Nga Ndue Dedaj
Në gjysmën e parë të shekullit XX poetët e malësive tona ishin rapsodët, si Prendush Gega në Pukë, Mat Doda në Mirditë etj., vjershat e të cilëve mësoheshin përmendësh dhe këndoheshin me lahutë e çifteli në oda bujare e sofra mikpritje. Kurse në gjysmën e dytë të tij kemi poetët e parë të poezisë së kultivuar, të cilët ishin arsimuar kryesisht në shkollat pedagogjike dhe hynin në jetë si ëndërrimtarë të një kohe të re, që në të vërtetë nuk e kishin ata në dorë se si do të ishte. Prenga u lind në Shëngjergj (Kaçinar) më 1935 dhe pati fatin të kishte mësues në fillore Hasan Gracenin nga Elbasani, që do ta ndihmonte në rrugën e tij të shkollimit. Aty në shkollën e vogël, në ish-qelën e Kishës së njohur, mes lisash të moçëm, nisi të marrë krahë ëndrra e Prengës si mësues, ashtu si e kolegut Dedë Dushi, doktor Zef Prengës etj.
Nga fundi i viteve ’50 dhe përgjatë viteve ’60 nis e shfaqet poeti Preng Cub Lleshi (që e kishte ruajtur emrin të gjatë si të parët), i cili shkruante lirika të ndjera në gegnisht, kur ishte mësues në Shpal, Kaçinar, Rrëshen, që ne i kemi hasur në shtypin e kohës, apo dhe në arkivin e tij familjar, ku ai i ruante gazetat ku kishte botuar. Për ilustrim, nga revista “Nëntori” (nr. 5, 1964) përzgjodhëm për këtë shkrim jubilar poezinë e tij “Kujtim”. Në një poezi të hershme ai tregon evolucionin artistik, nga folku, çiftelia (“një dru mani bukur foli”) te letërsia, përmes fjalëve të të atit: “tash po ia lë këngën Prengës”.
Kishte debutuar me ciklin e parë poetik në gazetën “Zëri i Rinisë”, në vitin 1954, kur ishte 19-vjeçar, nxënës i shkrimtarit Petro Marko në Pedagogjiken e Tiranës, për të cilin fliste me adhurim, ashtu si më pas për pedagogët e tij, veçanërisht Eqrem Çabejin, që e kishte nxitur të mblidhte fjalorin e të folmes së Mirditës. Poezia e tij e hershme nuk kishte kaluar pa vëmendjen e shkrimtarëve të njohur si Llazar Siliqi, që ishte shprehur me vlerësime maft inkurajuese për të. Me kohën erdhi duke u bërë një poet i angazhuar dhe lirika intime e tij u zëvendësua me atë sociale, çka ndodhi dhe me poetë të tjerë të kohës nën trysninë e realizmit socialist.
Personalisht kujtoj me nostalgji vitet 67-70, kur poetët Gjok Beci, Preng Cub Lleshi e Pal Përlala bënin takime me lexuesit në muajin e letërsisë në tetor, ku një vend të veçantë zinte dhe recitimi i poezive nga vetë autorët. Kredoja e tyre ishte Mirdita. Të tre ishin idhëtarë të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës etj. Pal Përlala e titulloi vëllimin e tij poetik “Këndo, Mirdita ime” (1967), Gjok Beci botoi vëllimin poetik “Kur zgjohen bjeshkët” (1969) dhe kulmoi me këngët e Ansamblit “Mirdita” (1978), kurse Preng Cub Lleshi publikoi në almanakun “Mirdita” (1968) poemën epiko-lirike “Biseda në shtigje”, me kushtime lavdie për Pirustët, Princët e Arbërit, Kastriotët, Dora D’Istrian, Aleksandër Moisiun etj. Kishte koleksionuar thënie të mençura dijetarësh Rilindas kushtuar Mirditës, ku citonte pareshtur poetin Risto Siliqi: “O Mirditë! O trimnesh` e dheut! / I Arbnisë fis i kryekreut!” etj.
