Ballina Politika Shqipëria pret turistët/ Balla: Gati trupa e ndërhyrjes në rast aksidenti rrugor!...

Shqipëria pret turistët/ Balla: Gati trupa e ndërhyrjes në rast aksidenti rrugor! Trafiku në pikat e nxehta do monitorohet me dronë

27
0

Për Shqipërinë ky është një sezon turistik shumë i rëndësishëm jo vetëm për të konsoliduar bumin që mori vitin e kaluar por dhe për ta çuar para në një nivel tjetër. Qeveria pret një rritje të turistëve këtë sezon veror me 30-40% krahasimisht me vitin historik 2023, prandaj qeveria po merr masa për të koordinuar punën ndërmjet ministrive për të siguruar mbarëvajtje.

Risia këtë vit, përveç Forcës Kombëtare të Sigurisë, është edhe pjesa që ndërlidh tre shërbime publike, përmes Trupës së Ndërhyrjes Teknike, bëhet fjalë për Policinë e Shtetit, Shërbimin Zjarrfikës dhe Shpëtimit, si dhe Urgjencën Kombëtare.

Ky shërbim ka qëllim që të mbërrijë sa më shpejt pranë një aksidenti rrugor me qëllim që të jepet ndihma e parë në kohën e duhur dhe të zhbllokuar po ashtu edhe trafikun e bllokuar në raste incidentesh rrugore, deklaroi ministri I Brendshëm në takimin “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurt”, organizuar sot në Tiranë.

Mbi 1600 punonjës policie do të angazhohen me shërbim në zonat turistike e plazhe, ku një pjesë e madhe janë nga Policia Rrugore.

Ndërkohë në funksion të monitorimit të akseve rrugore, do të përdoren pajisje të teknologjisë së lartë si kamera, radarë e drone.

“Do të përdorim dronët edhe për monitorimin e trafikut në pikat e nxehta, për të pasur një informacion të detajuar gjatë 24 orëve të ditës, për të gjitha dhe për të njoftuar publikun  në rastet e nevojës për të shmangur pika të caktuara të nxehta me një trafik të shtuar”

Ministri Taulant Balla tha se janë gati për të filluar nga puna 6 stacionet shtesë të Policisë së Shtetit në zonat me fluks të shtuar turistik, Thesh, Valbonë, Tale, Gjirin e Lalzit, Palasë dhe në Ksamil. Edhe në kalatën e Komanit, një shërbim policie 24 orë për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë në lidhje me veprimtarinë e mjeteve lundruese në liqenin e Komanit.

Ka filluar zbatimi i protokollit dypalësh për lehtësimin e procedurave të hyrje-daljeve në pikën e përbashkët të kalimit kufitar, Morin, Kukës.

“Besoj deri javën tjetër, bashkë me Ministrin Sveçla, do të njoftojmë edhe lehtësimin e kalimit edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar me Kosovën, për të mundësuar, le të themi, kalim të lirshëm të kufirit për të gjithë turistët, qofshin qytetarë të Kosovës apo të Shqipërisë që duan të shkojnë në Kosovë” shtoi më tej Balla.

Hiqni vendgrumbullimet anës rrugëve, ose ndëshkime 

Ndërkohë prej muajit shkurt ka nisur operacion i përbashkët i IKMT dhe Policisë së Shtetit, për të larguar vendgrumbullimet e mjeteve motorike nga anët e rrugëve kombëtare.

Shembulli më tipik ishte një rast në rrugën Elbasan Qaf Thanë ku një dum dum kinez kishte dekada, madje që para ndryshimit të sistemit  që rrinte në krahë të rrugës dhe askush nuk shkonte që të pyeste i kujt është dhe pse nuk largohej prej aty dhe po ky dum dumi kinez ka qenë shpesh herë burim incidentesh rrugore m’u në krahë të rrugës dhe mendoj. Mendoj dhe që mund të ketë përsëri z. Drejtor apo drejtues të IKMT-së ende raste të tilla, të cilat duhen të pastrohen menjëherë dhe këtu gjejë rastin të falënderoj Autoritetin Rrugor Shqiptar për disponibilitetin në kuadër të këtij bashkëpunimi.

“Janë identifikuar 600 pika grumbullimi mjetesh dhe pjesësh dhe zotëruesit e të cilëve janë detyruar sipas ligjit t’i zhvendosin vullnetarisht brenda një afatit të arsyeshëm dhe më pas kemi ndërhyrë po sipas ligjit, në masat që lidhen qoftë me masat administrative, qoftë me sekuestrime apo mbyllje të këtyre aktiviteteve’ tha Balla.

Ndërkohë për projektin “Smart City” të përdorimit të inteligjencës artificiale shpreson të nisë vitin e ardhshëm

“Nuk jemi gati, do kisha dashur shumë që të ishim gati me projektin “smart city”, të zbatuar, por jam shumë krenar që falë mbështetjes së Kryeministrit, dhe falë mbështetjes dhe bujarisë të qeverisë të EBA, në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, përfshirë këtu dhe zonat turistike, ne do të kemi gati, shpresoj vitin e ardhshëm, edhe pjesën që lidhet me sigurinë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës private, edhe monitorimin e trafikut, në  të gjitha qytetet kryesore të vendit dhe në të gjitha zonat turistike përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjedhjesh teknologjike, inteligjencë artificiale, të cilat na mundësojnë kalimin në një nivel tjetër të sigurisë publike” tha ai.