shtetasi S.M. ka përdorur të dhënat e tre shtetasve Z.R., E.S. dhe P.K. me të cilat ka regjistruar këto subjekte dhe ka kryer çdo veprim në emër të tyre. Këta shtetas kanë konsumuar elementet e veprës penale ‘Krijimi i skemës së mashtrimit në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar’, ‘Fshehje të ardhurash’ dhe ‘Moskallëzim të krimit’ të parashikuara nga nenet 144/a, 180, 300 të Kodit Penal.

Gjithashtu, dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona, subjekte të tjera, studio kontabiliteti, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilët vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.