Preng Cub Lleshi ka kontribute të ndjeshme në gjuhësi, publicistikë, studime të karakterit historik, por ne deshëm ta kujtonim këtë herë si poet lirik me ndjeshmëri të hollë, që nuk arriti ta botonte librin e tij poetik para 90-ës, për shkak ta barrierave që iu krijuan, siç thuhet, pas një diskutimi të “ashpër” në Lidhjen e Shkrimtarëve për romanin “Dasma” të Kadaresë. Edhe pse unë isha i ri asokohe, për më tepër nxënës i tij, Preng Cub Lleshi m’i tregonte dorëshkrimet e kthyera me vërejtje nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, që për mendimin tim të atëhershëm nuk e përligjnin mosbotimin e librit. Libri nuk u botua as kur autori, mbas vitit 1972, e ktheu nga gegnisht në gjuhën letrare. Nuk e ndihmoi as fakti që ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. As pse pati një rekomandim dashamirës të Dritëro Agollit për poezinë e tij. Pedagogu i Letërsisë në Shkodër Hasan Lekaj, që e kishte pasur shok kursi në Universitet, fliste më simpati për poezinë e tij, edhe si reçensent në një rast i librit të tij në proces, që sërish nuk arriti të botohej. Ky qendrim ndaj librit të tij ishte thuajse unik për një autor që ishte i lirë. Ai e përjertonte thellë, por nuk fliste se po i bëhej padrejtësi. Ka qenë viti 1974, kur me nxitjen time, profesori dërgoi një cikël poetik në “Drita”, që u botua me ilustrime grafike nga studiuesi Ndue Zef Toma, që asokohe kishte shkuar sekretar i Kolegjumit të gazetës letrare. Por të gjitha këto ishin shumë pak për ta motivuar në udhën e poezisë, pas “thyerjes” që i kishin bërë redaksitë letrare dhe mbylljes në vetvete për këtë shkak. Ai ishte një bir i revolucionit, por që ky i fundit ia mbylli derën e botimit, që është dhe ëndrra e çdo krijuesi. Njeri parimor me karakter të palëkundur, që nuk ngurroi ta thoshte fjalën e vet me kurajo, edhe kur ajo do t’i kushtonte largimin nga puna si profesor në gjimnazin e Rrëshenit dhe dërgimin me dënim në fshat andej nga kishte ardhur.
Sigurisht një paradoks, që poezia e tij të priste aq gjatë në syrtarët e burokracisë botuese të kohës, prandaj kur u krijuan mundësitë, për mua ka qenë obligim dhe kënaqësi e veçantë përgatitja për botim e librit të tij të parë poetik “Në udhë lindi një kangë” (2002), që më në fund po shihte dritën e botimit. Pas 6 vitesh poeti botoi vëllimin e dytë poetik “Këngët dhe ëndrrat e mia” (2008). Tiparet e lirikës së këtij poeti, si ndjeshmëria, peizazhi i moçëm malësor, muzikaliteti i vargut, evokimi i heroizmit shqiptar etj. kemi pasur rast t’i trajtojmë në dy parathënie të shkruara për dy nga librat e tij poetikë, botime të shtëpisë botuese “Mirdita” dhe “Geer”.
I pata sugjëruar që lirikat e dashurisë t’i botonte më vete pa i “përzier” me poezitë e karakterit social dhe ai më pati dëgjuar. Libri me lirika titullohet “Gjurmë malli” (2010), paraprirë nga një parthënie imja, prej së cilës po shkëpusim disa pasazhe: “Mësuesi i ri do të niste të vjershëronte sipas modelit më të përhapur të kohës, ku lirika e bjeshkëve të tij, si lirikë e dashurisë njerëzore, do të vinte e pëthyer sipas “beriozave” të poezisë së famshme ruse, pushkiniane etj. Kurse tradita tek ai do të ndihej sidomos në stilin mjedian të tingëllimit poetik, në lëvrimin e sonetit etj. Poeti i ri mirditor shpesh rrinte soditës në hijen e bjeshkës, flladin e saj, i ndjeshëm dhe ndaj një xixëllonje, që ai ka parë buzë mbrëmjes në malësinë e tij, diku në një shteg rinor dhe ajo diç atij i ka folur për “vitet e shkuar, dashuritë…” Motivet e fillimeve poetike të tij janë mbresa nga kontaktet me njeriun dhe natyrën: “Romantike”, “Retë”, “Kujtim”, “Lirikë pylli”, “Për nënën time të mirë”, “Në ballkon”, “Bilbili”, “Vegim”, “Lirikë ushtari” etj. Kjo poezi është larg asaj patetike, që kah vitet ’70 do ta dëmtonte poezinë shqipe. Lirika, tashmë e konfiguruar kryekrejet si atdhetare, kishte rrokur heronjtë, grunoret, hekurudhat, minierat, pasi atë intime e pengonin barrierët ideologjike të kohës. Megjithatë poeti Preng Cub Lleshi herë pas here kthehet në hullinë e tij lirike, siç e shohim dhe në poezinë “Kur shikoj qiellin…” (1973):
“Kur shikoj qiellin…
Hej, ç’kujtoj at’herë!
Dhe tretëm në ëndërrim:
Kujtoj një mriz në bjeshkë,
Një pranverë
Dhe atë që përgjonte hapin tim…”
Poezia e tij është nderuar me çmime në Mirditë, Tiranë, Prizren etj.
Po aq përzemër sa poezinë, Preng Cub Lleshi kishte dhe gjuhën shqipe. Në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit ai mbajti të vetmin diskutim kundër-rrymë në favor të gegnishtes, ashtu si Arshi Pipa matanë Atlantikut. I thoshim sa herë me të qeshur, se për gjuhën amtare nuk kishte dallim midis njerëzve të letrave, ishin në një hulli si një komunist si një antikomunist. Diskutimi i tij “heretik” për herë të parë u botua në një nga gazetat që dilte në Mirditën e pas 90-ës. Pasionin për gjuhën ai e tregoi në gjurmimin e fjalëve të rralla në Mirditë në vitet ’70, në artikujt kushtuar gjuhës që i përmblidhi në librin “Mos e vritni fjalën shqipe”, që u promovua në Universitetin e Tiranës në vitin 2015. Kurse artikujt dhe shënimet për librat i përmblodhi në librin “Mendime kritike”, ndër të cilët dhe një reçensë për romanin tim “Shembja”. Autorët mirditas të viteve ’60 si Mark Tirta, Gjok Beci, Pal Përlala, Preng Cub Lleshi, Bardhok Sulejmani, Pjetër Cara, Jak Tuci, Preng Baloj etj. nuk rreshtën së krijuari profilet e tyre, për t’u pasuar në vitet ’80 nga tregimtari Ndue Gjika, poetët Viktor Gjikolaj, Preng Maca, Zef Bardhi, Elinda Marku etj.
Njëzet e pesë vitet e fundit të jetës, Preng Cub Lleshi, edhe pse me vështirësi të jashtëzakonshme të shikimit, punoi me energji djaloshare, ku botoi rreth njëzet libra poetikë, studimorë, polemikë etj., dhe në mënyrë të veçantë iu kushtua tezës së origjinës së Kastriotëve nga Mirdita, që siç dihet qe trajtuar qysh herët nga Jakob Filip Fallmerajer, Athanas Gegaj etj., duke e pasuruar me referenca të reja. Për krijimtarinë letrare dhe studimet e tij kanë shkruar e folur një varg autorësh të njohur, si Mark Tirta, Razi Brahimi, Gjovalin Shkurtaj, Shpëtim Çuçka etj., kurse jetëshkrimi dhe mbresat e tij jetësore përfshihen në librin autobiografik “Jam unë, ëndërrimtari”.
Ishim nga e njëjta lagje dhe i njëjti fshat, Zhurri i Shëngjergjit dhe familjet tona shkonim shumë mirë si bashkëfshatarë. Në parathënien e librin “Faqe nga visari leksikor i Mirditës” ai përmend dhe tim atë, Mark Deda, si njërin nga ata prej të cilëve kishte vjelur fjalë dhe shprehje popullore. E kujtonim shpesh mes nesh dhe shoqin tonë të mrekullueshëm Nikollë Frrok Lekën, më i vogël se ai e më i madh se unë në moshë, që shkruante poezi lirike, por që nuk i botoheshin prej biografisë së keqe, çka e kishte lënë punëtor në minierë, derisa sa humbi jetën në moshë të re duke mbetur në korent në një shtyllë elektrike të rrëzuar.
“Mësues Prenga”, siç e thërrisja kur isha gjimnazist, parapëlqente të më prezantonte gjithmonë si ish-nxënësin e tij, edhe pse pak kohë më kishte dhënë mësim dhe për më tepër jo letërsi. Shpesh nuk ndanim mendime apo ide të njëjta në rrafshin politik, por profesori megjithatë mbetej gjithnjë miqësor, vlerësues dhe falenderues.
Le të jenë këto pak radhë si një kujtesë për emrin e tij si poet, publicist dhe studiues, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta.